LAJMI I FUNDIT:

Ushtrimet e tepërta rrezikojnë shëndetin e zemrës

Ushtrimet e tepërta rrezikojnë shëndetin e zemrës

Për përfitimet e ushtrimeve mund të ketë një kufi, sipas studimeve të reja të cilat konstatuan se ushtrimet e tepërta janë në fakt të dëmshme për zemrën.

Në një studim, hulumtuesit në Suedi anketuan më shumë se 44.000 meshkuj të moshës 45 deri në 79 vjeç, në lidhje me modelet e tyre të ushtrimeve gjatë viteve të fundit, dhe më pas e monitoruan shëndetin e tyre të zemrës për një mesatare prej 12 vjetësh.

Ata zbuluan se meshkujt që kishin ushtruar më intensivisht për më shumë se pesë orë në javë në moshën 30-vjeçare kishin 19 për qind më shumë gjasa të zhvillimit të një çrregullimi të rrahjes së parregullt të zemrës të quajtur dridhje apo fibrilim atrial deri në moshën 60-vjeçare, në krahasim me meshkujt të cilët kishin ushtruar më pak se një orë në javë.

Te dridhjet atriale, zemra rrahë në mënyrë të parregullt dhe shpesh me shpejtësi, gjë që mund të shkaktojë qarkullim të dobët të gjakut në trup dhe ta rrisë rrezikun nga goditja në tru.


Në studimin tjetër, hulumtuesit në Gjermani i monitoruan rreth 1.000 njerëz në të 60-tat e tyre që kishin sëmundje të zemrës dhe ishin regjistruar në një program të stërvitjes për ta përmirësuar shëndetin e zemrës së tyre.

Hulumtuesit i monitoruan pjesëmarrësit për 10 vjet dhe zbuluan se njerëzit që ishin më pak aktivë, si dhe ata që bënë ushtrime ditore të intensitetit të lartë, kishin një rrezik më të lartë të vdekjes nga sulmi në zemër ose goditje në tru se sa njerëzit që ishin në mes.

Rreziku më i ulët i vdekjes nga sulmi në zemër ose goditja në tru është parë te pacientët të cilët ushtrojnë më intensivisht për dy deri katër ditë në javë.

Të dy studimet u botuan më 14 maj në revistën Heart.

Gjetjet e reja sugjerojnë që njerëzit kanë përfitime maksimale nga aktiviteti fizik, nëse ata ushtrojnë në mënyrë të moderuar, sipas dr. Lluís Mont, nga Spitali Clinic de Barcelona, dhe një koleg i cili shkroi një editorial, i cili i shoqëroi studimet.

Studimet gjithashtu tregojnë për një efekt të vonuar të ushtrimeve intensive në zemër, shkroi Mont. Studiuesit zbuluan se njerëzit që bënë më shumë se pesë orë ushtrime intensive në javë në moshën 30-vjeçare dhe i kishin ndalur ushtrimet e tyre në moshën e mesme, përfundojnë me një rrezik afër 50 për qind më të lartë të zhvillimit të rrahjeve të parregullta të zemrës në moshën 60-vjeçare.

Në anën tjetër, meshkujt më të moshuar se 50 vjeç të cilët e ndoqën një model po aq intensiv të ushtrimeve nuk kishin shfaqur rrezik të ngjashëm në rritje, transmeton Koha.net. Meshkujt që bënin çiklizëm apo ecnin shpejt për të paktën një orë në ditë në moshën 60-vjeçare kishin 12 për qind më pak gjasa që të zhvillonin dridhje atriale se sa ata që nuk bënë asnjë stërvitje fare.

"Përfitimet e ushtrimeve definitivisht nuk duhet të kontestohen, përkundrazi, ato duhet të përforcohen," shkruan Mont dhe kolegu i tij. Por zbulimet e reja dhe studimet e ardhshme "do të shërbejnë për t’i maksimizuar përfitimet nga ushtrimet e rregullta duke i parandaluar efektet e padëshiruara – ashtu si të gjitha ilaçet dhe terapitë e tjera". /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Çfarë është hernia inguinale?

Çfarë është hernia inguinale?

Kalo në kategori