LAJMI I FUNDIT:

Përplasje në mes Angjushev dhe OBRM-PDUKM-së në lidhje me akumulatorët elektrikë

Përplasje në mes Angjushev dhe OBRM-PDUKM-së në lidhje me akumulatorët elektrikë

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev nuk ndjen përgjegjësi sepse konsideron se nuk e ka keqpërdorur funksionin shtetëror gjatë heqjes së doganës për import të akumulatorëve elektrikë me litium.

Pas publikimit të vendimit qeveritar, reaguan menjëherë nga opozita duke akuzuar se njeriu i dytë në Qeveri po përgatit terren për profit personal, sepse sipas tyre, akumulatorë të tillë shfrytëzon vetëm kompania e Angjushevit “Brako”, që merret me prodhimin e mjeteve elektrike.

Nga ana tjetër, Angjushev siguron se ky vendim është një nga kushtet për hyrje të një kompanie të huaj për të investuar në Maqedoni dhe shtoi se kompania e tij nuk do të ketë kurrfarë interesi nga heqja e doganës.


Në pyetjen e gazetarit se a do të ketë beneficion kompania e tij nga kjo, Angjushev tha “Kompania Brako është si çdo kompani tjetër në Maqedoni. Ajo merret me prodhimin e kamionëve elektrikë dhe për momentin nuk do të ketë beneficion, sepse të gjithë prodhimin e eksporton jashtë”.

Dje, opozita akuzoi se Qeveria shtetin e ka shndërruar në firmë private e cila punon për nevojat e partisë në pushtet. Në vend se të punojë për qytetarët, kjo qeveri po punon vetëm për interesat e klanit të Zaevit dhe të multimilionerit Angjushev, akuzojnë nga partia opozitare OBRM-PDUKM.

“LSD po vihet në funksion të zëdhënësit të Qeverisë dhe po tenton ta arsyetojë vendimin e qeverisë për heqjen e doganës për akumulatorët që në Maqedoni i shfrytëzon vetëm firma e Koço Angjushevit. LSD po i manipulon qytetarët dhe nën maskën e “mbrojtjes së mjedisit jetësor”, po i rrit tatimet të cilat do t’i paguajnë qytetarët më të varfër, ndërsa për më të pasurit, realizon lirime tatimore dhe doganore. Kjo është barazia dhe solidariteti që e premtonte LSD-ja”, thotë nga OBRM-PDUKM.

Kjo nuk është hera e parë që vëmendja e opinionit të orientohet kah zëvendëskryeministri Angjushev, shkruan tv 21. Edhe para se ai të emërohej nënkryetar i qeverisë, doli afera se ai ka një firmë partneriteti të regjistruar në Belize. Më pas, pasoi edhe një tender i kontestueshëm i kompanisë ELEM në të cilin mori pjesë kompania e tij Feroinvest. Në këtë rast, Angjushev arsyetohej se nuk ka konflikt interesash, sepse, siç pohonte, ai është vetëm pronar, ndërsa drejtues të firmës janë persona të tjerë./Telegrafi/