LAJMI I FUNDIT:

PSD për protestën e thirrur nga VV-ja: Nuk kemi marrë ftesë për të qenë pjesëmarrës

PSD për protestën e thirrur nga VV-ja: Nuk kemi marrë ftesë për të qenë pjesëmarrës

Partia Socialdemokrate përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se nuk ka marrë ftesë për organizim ose pjesëmarrje të ndonjë proteste nga ndonjë subjekt politik.

“Çështja e dialogut meriton një trajtim më serioz nga opozita. Përveç pajtimit për qëndrimet për çështje të caktuara, veçanërisht për dialogun, duhet të kemi pajtueshmëri edhe për metodat e kundërshtimit. Nuk është e drejtë, madje është kundër produktive që të vendosen subjektet politike para aktit të kryer. Kjo është për t’ua mohuar subjektivitetin. Është tepër e dëmshme si për bashkëpunimin, ashtu edhe për kundërshtimin, nëse këto synohen të bëhen përmes desubjektivizimit e përçmimit të tjetrit bashkëpunues”, thuhet në njoftimin për media.


PSD më tej ka shtuar se nuk mund të shkojmë prapa organizimeve partiake, në të cilat nuk jemi ftuar dhe rrjedhimisht nuk jemi te njoftuar me qëllimin dhe synimin e atij organizimi.

“Aventurat e Hashim Thaçit mund të ndalen vetëm bashkë, me opozitë të bashkuar, e në bashkërendim me strukturat e gjera shoqërore dhe me qytetarët. E kundërta i konvenon vetëm projektit të tij”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/