LAJMI I FUNDIT:

Diskutim mbi E-qeverisjen në ICK

Diskutim mbi E-qeverisjen në ICK

Në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK), të premten, u mbajt diskutimi i hapur "E-Qeverisja në Kosovë" me pjesëmarrjen e disa figurave të qeverisjes lokale të komunës së Prishtinës, agjencive qeveritare dhe të shoqërisë civile në Republikën e Kosovës.

E-qeverisja në Kosovë në radhë të parë ka të bëjë me qytetarin dhe institucionin përkatës dhe vetëm më vonë ndërlidhet me integrimin e teknologjisë, ku synim final është zvogëlimi i hendekut mes qytetarit dhe institucioneve të vendit. Ky mesazh u shpalos para mbi 40 të pranishmëve në diskutimin e hapur “E-qeverisja në Kosovë” të organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK) në bashkëpunim me UNDP Kosovo.

“Kur është fjala te digjitalizimi i shërbimeve pubike duhet patur parasysh disa aspekte tjera që është se a i ka administrata publike aftësitë dhe kapacitetet për me ndërru, për me e fut teknologjinë brenda punës së vet në mënyrë të përditshme, në mënyrë të rregullt dhe në menyrë të vazhdueshme”, tha Lejla Sadiku nga UNDP Kosovo duke shtuar se kjo ka të bëjë me ndryshimin e kulturës sesi institucionet komunikojnë me qytetarë dhe anasjelltas.

“Është nder dhe privilegj që ti ndajë mendimet tona mbi e-qeverisjen dhe përdorimin e uebit, zgjidhjeve softverike dhe të aplikacioneve mobile në bërjen e qeverisjes sonë në Prishtinë një qeverisje sa më shumë efikase, sa më transparente dhe sa më të afërt me qytetarët e Prishtinës”, tha Dardan Sejdiu nënkryetar i komunës së Prishtinës. Ai tha se qeverisja e re komunale synon, përmes mjeteve teknollogjike, komunikimin me publikun dhe vendimarrjen komunale ta bëjë sa më transparente që është e mundur.


Kurse Kujtim Gashi drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) tha se “edhe Kosova po përkushtohet në ngritjen e kapaciteteve në fushën e teknologjijsë informative dhe zhvillimin e shërbimeve elektronike”. Gashi poashtu tha se një element shumë i rëndësishëm është se qeverisja elektronike i krijon kushtet dhe mundësitë për shndërrimin e shërbimeve dhe proceseve administrative klasike në shërbime digjitale.

Uranik Begu drejtor ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK) nikoqir dhe bashkëorganizator i ngjarjes tha se “teknologjia është pjesë e çdo segmenti të jetës sonë jo vetëm në e-qeverisje, por edhe në shëndetësi, bujqësi, dhe se konkurueshmëria e kompanive tona mbështetet shumë në rolin dhe përdorimin dhe integrimin e teknologjisë në punë”. Begu shtoi se në mesin e kompanive në inkubatorin e ICK-së ndodhet edhe kompania Kërkomjekun.com – që e lehtëson procesin e kërkimit dhe gjetjes së informatave online lidhur me ofrimin e shërbimeve mjekësore. Begu poashtu shembull e mori edhe kompaninë Solaborate, poashtu pjesë e inkubatorit të ICK-së, që ofron platformë për audio/video/chat komunikim në kohë reale. Para të pranishmëve Hahjrulla Çeku nga OJQ EC Ma Ndryshe dhe Agron Demi drejtor i Institutit GAP i prezantuan metodat dhe plaftormat e tyre online të analizimit të punës dhe të shpenzimeve të bëra nga institucionet e Kosovës. Të pranishëm në këtë diskutim ishin e dhe disa studentë nga Zvicra. Athene Prosjektledelse nga Norvegjia dhe Shoqata për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, janë themeluesit e ICK-së, ndërsa Crimson Capital LLC Kosovë, është partneri kryesor bashkëpunues. ICK financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë./Telegrafi/