LAJMI I FUNDIT:

Për rrugën e integrimeve evropiane, konsensusi politik është i domosdoshëm

Për rrugën e integrimeve evropiane, konsensusi politik është i domosdoshëm

Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim takoi sot anëtarët e Projektit të Binjakëzimit, Daniel Mondekar, ish-anëtar i Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kroaci dhe Laszlo Juhasz, shef i Sekretariatit të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë dhe ish-shef i Sekretariatit të Komitetit  Parlamentar BE-Hungari.

Takimi është kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit si dhe  kryetar i këtij Komisioni, i cili në fillim të takimit mysafirëve iu uroi mirëseardhje, ndërkaq, vlerësoi se takimi i sotëm do të jetë mundësi e mirë që Komisioni të mësojë nga përvoja e vendeve nga të cilat ishin mysafirët.

Për rrugën e integrimit dhe përvojat e shtetit kroat, njoftoi Daniel Mondekar, ish-anëtar i Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kroaci.


Me këtë rast,  Mondekar bëri të ditur se procesi i integrimit të Kroacisë në BE ka zgjatur me vite.

Integrimi i Kroacisë në BE, tha ai në vijim, është vlerësuar se është me interes nacional, andaj, fillimisht është ndërtuar konsensusi politik për të arritur këtë objektiv.

Ai gjithashtu nënvizoi se, përmbushja e obligimeve që dilnin nga marrëveshja e MSA-së, ka qenë obligim i pakapërcyeshëm për shoqërinë kroate.

Ai tha se  bartësit e politikës e kanë kuptuar shumë seriozisht angazhimin për përmbushjen e kritereve të parapara. Duke folur për kriteret, të cilat kishin paraqitur sfidën më të madhe për shoqërinë kroate,  Mondekar nënvizoi bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, luftën kundër korrupsionit, reformimin e sistemit ligjor dhe çështje të tjera, të cilat sipas tij paraqitnin sfida të rënda.

Duke folur për vështirësitë, të cilat Kosova has në rrugën e saj të integrimeve,  Mondekar vlerësoi se, për faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, angazhimet dhe koordinimet me institucionet relevante, veçanërisht me ato të faktorit ndërkombëtar, duhet të jenë më këmbëngulëse.

Për përvojat e Hungarisë gjatë këtij procesi, njoftoi Laszlo Juhasz, shef i Sekretariatit të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, dhe ish-shef i Sekretariatit të Komitetit Parlamentar BE-Hungari.

Ai u ndal te nevoja e harmonizimit të legjislacionit me atë të BE-së dhe për këtë sugjeroi përkushtim nga legjislativi i vendit. Sipas tij, harmonizimi  ligjeve duhet të arrihet në mënyrë graduale, ndërkaq, vlerësoi se konsensusi politik është i domosdoshëm. /Telegrafi/