LAJMI I FUNDIT:

Shala: Kuvendin s`po e udhëheq Adem Mikullovci, por Vetëvendosja

Shala: Kuvendin s`po e udhëheq Adem Mikullovci, por Vetëvendosja
-->

Të hënën pritet të mbahet vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, por akoma nuk dihet nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma, do të merr pjesë.

Kryesuesi i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci po del të jetë shkaktar i mos konsolidimit të Kuvendit të Kosovës.

Haxhi Shala, deputet i Nismës për Kosovës ka thënë për Indeksonline se Mikullovci po udhëheqë në bazë të logjikës së Vetëvendosjes, andaj PAN-i nuk vepron në bazë të “tekeve” të VV-së.

Sipas tij, po t`i respektonte Mikullovci rregullat dhe të konsultohej me partitë për seancë, konstituimi do të përfundonte kaherë.

Ai ka komentuar deklarimet e LDK-së dhe Vetëvendosjes, sipas të cilëve PAN-i nuk i ka numrat për Qeverinë, andaj po i refuzon seancat.

“Nëse kryesuesi i seancës konsultohet me partitë politike, këto seanca të konstituimit të Parlamentit ishin harruar deri tash. Por, ai është duke udhëheqë me logjikën e Vetëvendosjes ‘ne bëjmë çka të duam` dhe kjo është arsyeja e mos konsolidimit të Parlamentit”.

“Ato janë deklarime të opozitës dhe të deputetëve. Mendojnë që mos pjesëmarrja jonë ka mungesë të numrave, por unë i besoj liderëve tanë se numrat janë vetëm se duhet të respektohen rregullat e thirrjes së një seance, sepse ne nuk mund të veprojmë në bazë të tekeve të Vetëvendosjes”, është shprehur Shala.

Ai mos konsultimin e Mikullovcit me partitë politike e ka quajtur “lojë të Vetëvendosjes”. Derisa, Shala ka insistuar se kryesuesi duhet të konsultohet me partitë meqë kështu e kërkojnë rregullat.

“Ende nuk kemi marrë vendim se a do marrim pjesë në seancë apo jo. Jemi duke e analizuar dhe kryesuesi duhet të konsultohet me partitë politike para se të merr vendim për seancë. Kjo është arsyeja pse ai po vetëvendos. Këto janë lojna të Vetëvendosjes, sepse nuk po i bën vet Adem Mikullovci”, ka thënë ai, për Indeksonline.

Tutje, Shala ka deklaruar se vendimi për pjesëmarrje në ditën e hënë do të merret në bashkëpunim me partitë në koalicion.