LAJMI I FUNDIT:

Për Arbërinë e Skënderbeun, 35,000 faqe në Dubrovnik

Për Arbërinë e Skënderbeun, 35,000 faqe në Dubrovnik

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, botoi vëllimin me dokumente “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në fondet e Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: dokumente”, hulumtuar dhe përgatitur për botim nga Gjon Berisha.

Botimi i këtyre dokumenteve është një përfundim me sukses i punës hulumtuese disavjeçare në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut nga studiuesi i periudhë së Mesjetës, i cili si rezultat i punës hulumtuese në arkivin në fjalë pati rastin që të hulumtojë dhe grumbullojë rreth 35,000 faqe dokumente që ndërlidhën me Arbërinë dhe arbërorët, të cilat u takojnë fushave ekonomike, politike e kulturore. Nga këto dokumente të hulumtuara dhe grumbulluara gjatë katër viteve të fundit nga Berisha, një pjesë që i kushtohen Epokës së Gjergj Kastriotit, gjejnë vend në këtë përmbledhje.