LAJMI I FUNDIT:

Largimi nga BE inflacioni rritet në Angli

Largimi nga BE inflacioni rritet në Angli

Guvernatori i Bankës së Anglisë Mark Carney paralajmëroi se paqartësitë ndaj vendimit të Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Europian po fillojnë dhe se Banka Qendrore duhet të reagojë në mënyrën e duhur.

“Rrugëtimi i Brexit sapo ka filluar dhe do të ketë pasiguri pavarësisht se destinacioni është i qartë”, tha Carney.


Inflacioni po rritet dhe rreziqet ndaj ekonomisë, sipas tij, janë shfaqur në horizont, skenari për politikat monetare do të ndjek çdo drejtim. Banka e Anglisë ka përditësuar projeksionet për ekonominë për të dytën herë që prej Qershorit të vitit të kaluar.

Projeksioni i rishikuar paraqet një rritje më të fortë të ekonomisë dhe reflekton qëndrimin më të lehtë fiska, shpenzimet e forta për konsum dhe përmirësimin e mjedisit global. Komisioni i Politikave Monetare (MPC) pret tashmë që Produkti i Brendshëm Bruto të rritet me 2 për qind këtë vit.

Megjithatë, Guvernatori theksoi se ka rreziqe në horizont, duke shtuar se projeksionet e forta nuk injorojnë pasojat e referendumit. Rritja e qëndrueshme së bashku me përshpejtimin e normës së inflacionit, bëri që disa anëtarë të Komisionit të limitojnë tolerancën për nivelin e çmimeve sipër 2 për qind.

Banka e Anglisë mbajti normën bazë të interesit në 0.25 për qind dhe programin e blerjes së titujve të borxhit të pandryshuar në takimin e muajit janar.“Nëse ndodh që pagat të rriten më shpejtë se sa presim, apo që shpenzimet të mos bien gjatë vitit, do të ketë një përshtatje të normave të interesit”, tha Guvernatori i Bankës së Anglisë. /Telegrafi/