LAJMI I FUNDIT:

Zotërinjtë e naftës

Zotërinjtë e naftës

Një shekull më parë, gjuetia për arin e zi nga ana e amerikanëve dhe anglezëve ribëri hartën e fuqive në Lindjen e Mesme.

Vendet përreth Gjirit Persik janë sënduku i arit të zi. Më shumë se një e treta e rezervave planetare të gazit dhe naftës ndodhen këtu, të shpërndara mes Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit, Katarit, Kuvajtit, Irakut dhe Iranit. Për këtë arsye, i gjithë rajoni u bë strategjik në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur ekspansioni i industrisë dhe përhapja e eksponenciale e përdorimit të automobilit e kanë bërë të domosdoshëm këtë burim energjie.


Kërkesa për naftë mes vite 1800 dhe 1900 është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Nëse në vitin 1860, kur filloi shfrytëzimi i vendburimeve amerikanë, prodhimi ishte vetëm 1000 tonë, në vitin 1870 kishte arritur në 700 mijë tonë, ndërkohë që në 1900 arriti në 20 milionë tonë. Kështu, kompanitë e mëdha amerikane intensifikuan veprimtarinë e tyre: zmadhuan nismat e kërkimeve dhe shumëfishuan impiantet duke u shkëputur kushte veçanërisht favorizues endeve ku fshiheshin vendburimet më të mëdhenj. Në krah të manjatëve privatë shumë shpejt hynë në “lojën e madhe” të arit të zi edhe shtetet, me diplomacitë e tyre. Dhe, qeveritë nisën të mbështesin interesat ekonomikë dhe financiarë të kompanive kombëtare.

Gjatë dekadave të fundit të shekullit XIX, ndeshja për naftën në Lindjen e Mesme luhej mes anglezëve dhe gjermanëve që konkurronin për koncesionet për kërkimin e naftës në territoret e Perandorisë Osmane (ku përfshihej një pjesë e madhe e Lindjes së Mesme) dhe ish-Mbretërisë perse (Irani i sotëm). Në fillimin e Nëntëqindës, anglezët siguruan më në fund nga Teherani koncesionin e parë të naftës. Lindi kështu “Anglo-Persian Oil Company”, ose Apoc, që më pas do të bëhej British Petroleum.

Gjermanët, nga ana e tyre, përfituan nga prania në rajon për ndërtimin e hekurudhës Berlin-Bagdad, krijuan një konsorcium ndërkombëtar, Turkish Petroleum Company (TPC) që mori të drejtën e parablerjes mbi shfrytëzimin në rajonet e Portës së Lartë.

Lufta e Parë Botërore i përziu kartat. Humbja nxori jashtë loje Gjermaninë dhe vuri në dispozicion hapësira të mëdha pas fragmentimit të Perandorisë Otomane. Atëherë, Londra mori vendin e gjermanëve (në krah të francezëve) në TPC, duke bërë marrëveshje me Parisin për të shfrytëzuar së bashku naftën irakiane dhe duke mbajtur larg konkurrentët e frikshëm amerikanë.

Por, Washingtoni nuk rrinte e vështronte. Deri në fillimet e 1900-ës, protagonistja e përtej oqeanit kishte qenë vetëm një, domethënë “Standard Oil” e John D. Rockerfeller që kontrollonte 70 për qind të tregut amerikan. Kur grupi, i akuzuar si monopolist, u shpërbë në vitin 1911 nga Gjykata e Lartë, lindën menjëherë 90 kompani të pavarura, disa prej të cilave më vonë u pagëzuan Exxon Mobil – kaq të mëdha sa të bëheshin pjesë e Shtatë Motrave. Në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, disa kompani amerikane arritën që të hyjnë në konsorciumin që nxirrte naftën irakiane. Dhe, ishin amerikanët të parët që shfrytëzuan naftën e Arabisë Saudite, Kuvajtit dhe Bahrejnit.

Përveç një politike bujare “komisionesh” që garantoheshin nga fuqitë lokale, amerikanët ditën të nxjerrin përfitime edhe prej pakënaqësive që arabët kishin ndaj Londrës. Në fakt, gjatë Luftës së Parë Botërore anglezët u kishin premtuar pavarësinë mbretërive të gadishullit arabik, në këmbim të mbështetjes së tyre kundër turqve (aleatë të gjermanëve). Por, pasi fituan në konflikt, arabët u gjendën të gjithë të nënshtruar ndaj mandateve apo protektorateve. Në këtë kontekst, mes dy luftërave botërore, konsorciumet e mëdhenj ndërkombëtarë të naftës patën epokën e tyre të artë. Ndërsa, prodhuesit merrnin një pjesë shumë të vogël të fitimeve kolosalë. Për shembull, në vitin 1934 një kompani amerikane aktive në Arabinë Saudite i jepte mbretit Ibn Saud vetëm një dollar për çdo ton naftë të nxjerrë. Për të lehtësuar biznesin ndihmoi edhe feja e sovranit (vehabizmi, një lëvizje reformuese në brendësi të Islamit), që e shtyu në një moment të parë që të interesohej shumë pak për çështjet e naftës.

Ari i zi, një lloj mirazhi për aventurierët perëndimorë, shihej në fakt me një farë mosbesimi prej fuqive lokale. Por, borxhet e akumuluar nga Mbretëria saudite e shtyn shumë shpejt sovranin që ta shihte me një sy tjetër detin e naftës poshtë rërës së mbretërisë së tij.

Mes viteve 1930 dhe 1950, prodhimi u shumëfishua me 400, ndërkohë që të ardhurat nga nafta për mbretërinë u ndalën në 18 për qind. Më në fund, Ibn Saud, i vetëdijshëm për disponueshmërinë e jashtëzakonshme, vendosi që të përcaktojë të ardhurat nga ari i zi në një dysheme prej 50 për qind. Ishte fillimi i viteve ’50 dhe shumë shpejt do të vendoseshin edhe taksat e para mbi prodhimin.

Pavarësisht këtyre përshtatjeve, nafta e Lindjes së Mesme vijonte të ishte një biznes shumë fitimprurës, mbi të gjitha për drejtuesit e lartë të kompanive minerare të kërkimit, nxjerrjes, transportit dhe përpunimit. Ata që pasuroheshin ishin negociatorët e mëdhenj, biznesmenët ndërkombëtarë vizionarë që bënin ndërmjetësit mes kompanive, qeverive, emirëve, sheikëve dhe funksionarëve. Për shembull, inxhinieri me origjinë armene, Calouste Gulbenkian, i lindur në Stamboll, me nofkën Mister 5-përqindëshi (vendoste këtë përqindje mbi të gjithë ndërmjetësimet që kryente), do të akumulonte një pasuri legjendare. Gulbenkiam promovoi në Londër afrimin e kompanisë angleze të naftës Shell, me holandezen Royal Dutch. Në vitin 1912 themeloi Turkish Petroleum Company për shfrytëzimin e naftës përreth Mosulit (Irak). Pasuria e tij e pallogaritshme do t’i lejonte të kënaqte dy pasionet e tij: veprat e artit dhe gratë e reja e të bukura. Miqve që i ankoheshin se nuk u kish treguar koleksionet e tij, u përgjigjej: “Mos duhet t’u tregoj të huajve gratë e haremit tim?”

Me Luftën e Dytë Botërore, situata ndryshoi sërish. Nafta ishte tashmë e domosdoshme – në luftë dhe në paqe. SHBA u vetëdijesuan se duheshin përmirësuar marrëdhëniet me vendet e Lindjes së Mesme, për të garantuar prurjen e arit të zi. Lindi kështu Pakti i Quincyt nga emri i kryqëzorit, në bordin e të cilit në vitin 1945 presidenti Roosevelt dhe mbreti i Arabisë Saudite, Ibn Saud, firmosën një “marrëveshje nafte”. Nga njëra anë, sauditët u angazhuan për të furnizuar Washingtonin me naftën që kishte nevojë, e nga ana tjetër amerikanët premtonin mbrojtje ushtarake për Mbretërinë, rezervat e të cilëve kishin hapur oreksin e fqinjëve. Për më tepër, në fillimin e Luftës së Ftohtë, amerikanët mund të përdornin “shpatën e islamit” kundër tundimeve komuniste të Lindjes së Mesme. Një aleancë kaq e kënaqshme është ende në fuqi, pavarësisht trazirave në marrëdhëniet mes sauditëve dhe amerikanëve.

Rezervat saudite duken vërtetë të pashterueshme. Afro 100 kilometra larg qytetit të Dhahranit gjendet vendburimi më i madh në botë: Ghavari. Ka dimensione kolosalë: një shtrirje 280 kilometra gjatësi dhe 30 kilometra gjerësi. I zbuluar më 1948, ka hyrë në funksion më 1951 e është ende burimi më i madh i naftës. Nxirren pesë milionë fuçi në ditë, më shumë se gjashtë për qind e prodhimit planetar. Menaxhuar nga kolosët e Saudi Aramco, nga vitet 1951-2000, puset kanë prodhuar 60 miliardë fuçi që kanë furnizuar Amerikën. Nafta ka mundësuar kështu zhvillimin e ekonomive perëndimore dhe në të njëjtën kohë ka siguruar pasurimin e vendeve prodhues. Por, me vetëdijesimin për pushtetin e tij, në dekadat e fundit, duke filluar që nga vitet 1970, do të transformohej edhe në një armë gjeopolitike që shtetet e Lindjes së Mesme nuk përtojnë asnjëherë që ta përdorin. /HIstory Network/bota.al/