LAJMI I FUNDIT:

Financat e fushatës zgjedhore do të hetohen nga 10 auditorë

Financat e fushatës zgjedhore do të hetohen nga 10 auditorë

Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka aprovuar sot kërkesën që 10 auditorë të hetojnë raportet financiare të fushatës për partitë politike.

Kërkesa do t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit e cila do ta autorizojë administratën e këtij institucioni që të iniciojë procedurat për përzgjedhjen e 10 auditorëve ligjor për auditimin e raporteve financiare të fushatës për partitë politike për vitin që shkoi.


Kërkesa e hedhur në votim nga kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj ka marr aprovimin e anëtarëve të Komisionit, i cili këtë kërkesë ia ka proceduar Kryesisë së Kuvendit.

Selmanaj duke arsyetuar këtë kërkoi edhe votën e kolegëve të tij në mënyrë që të dihen financat e secilit subjekt politik.

“Inicimin e procedurave që kërkojnë prej Administratës së Kuvendit që të fillojë shpalljen e tenderit apo siç shkojnë procedurat e prokurimit atje. Që më pas të mos mbesim peng i situatave të ndryshme që me mbet pa u auditu financat. A po pajtohemi që ne sot ta aprovojmë kërkesën në mënyrë që Kryesia me autorizua administratën që të ecin me procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e auditorit”, tha Selmanaj, transmeton KP.