LAJMI I FUNDIT:

Viti 2015, sukses edhe për mjekësinë kosovare

Viti 2015, sukses edhe për mjekësinë kosovare

Dr Liridon Selmani, i cili u zgjodh Urologu i Ri më i Mirë në kongresin e Shoqatës Evropiane të Urologëve, shpjegon studimin që i solli këtë sukses atij dhe mjekësisë kosovare.

Mjekësia është mbase një nga fushat që më së shumti është lënë pas dore në Kosovë, por sukseset e mjekëve të rinj nuk mungojnë as në këtë sferë. Dr. Liridon Selmani, kandidat për titullin Doktor Shkence në Universitetin e Prishtinës, është nga pak mjekët të cilët i dhanë në konotacion pozitiv mjekësisë kosovare gjatë vitit 2015.

Mjeku nga Prishtina, specializant në drejtimin e urologjisë, fitoi çmimin “Urologu më i Mirë nga të Rinjtë”, në kongresin e 11-të të Shoqatës Evropiane të Urologëve të mbajtur në muajin nëntor në Antalia të Turqisë. Çmimi i Dr. Liridonit u shoqërua edhe nga një tjetër çmim i urologëve të Kosovës, Posteri më i Mirë, çmim që u pranua nga Dr. Fahredin Veselaj dhe bashkëautorët e studimit, përfshirë këtu edhe Dr. Liridonin. Kjo vulosi suksesin e mjekëve kosovarë që mblodhën dy çmimet kryesore i këtij eventi.

“Ishte nder dhe kënaqësi e madhe për mua që të përfaqësoj Kosovën në konkurrencën e garës mes shteteve për urologun më të mirë të ri. Në një konkurrencë prej shteteve ballkanike, por edhe më gjerë si Turqia, Greqia, Irani juria në përbërje të urologëve më të mirë të Evropës Perëndimore vlerësoi prezantimin tonë si më të mirin”, shprehet ai.


Për të shënuar këtë sukses të mjekësisë kosovare dhe potencialin e mjekëve të rinj, ky artikull festiv i Telegrafit do të fokusohet në kancerin e prostatës dhe në hulumtimin që po e bën Dr Liridoni.

Kanceri i prostatës, njohuri të përgjithshme
Kanceri i prostatës është një nga më të rrezikshmit në mesin e gjinisë mashkullore. Nga të dhënat e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i të diagnostikuarve në vit është 1.1 milionë pacientë. Derisa pjesa më e madhe e tyre janë të moshës mbi 60 vjeçe, sipas statistikave të fundit mosha mesatare e të prekurve është gjithnjë e në rënie. Veç kësaj, numri i tyre që po shpëtojnë falë diagnostikimit të hershëm është në rritje. Në këtë drejtim fokusohet edhe studimi i Dr Liridonit:
Diagnostikimi sa më i hershëm i kancerit të prostatës, me qëllim trajtimin në kohë dhe parandalimin e metastazimit të tij dhe zgjatjen e jetës së pacientit.

“Karcinoma e prostatës është karcinoma më e shpeshtë tek meshkujt në nivel botëror. Sipas statistikave numri më i madh i rasteve të reja me kancer të prostatës paraqitet në vendet e zhvilluara. Nga ana tjetër, vendet e pazhvilluara kanë numrin më të lartë të vdekjeve nga ky lloj i kancerit. Sado paradoksale që mund të duken në shikim të parë, këto të dhëna flasin qartë se zhvillimi i aftësisë diagnostikuese dhe sistemet e mira të screeningut mund të shpëtojnë jetë”, thotë Dr. Liridoni në prononcim për Telegrafin.

Sipas kësaj vendet e pazhvilluara kanë një shkallë më të ulët të karcinomës së prostatës dhe një shkallë më të lartë vdekshmërie për shkak se vonohen në diagnostikimin e sëmundjes te popullata e tyre. Në këtë drejtim Dr Liridoni këshillon pacientët me risk të lartë të prekjes nga kjo sëmundje, të bëjnë analiza më të hershme dhe më të shpeshta për diagnistikimin e saj, pasi sëmundja nuk shfaq shenja në stadet e hershme të shfaqjes.

“Duhet të punohet më shumë në vetëdijësimin e pacientëve me risk të lartë që të paraqiten tek urologu, pasi sëmundja në stadet fillestare nuk jep shenja d.m.th. është asimptomatike. Në të vërtetë pacientët në fazën fillestare nuk kanë ankesa të aspektit të traktit urinar megjithëse në prostatën e tyre ka filluar procesi i alterimit malinj. Pacientët meshkuj pas moshës 45 vjeçare, të cilët po ashtu mund të kenë një bazë gjenetike të sëmundjes këshillohet që të bëjnë vizita sistematike te urologu”, shton më tej mjeku.

Siç shpjegon ai, karcinoma e prostatës paraqet një patologji e cila ka një diagnostikim të hershëm dhe shfaq një kurs të ngadalshëm të zhvillimit. Ky lloj i sjelljes së tumorit iu mundëson klinicistëve që të detektojnë me kohë praninë e tij dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm në shpëtimin e jetës së pacientit.

Diagnostikimi i karcinomës së prostatës
Metodat për diagnostikimin e kancerit të prostatës janë të shumta, por një pjesë e madhe e tyre nuk janë shumë të sakta, derisa të tjerat arrijnë ta diagnostikojnë sëmundjen vetëm pasi ajo të ketë kaluar në një stad më të avancuar. Kështu studiuesit vazhdimisht kërkojnë të gjejnë metoda të reja diagnostikuese për gjetje të hershme të kancerit.

“Metodat bazë në detektimin e karcinomës së prostatës përfshijnë ekzaminimin digito-rektal, matja e nivelit të PSA (Antigjenit Prostatë Specifik) dhe TRUS Biopsitë e Prostatës. Megjithatë secila nga këto metoda diagnostikuese ka të metat e veta në praktikë dhe sjell deri në tej-trajtimin e pacientëve me risk të ulët”.

“PSA si një biomarkues që nga vitet e 80-ta paraqet një standard të artë në diagnostikimin e karcinomës së prostatës. Shumë studiues kohëve të fundit kanë vënë në dyshim efikasitetin e saj në detektimin specifik të karcinomës së prostatës për shkak të vlerave të larta të PSA edhe në gjendjet jo kanceroze sic janë inflamacionet, ndryshimet dietale, barërat dhe ambientin”, thotë Dr. Liridoni i cili tregon edhe për idenë e nisjes së studimit të tij.

“Ndryshimet e vlerave të PSA pas trajtimit (apo mungesës së trajtimit) nuk mund të indikojnë me saktësi praninë apo mungesën e përgjigjes në trajtim. Duke parë një situatë të tillë lindi ideja për studimin e një biomarkuesi të ri i cili do të mund të skrinojë sëmundjen dhe progresin e saj, të identifikojë individët me risk të lartë, të parashikojë rekurrencën, dhe të monitorojë përgjigjen në trajtim. Nga ana tjetër ky biomarkues do të duhej të ishte ekonomik, konsistent, jo-invaziv, lehtë i qasshëm, dhe shpejt i kuantifikueshëm”, shpjegon më tej mjeku.

Objektivi i studimit të Dr. Liridon Selmanit
Studimi i mjekut kosovar fokusohet në matjen e niveleve të një proteine, të quajtur Proteina C Inkibitore (PCI), nivelet e të cilës janë të lidhura ngushtë me karcinomën e prostatës. Në këtë drejtim, duke ditur nivelet e kësaj proteine mund të nxirren rezultate më të sakta për praninë ose jo të qelizave kanceroze të prostatës.

Proteina C Inkibitore (PCI) kimikisht është një glikoproteinë e cila shfaqet në lëngjet trupore (urinë, lëng spermatik, pështymë, lot dhe lëng sinovial), por është imunolokalizuar në qelizat epiteliale të testiseve, epididimit, vezikulave seminale dhe në qelizat bazale të epitelit të prostatës. Aktiviteti i saj si prokoagulant dhe antikoagulant tashmë është dëshmuar shkencërisht. Nga ana tjetër besohet që ajo luan një rol të rëndësishëm edhe në fertilitet dhe në rastet e kancerit.

Qëndrimet rreth rolit të Proteinës C Inkibitore në diagnostikimin e kancerit të prostatës janë kundërthënëse. Megjithatë shumë shkencëtarë besojnë që ajo ka gjitha vetitë e një biomarkuesi dhe rekomandohet hulumtimi i mëtejmë në këtë drejtim, që është edhe objektivi i studimit që po realizon Dr. Liridon Selmani.

“Qëllimi i pёrgjithshёm i këtij hulumtimi është të evaluohet ndërlidhja në mes të ekspresionit indor prostatik dhe nivelit në plazmë të proteinës C inkibitore te pacientët me karcinomë të prostatës. Proteina C Inkibitore pëson ndryshime gjatë procesit të alterimit malinj të indit prostatik, që ndërlidhet me copëtimin e saj duke ul nivelin e PCI në PCa. Këto fragmente të PCI, të njohura si si peptidi ‘C-terminus’, hasen në nivel më të lartë në plazmën e pacientëve me karcinomë të prostatës”, sqaron ai detaje nga studimi.

Roli i Proteinës C inkibitore në karcinomën e prostatës, si në detektimin e hershëm, në progresimin e saj, si dhe në shfaqjen e rekurrencës, është ende i paqartë. Por, të dhënat nga ky hulumtim mund të ndihmojnë shkencëtarët (në fazat të mëvonshme edhe pacientët) në: skrinimin, diagnostikimin e hershëm dhe parandalimin e rekurrencës së karcinomës së prostatës.

Edhe pse ende në fazë studimi, hulumtimi që po zhvillon Dr Liridon Selmani ka potencial të nxjerrë disa rezultate inkurajuese në përforcimin e tezës se Proteina C-Inhibitore është një tregues i ndryshime për zbulimin e hershëm të kancerit të prostatës. Kjo do të çonte në marrjen e masave për trajtim të hershëm të tij, parandalim të metastazimit dhe shtim të jetëgjatësisë së pacientit.

Veç kësaj, studimi mund të jetë edhe një bazë për hulumtime të tjera në këtë sferë, që mund të çojnë edhe te gjetja e trajtimeve të reja ose edhe mbase të parandalimit të prekjes nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.

Dr. Liridoni nuk harron të përmendë edhe mentorët dhe hulumtimit të tij, të cilin po e zhvillon paralelisht në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Vjenës. “Falënderoj Prof. Suzana Manxhuka-Kërliu si mentore e punimit dhe bashkëmentoren Prof. Margarethe Geiger nga Universiteti Mjekësor i Vienës, si dhe Prof.Lufti Dervishin për mbështetjen e vazhdueshme në punën time profesionale dhe shkencore”, thotë ai për fund. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori