LAJMI I FUNDIT:

Pro dhe kundër Demarkacionit, nënkryetari i Kuvendit nuk ka informata për të

Pro dhe kundër Demarkacionit, nënkryetari i Kuvendit nuk ka informata për të

Megjithëse deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë iniciuar mbajtjen e një tryeze me subjekte politike dhe ekspertë për çështje të demarkacionit, që parashihej të mbahej para se kjo çështje të procedohet në Kuvend, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ditë më parë deklaroi se mund të organizojë një takim të tillë, vetëm po të kishte kërkesë me shkrim.

E në anën tjetër Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e cila ishte paraparë që të mbahej nesër, kishte futur në rend dite miratimin e demarkacionit dhe procedimin e tij në Kuvend, mbledhje kjo e cila pastaj u shty për një ditë tjetër, me kërkesë të kryeministrit të vendit Isa Mustafa.


Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti thotë se rregullorja e Kuvendit, nuk parasheh diskutim në formën e tillë, siç është tryeza e kërkuar me partitë politike dhe ekspertët.

Ndërsa thotë se është mirë që të debatohet dhe të gjithë të jenë të informuar, se si në të vërtetë është puna me Demarkacionin, se çfarë humb dhe çfarë fiton Kosova nga marrëveshja në fjalë, e cila ka polarizuar tashmë shoqërinë.

Haliti thotë se kryeministri Mustafa mund edhe të thërras seancë të jashtëzakonshme për demarkacionin, por mbetet çështje e deputetëve të votojnë pro apo kundër.

Ndërsa thotë se ai ka zero informata në lidhje me Demarkacionin dhe se ende nuk ka vendosur, se si do ta jap votën e tij, pro apo kundër demarkacionit.

“Qeveria mund ta dërgojë, por deputetët nëse nuk janë dakord ata nuk e votojnë. Unë deri tash jam nënkryetar i Kuvendit dhe informatat i kam zero, sa i përket kësaj çështje. Vetëm ato që i kam lexu në media. Vetëm ato që i kemi diskutuar nëpër mediume dhe debatet që i kemi zhvillu”, tha Haliti.

Ndërkaq thekson se nuk do të duhej që të përdoren mediat për fushatë elektorale, për çështje kaq të ndjeshme, por të debatohet me gjakftohtësi dhe argumente, të cilat do të shërbenin për t’i bindur deputetët për votën pro apo kundër.

Haliti thotë se ka të meta nga të gjitha palët, por duhet të shikohen këto të meta dhe të përmirësohen.

Edhe Vjosa Osmani, deputete nga LDK-ja thotë se është nguti e panevojshme që Demarkacioni të procedohet në Kuvend pa u rishqyrtuar.

Sipas saj, pa kurrfarë arsye kjo marrëveshje është mbajtur larg deputetëve për një kohë të gjatë dhe kjo ka ndikuar në krijimin e një hutie, e cila pastaj e ka shndërruar një çështje e cila është tejet profesionale, në një çështje politike pa kurrfarë nevoje.

E nuk ka dilema se si do të jetë vota saj.

Osmani thotë se asnjëherë dhe as tani nuk mund të votoj pro materialeve, të cilat janë mbajtur të fshehura.
Ndërkaq Opozita mbetet e vendosur në qëndrimet e veta.

Donika Kadaj- Bujupi nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se do ta kundërshtojnë me të gjitha format, mos ratifikimin e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës.

“Është çmenduri nga ana e Qeverisë që ta sjellë për ratifikim një dokument i cili parasheh humbjen e tetë mijë hektarëve tokë të Kosovës, pa e rishikuar atë, pa e përmirësuar dhe korrigjuar gabimet të cilat humbin resurse tona të çmueshme“, ka thënë Kadaj-Bujupi. /Telegrafi/