Bajram Peçi
Ka qenë koleksionisti i veprave të artit, një personalitet i shquar i Rilindjes italiane, Paolo Giova (1483 –1552), i cili, falë pasionit të tij, besohet se ka bërë të mundur të mbërrijë deri në ditët tona pamja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Peshkop, mjek, fizikant, historian dhe biograf, ka hyrë në të famshmit si krijuesi i muzeut “Uomini illustri”, me koleksionin më unik që ishte parë me vepra arti në Evropën Mesjetare. Ideja e Giovas për themelimin e një muzeu me portrete të njerëzve të shquar, perandorë e papë, filozofë, figura të letrave e sundimtarë, luftëtarë të famshëm, artistë dhe gjeneralë, ka qenë ndoshta mendimi më origjinal i qytetërimit evropian të kohës.
Pasioni për koleksionim të portreteve nisi në periudhën e Rilindjes. Pak para tij, ishte orvatur të vinte gurët e parë në themelet e një ngrehine kulturore, që do bëhej më pas shtëpia e artit dhe qytetërimit, bashkëkohësi Andrea Fulvio, (1470-1527). Ai ishte një humanist, poet dhe antikuarist italian i Rilindjes, koleksionisti që u orvat i pari të bëjë identifikimin e fytyrave të famshme të Antikitetit me burim monedhat dhe, po kështu, i pari antikuarist që bëri regjistrimet epigrafike të rrënojave të lashta të Romës. Pamjet e ilustruara prej tij i botoi në dy vëllime. Njëri përmbante pamjet e fytyrave të famshme të Antikitetit nga provat numizmatike dhe tjetri ishte një udhëzues për antikitetet e Romës. Librin e parë të burrave të shquar të bazuara në burime të numizmatikës e ka kryer në bashkëpunim me antikuaristin tjetër, Jakopo Mazzocchi. “Njerëzit e famshëm” të botimit të ilustruar ishin perandorë romakë dhe romakë-gjermanikë. Të tjerë, që fillonin me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë, përfshinin perandorët bizantinë, princat Karolingian, etj.
Risia që ai solli në artin e bërjes së portreteve ishte ideja dhe përpjekja për të bashkëpunuar me piktorët, që për identifikimin e fytyrave të njerëzve të famshëm të Antikitetit, tashmë të harruara, të përdoreshin monedhat dhe medaljet perandorake. Ngjashmëritë në monedhat e medaljet prodhuan artin e portreteve. Fulvio vlerësohet si themeluesi i artit të numizmatikës dhe epigrafisë.
Idenë e Fulvios e ndoqi Giova. Qëllimi ishte të ringjalleshin me vetëdije e të nxirreshin nga muzgu i shekujve të shkuar, duke besuar se pamjet në portrete e njerëzve që kishin shkëlqyer në lavdi dhe mençuri, nëse vendosen para syve, do të ndihmonte në fisnikërimin dhe nxitjen e shpirtit. Shembuj të koleksioneve të artit të imazhit ndesheshin në buste bronzi të filozofëve në bibliotekat romake, por asnjë nga këto nuk ishte konceptuar me qëllimin e shprehur të ndërtimit për publikun, siç Giovio e shprehu në projektin e tij. Të dy, të pavarur nga njëri-tjetri, përpos ilustrimit të imazhit, bënë për to dhe nga një përshkrim të shkurtër historik.
KRIJIMI I NJË MUZEU TË PASHEMBULLT NË LLOJIN E TIJ
Rilindja shënoi një përmbysje cilësore në historinë e portretizimit. Kthesa e marrë zëvendësoi ikonografinë që mbështetej mbi librat e shenjtë kristianë me interesin për botën natyrore, për njeriun “tokësor”, për kulturat klasike të Romës e Greqisë së lashtë. Portretet, të pikturuara e të skalitura nga gjenialiteti artistik që polli epoka, ende nuk janë kapërxyer.
Giovio e filloi mbledhjen e portreteve rreth vitit 1512, pasi ishte larguar nga Komo, qyteti i tij i lindjes, për të ndjekur karrierën e prelatit kristian në Romë. Prej portreteve të njerëzve të shquar të letrave, si Virgjili, Dante Aligeri e Petrarka, koleksioni filloi të përfshijë figurat ushtarake, mbretërit, papët dhe artistët e shquar të epokave të kaluara. Ai dëshironte jo idealizime, por portrete të nxjerra nga jeta, sa herë të ishte e mundur. Në mungesë të të tilla mundësive, u jepte porositë piktorëve të mbështeteshin te ngjashmëritë e prodhuara në monedhat, bustet ose medaljet perandorake e mbretërore që ekzistonin. Kronistët shënojnë se për mbledhjen e koleksionit atij ju desh t’u shkruante dhjetëra figurave publike në Evropë dhe në Lindjen e Afërt, për t’u kërkuar portrete. Ishte fillimi i koleksionimit të monedhave dhe ishin monedhat e lashta, që bënë përmes portreteve të pavdekshëm shumicën e më të shquarve, që bota klasike kish nxjerrë me madhështinë e saj, në kapërximin e pragut të qytetërimit modern. Nevoja për të zgjuar kujtimet e të shkuarës, përpos artit të krijimit të portreteve, lindi shkencën e numizmatikës me tërë peshën e vlerat që mban studimi historik, ekonomik e kulturor i tyre.
Ndërtimin e muzeut Giova e nisi në vitin 1537 dhe e përfundoi në vitin 1543. Pikturat e portreteve të ndara në katër kategori subjektesh, u organizuan brenda grupeve në mënyrë kronologjike, sipas datës së vdekjes ose nga viti i lindjes, nëse personi ishte ende gjallë. Giovio i shoqëroi portretet me biografi të shkurtra të cilat janë botuar dhe njihen shkurtimisht si “Elogia”. Paolo Giova pasoi kështu përvojën e antikuaristit Andrea Fulvio, që në vitin 1517, portretet e marra si pamje nga monedhat i kish shoqëruar me shënime. Ishte gjithashtu një grup i ilustruar i rreth 700 figurave të famshme të botës së lashtë, të bëra prej Fulvios, që mund të kenë frymëzuar Giovio-n. Ndërsa Fulvio portretet i botoi në katalog, Giova i porositi që të punoheshin artistikisht me teknikën vaj në dru.
BELINI DHE PORTRETI I TIJ PËR NJË SULLTAN
Nga koleksioni i këtij kolosi të Rilindjes dhe veprës së tij në Komo, janë të shumtë muzeumet që sot përhapin kulturën e nxisin turizmin, duke patur në zotërim pjesë të fondit të tij. Paolo Giovio mblodhi e kopjoi nga mjeshtra të mëdhenj të epokës shumë vepra të njohura, mes të cilave edhe heroin tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Vlen të përmendim në funksion të qëllimit për portretin e Skënderbeut, edhe një portret të Sulltan Mehmedit II, i krijuar si kopje nga modeli origjinal i Belinit. Është e njohur se kopja është bërë nga piktori Kristofano del’altissimo. Kronikat shënojnë se Sulltan Mehmedi II, në mënyrë të pazakontë për ritet myslimane, na paska dërguar një misionar diplomatik në Venedik, me detyrën për të gjetur një piktor me emër dhe për ta sjellë në Stamboll. Ishte artisti Gentile Belini, që u zgjodh të shkonte në Portën e Lartë në vitet 1479 dhe 1480 e të realizonte portretin. Historianët dhe kritikët e artit përmendin se në fondin e tij figurojnë edhe disa ai skica e piktura shqiptarësh. Ska dëshmi e prova se ku mund t’i ketë bërë. Mund t’i ketë kryer edhe duke kaluar transit, gjë që u dha mundësi hamendësimeve se ka modeluar Skënderbeun në një portret, pa qenë nevoja ta bënte këtë në Venedik! Vite më pas, Sulltani Bajazid II portretin e Belinit e hoqi nga oborri, madje e degdisi edhe nga Stambolli. Historianët e artit vijojnë ende të debatojnë për rrugën që përshkoi portreti, për të mbërritur në Firence apo në Londër. Portreti i Uffici-t rri ngjitur me atë të Skënderbeut dhe (thonë kritikët e artit) kanë ngjashmëri të mëdha në stil e punim, që tregon se mund të jenë bërë nga e njëjta dorë. Jason Goodwin, shkrimtari dhe historiani i romaneve triller, në “Portreti i Belinit”, për veprën e famshme të Mehmet Pushtuesit, që ndodhet në National Galeri-London, shkruan se kuratorët e kanë etiketuar pikturën si “Atribuuar” dhe jo pikturuar. Siç nuk dihet plotësisht fati i këtij portreti, me largimin nga jeta e themeluesit të muzeut, nuk dihet dhe fati i një shumice të tjerë portretesh, pasi arkivin-muzeum të 484 portreteve e prekën, e shpërbënë. Ai humbi, për të ngelur në kopje.
KOPJET NË PIKTURË TË PORTRETEVE TË SKËNDERBEUT
Portrete të Skënderbeut e kanë prejardhjen nga galeritë e pikturave, që u kopjuan në Itali prej shtëpive mbretërore të Evropës Veriore në fillim të shekullit të 16-të. Pas vdekjes së Paolo Giovios në vitin 1552, koleksioni origjinal u shpërnda dhe humbi. Disa portrete mbahen në Pinakoteka “Civica di Palazzo Volpi”, në Komo. Shumica ruhet në Uffizi si kopje të piktorit Kristofano dell’ Altissimo, i cili kaloi 37 vjet duke kopjuar portretet nga viti 1552 deri më 1589. Njihen vetëm tre koleksione pikturash me portrete të «Burra të famshëm» të cilat përmbajnë portrete të Skënderbeut dhe janë të ngjashme me njëra-tjetrën. Këto janë koleksionet e peshkopit të Nocera, Paolo Giovi; të Dukës Kosimo i Parë të Firences dhe ai i Arqidukës Ferdinand von Tirol të kështjellës Ambras. Midis portreteve te koleksioneve të mësiperme egzistojnë ngjashmëri të mëdha ikonografike, sepse këto portrete u krijuan si kopje të origjinalit. Duka Kozimo i Parë de’ Mediçi i kërkoi Kristofano Altissimos t’i kopjonte koleksionin e Paolo Giovos rreth viteve 1552 dhe 1564. Të njëjtën gjë bëri edhe Arqiduka Ferdinand. Një artist i pikturës (emri i të cilit nuk është i njohur) u dërgua prej tij në Firence, me qëllim që të kopjonte fondin e portreteve të kryeqytetit të artit. Një sërë kopjesh të bëra për Kozimo i Parë de’ Medici tani janë strehuar përhershmërisht në Galerinë Uffizi të Firences.
Arqiduka Ferdinand kërkoi të kopjoheshin dy portrete të Skënderbeut. Njërin prej tyre, që ilustron artikullin, e kam nxjerrë nga botimi “ALBANIEN Schätze aus dem Land der Skipetaren”. Grup-redaktorët e këtij botimi luksoz 480 faqesh të botuesit “Verlag Philip von Zabern, mainz”, i hedhur në tregun gjerman në vitin 1988, me rastin e Ekspozitës së Arkeologjisë e Kulturës Shqiptare në qytetin Hildesheim, ka zgjedhur të ilustrojë pamjen e Skënderbeut pikërisht me këtë portret e me këto të dhëna: Portreti i Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skënderbej/ Pronë private, Pikturë me bojra vaji, 64.5 cm e lartë dhe 45.5 cm e gjerë/ Autori anonim, e fundit të shekullit të 17-të/ lartë, në mes, ka shënimin: SCANDERBECHVS.
Historiani i artit mesjetar, Fridrich Wilhelm Knies, e shoqëron portretin me disa përshkrime historike. Ai pohon se për portretin e Skënderbeut të botuar në libër, i detyrohemi koleksionit Ambraser, ku gjendet i shkruar edhe një aludim mbi prejardhjen ikonografike. Më tej, historiani dhe kritiku i artit, F. W. Knies, jep mendimin se “…njëri nga ekzemplarët e koleksionit Ambraser është kaq i ngjashëm me portretin e mësipërm, që tregon se të dyja pikturat duhet të jenë bërë në të njëjtën kohë dhe vend, ose kanë patur si bazë të njëjtin origjinal. Megjithëse dy portretet janë në anë të kundërt me njëri-tjetrin (përballë njëri-tjetrit), ata janë pothuaj të njëjtë në fytyrë (pajtohen plotësisht), sidomos veshi, syri dhe mjekra. Vetëm forma e hundës ndryshon pak në dy portretet, sepse duket hapur që kopjisti i Ambraser-it ndikohej nga idealet e bukurisë së Evropës Qendrore dhe e drejtoi hundën e kthyer tipike të Skënderbeut”. Për të njëjtën pamje portreti, në librin “Skënderbeu” të autorit Kristo Frashëri, në diçiturën e ilustrimit shënon se ndodhet në kështjellën Waldburg-Gjermani.
Por, për çfarë aludohej në shënimin për prejardhjen ikonografike të portretit të Skënderbeut, që gjendej në Ambras? Në vëllimin e 19-të të Vjetarit të Koleksioneve të Familjes Perandorake, është një shënim që pohon se një portret ishte kopjuar nga një model i krijuar nga Xhentile Belini në vitin 1466, kur Skënderbeu kishte shkuar në Venecia. Aludohej se Skënderbeu kishte qenë në të gjithë Italinë, përfshirë Venedikun, midis 1461 dhe 1466-tës dhe si rezultat Belini ndoshta e portretizoi Skënderbeun. F. W. Knies, nga shënimi aludues i Ambras, shfaq mendimin se, “… Meqë bëhet fjalë për një portret të pikturuar të Skënderbeut, ai duhet të jetë porositur gjatë vizitës së tij në Venedik, në vitin 1466”.
Një tjetër koleksionist i shquar, historiani, arkeologu dhe numizmati vienez, Friedrich Kenner, në vitin 1898 e përcaktoi këtë pikturë (të Ambraser-it) si pjesë të koleksioneve princërore, që sipas tij, nga arsye stiliste mund të jetë bërë vetëm në Venedik dhe nga kopjistë venedikas. Më tej, litografia e botuar në vitin 1500 te “Skënderbeu” i Marin Barletit thuhet se ishte frymëzuar nga skica të bëra prej artistit Xhentile Belini. Nga aludimi i “Ambras”, mendimi i F. W. Knies dhe përcaktimi i F. Kenner, që bënte Venedikun dhe artistët piktorë të saj si burimin ikonografik te pikturës origjinale, mori rrugë debati: A i ka bërë portret Xhentile Belini Gjergj Kastriot Skënderbeut? Portreti shënohet të jetë bërë kopje në fundin e shekullit të 17-të, por piktori-kopjist i Arqidukës Ferdinand, ashtu si dhe piktori Kristofano Altissimos, i ngarkuar nga Duka Kozimo i Parë de’ Mediçi, kopjuan portrete të krijuara në shek. 16-të e që i përkisnin koleksionit Giova. Të këtij mendimi janë historianë e kritikë të artit, të cilët përgjithsisht i përmbahen pikëpamjes se pamja e vërtetë e Skënderbeut buron nga trashëgimia e koleksionistit Paolo Giova, kopje të të cilave ka Galeria Uffizi, kështjella Ambras dhe kopje të tjera të shpërndara në galeri arti, shtetërore dhe private. Prej kohësh një pjesë e mendimit kritik këmbënguli se një portret i tij, që merret si pamja e vërtetë, ishte vepër e Belinit. Të tjerë sjellin kundërargumentin se kjo ska ndodhur. Gjegjes i kanë ardhur rrotull dhjetra studiues që kanë kundërshtuar njëri-tjetrin, kanë pohuar e mohuar, por tisi i misterit vështirë se hiqet. Historianët janë të një mendjeje dhe të prerë: Skënderbeu nuk ka qenë kurrë në Venedik e për rrjedhojë s’mund të ketë pozuar atje për Belinin. Në Itali njihen vetëm vizitat në Romë e Napoli dhe ecejaket rrotull tyre, si në fushatë ushtarake ashtu dhe në vizitë. Mundësi të tjera kontakti të artistit me luftëtarin e krishtërimit janë hedhur përpos si hamendje, siç është ajo e Kristo Frashërit, që supozon se qendrimi katër mujor i Skënderbeut në Romë e Napoli mund të jetë shfytëzuar për pozim nga Xhentile Belini.
PORTRETET E SKËNDERBEUT NË MEDALJE
Medalja, që u zhvillua nga Rilindja si një formë e shprehjes artistike, shihej atëbotë si simbol i arritjeve. Një medalje e projektuar posaçërisht u bë një simbol i vlerave, ishte një shenjë e njohjes për të nderuar në shkallën më të lartë individin. Nuk ka qenë e njohur që në të gjallë Skënderbeut t’i ishte kushtuar medalje apo monedhë me portret të tij, deri kur artisti dhe kritiku i artit të pikturës, z. Ferid Hudhri, bëri të ditur praninë e tre medaljeve në Venedik. Periudha e Skënderbeut është i vetmi rast që tokat e kombi ynë nga Evropa të jenë parë si faktor. Kushtimi i medaljeve për Skënderbeun është treguesi më i mirë i këtij vlerësimi.
Në botimin e vitit 1998, të albumit “Historia e Venedikut përmes medaljeve” të autorit Piero Voltolina, paraqiten tre medalje me portretin e Skënderbeut. Hudhri, përmes një artikulli të botuar vite më parë, na bën me dije se albumi i përcakton të jenë realizuar në çerekun e tretë të shek.XV, rreth viteve 1450-1475, kohë kur Gjergj Kastrioti ishte ende i gjallë. Më tej, kritiku i artit beson se ato janë krijuar sipas vizatimeve të bëra direkt nga natyra.
E para medalje me portretin e Skënderbeut, profil djathtas, është prodhuar në Venedik, autor i panjohur, në vitet 1463-1466, është metal argjend, rrethore me diameter 98 mm. Në hapësirat kufizuese mban shkrimin, GEORGIVS CASTRIOTT:DE SCANDERBEG.INVICTISS ( i pathyeshmi). Medalja është pjesë e koleksionit privat të autorit të albumit, Piero Voltolina.
E dyta medalje e albumit është aliazh argjendi, e prodhuar në Romë po rreth këtyre viteve të shek XV. Ka diametër 46.3 mm. Autor i krijimit mbetet i panjohur. Po për këtë medalje, Kristo Frashëri në botimin me autorsinë e tij, “Skënderbeu”, thotë se një kopje ndodhet në muzeun numizmatik të Berlinit dhe është prej bronxi. Medaljoni është rrethor, brenda sipërfaqes mban portretin profil majtas, që rrethohet nga shkrimi *GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBEGVS*. Në anën e pasme mban në skajet periferike kurorë dafine dhe shkrimin FI DEI DEFEN-NSOR INDOMITVS ET T-HRACVM DO-MINA-TOR INDO-MABILI-S (Mbrojtës i panënshtrueshëm i fesë, triumfues i pamposhtur i thrakëve).
E treta medalje e albumit është gjithashtu aliazh argjendi, e prodhuar në Romë po në shek XV. Ka diametër 37.7 mm. Autor i krijimit i panjohur. Medaljoni është rrethor, brenda sipërfaqes mban portretin profil majtas, që rrethohet nga shkrimi *GEORGVS CASTRIOTA SCANDERBERGVS*.
Një mjeshtër hollandez që banonte në Gjermani, Domenikus Kustos (1550-1612), njihet të ketë gdhëndur brënda një medaljoni me formë eliptike një portret të Skënderbeut, me mbishkrimin periferik që rrethon portretin: GEORGIVS CASTRIOTVS SCANDERBEGVS, Epiri et Albaniae etc Princeps, Anno 1444. Ngjashëm me të më rezulton të jetë edhe një medaljon tjetër, jo eliptik por rrethor, që ilustron në një nga faqet e brendëshme botimin e autorit Karlo Padiglione, “Skënderbeu dhe pasardhësit e tij”. Brënda një sipërfaqe rrethore 36 mm, portreti i Skënderbeut, profil djathtas dhe në hapësirat kufizuese mban shkrimin: DVX EPIRI ALB. SCANDEBERGVS.
Pason një model për medalje e krijuar në vitin 1912 nga Heinrich Kautsch. Në të vërtetë, artisti-skulptor, H.Kautsch, nga ana e tij ka modeluar për këtë medalje një gravurë të bërë nga një tjetër autor i panjohur, por i botuar në Milano në vitin 1886, në librin e A. Schweiger-Lerchenfeld-Oriente. Kjo medalje nuk u prodhua dot, por modeli u përdor për prodhimin e pullës postare të shtetit të pavarur Shqiptar, në vitin 1913, si dhe të medaljes ushtarake për milicinë, në tre klasa, në vitin 1939. Me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, medaljet, urdhërat dhe medaljonet me portretin e Skënderbeut ishin të shpeshta e të shumëllojta. /Milosao/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje