LAJMI I FUNDIT:

Memorandum bashkëpunimi mes Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Shqipërisë

Memorandum bashkëpunimi mes Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Shqipërisë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka pritur në takim Avokaten e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca, dhe Avokatin e Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari.

Pas takimit, ata deklaruan se kanë biseduar për mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit, në mënyrë që të fuqizojnë bashkëpunimin regjional.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti tha se ekziston nevoja e këmbimit të përvojave mes vendeve dhe e diskutimit të çështjeve në të cilat ngecin të dy vendet.


“U informova që të dyja institucionet po bashkëpunojnë në interes të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe mbarëvajtjes së sistemit gjyqësor politik në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte kënaqësi e veçantë sepse ne kemi nevojë që të këmbejmë mendime, të bisedojmë për çështjet që të dyja palët, të dy vendet, në të cilat çalojmë por edhe për suksesin e njëri tjetrit, dhe ishte kënaqësi e madhe për mua”, tha ai.

Erinda Ballanca, Avokate e Popullit në Shqipwri tha se të gjithë kanë mundësi për të folur të njëjtën gjuhë dhe për të trajtuar çështjet në nivel rajonal dhe evropian, brenda realitetit gjithëpërfshirës midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që kemi me zotin Jashari, mendoj se këto agjenda do të ecin përpara dhe shpresoj që bashkëpunimi do të vazhdojë të jetë kaq i frytshëm dhe më i madh në të ardhmen dhe për këtë ju falënderoj shumë, dhe kërkoj gjithmonë që mbështetja e organeve të tilla siç është Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të vazhdojë të jetë në nivelin e duhur për interes të zbatimit të standardeve më të larta të drejtave të njeriut”, tha ajo.

Ndërsa Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari bëri të ditur se po synojnë nënshkrimin e një memorandum bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Është takim i një bashkëpunimi që shpresojmë të thellohet edhe më tutje në kuadër të këtyre vizitave që ne jemi duke i përfunduar, dhe kemi çështje konkrete me të cilat tani shpresojmë të nënshkruajmë një memorandum të bashkëpunimit me të cilin synojmë ta fuqizojmë edhe më tej bashkëpunimin regjional të institucioneve të Avokatit të Popullit në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai

Erinda Ballanca, e cila për të parën herë viziton Kosovën si Avokate e Popullit, është pritur në takim sot edhe në Gjykatën Kushtetuese. /KP/