LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Drejtësia po na gjykon në mënyrë selektive

Osmani: Drejtësia po na gjykon në mënyrë selektive

Naser Osmani, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, e ka quajtur selektiv procesin gjyqësor ndaj tij dhe shtatë të akuzuarve të tjerë.

Ai nuk ka dashur të deklarohet rreth fajësisë, kur është pyetur të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Bashkë me Osmanin, të akuzuar janë edhe Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeragaj, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi dhe Agim Deshishku, shkruan sot Koha Ditore.


Përveç Deshishkut, i cili është blerës i ndërmarrjes FAN në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pikërisht gjatë procesit të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

Para se të akuzuarit të deklarohen rreth fajësisë, është lexuar aktakuza nga prokurori i rastit, Admir Shala. Ai ka thënë se deputeti Osmani bashkë me të akuzuarin tjetër, Shabanin, në bashkëkryerje me persona të tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në AKP, i kanë mundësuar vetes përfitim të pasurisë së kundërligjshme, por edhe të tjerëve, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes FAN, të pandehurit Agim Deshishku, në vlerën rreth 5.400.000.00 eurosh.