LAJMI I FUNDIT:

A jeni të varur nga rrezitja

A jeni të varur nga rrezitja

Ju duket se vazhdimisht keni dëshirë të flaktë ta shijoni diellin? Sipas një studimi të publikuar në revistën “Cell”, rrezitja shumë lehtë mund të bëhet më shumë se vetëm një dëshirë për ta nxirë lehtë lëkurën, ajo mund të përshkallëzohet në një varësi të vërtetë.

Studimi në të cilin minjtë janë ekspozuar ndaj dritës UV, ka rezultuar me një reaksion kimik dhe sjellje të ngjashme me atë të personave të varur nga droga.

Ky zbulim mund të jetë shumë i rëndësishëm, pasi që ekspozimi ndaj rrezatimit UV njihet ndryshe edhe si shkaktar i kancerit të lëkurës, llojit më të zakonshëm të kancerit në SHBA, nga i cili çdo vit sëmuren rreth 3.5 milionë njerëz.

Për nevoja të studimit, David Fisher dhe kolegët e tij në Universitetin e Harvardit i kanë rruar minjtë, dhe më pas i kanë ekspozuar ndaj dritës UV pesë herë në javë. Çdo seancë ishte e krahasueshme me mjedisin në të cilin personi me lëkurë më të bardhë do të ekspozohej ndaj rrezeve të diellit të fortë për 20-30 minuta. Pas gjashtë muajsh, shkencëtarët kanë vënë re diçka të pazakontë.


Në fakt, në fillim të studimit minjtë kanë prodhuar sasi më të mëdha të hormonit të lumturisë, apo beta endorfinës, i cili lidhet me receptorët opioid, të njëjtit receptorë që e luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e varësisë nga heroina. Por në fund të studimit të tyre, niveli i beta-endorfinës kishte rënë. "Kjo na tregon se minjtë e kanë rritur ndjeshëm nivelin e tolerancës ndaj rrezatimit UV.

Me fjalë të tjera, për ta riprodhuar të njëjtin efekt beta-endorfinik si në fillim, minjve do t’u nevojitej një ekspozim shumë më i fortë ndaj dritës UV, ashtu siç do të kishin nevojë personat me varshmëri nga droga doza më të larta në mënyrë që të ndihen po aq mirë", tha Fisher, transmeton Koha.net. Minjtë gjithashtu treguan disa simptoma tipike të sjelljes karakteristike të personave me varshmëri, si rrahjet e përshpejtuara të zemrës, dridhje, dhe kërcëllimë të dhëmbëve.

Por, a do të jemi të gjithë vërtet të varur nga rrezitja? Pohimi mund të ketë kuptim, pasi që vitamina D, e cila sintetizohet me ndihmën e diellit, na nevojitet nga pikëpamja evolutive.

Sido që të jetë, ky studim me siguri mund të jetë një paralajmërim i madh për sallonet për rrezitje të cilat me qëllim të zhvillimit të modeleve të tyre të biznesit ofrojnë lirime, kuponë dhe promovime të ndryshme, etj., të cilat në të njëjtën kohë mund të jenë shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Çfarë është hernia inguinale?

Çfarë është hernia inguinale?

Kalo në kategori