LAJMI I FUNDIT:

Ngritja e Macronit

Ngritja e Macronit

Këtë herë, sondazhet kishin të drejtë: dy kandidatët e preferuar – Macron dhe Marine Le Pen e Frontit Kombëtar – përparuan në raundin e dytë të 7 majit. Ankthi që përkufizoi javët, ditët dhe orët përpara zgjedhjeve prej frikës se Franca do të zgjohej me një raund të dytë ku duhej të zgjidhnin mes ekstremistes së djathtë Le Pen dhe kandidatit të majtë Jean-Luc Melenchon.

Shumë vëzhgues e shohin Francën si të pambrojtur ekonomikisht, politikisht dhe nga aspekti social – edhe më shumë se Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara apo Gjermania – përpara një zgjedhje të tillë. Pas referendumit Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, sigurisht që ishte radha e Le Penit të kapte mundësinë. Disa prej nesh bënë një farë shakaje duke thënë se nëse Le Pen fiton do të largoheshim nga vendi. Mes një Mbretërie të Bashkuar që po largohet nga Bashkimi Evropian dhe një SHBA-je nën Trumpin, ka pak mundësi të mira.


Fatmirësisht, logjika dhe shpresa mbizotëruan ndaj zemërimit dhe frikës dhe shtetasit francezë i mundën ata që paralajmëruan se populizmi mund të triumfojë në tokën e Revolucionit Francez. Ndërsa, një fitore e Le Penit është teknikisht e mundur, përbërja e elektoratit francez e bën shumë të pagjasë. Shumë pak votues majtistë të Melenchonit do të kalojnë në ekstremin e djathtë. Dhe, ndërsa disa nga mbështetësit e kandidatit të qendrës së djathtë François Fillon mund të votojnë tani për Le Penin, nuk do të mjaftojë për ta kaluar atë në avantazh.

Me fjalë të tjera, përjashtimi francez është shëndoshë e mirë. Elektorati kontradiktor i Francës i ka treguar botës -veçanërisht asaj anglo-saksone – se një nevojë nuk do të tradhtojë vlerat e nevojshme për të mundur populizmin. Pavarësisht një vale të fundit sulmesh terroriste, francezët kanë treguar maturi përpara politikës së frikës. Edhe me euroskepticizmin në rritje, kandidati pro-evropian, Macron, merr më shumë vota se kushdo tjetër.

Rrethana të jashtëzakonshme fuqizojnë personazhe të jashtëzakonshme. Pa Revolucionin Francez, Napoleon Bonaparte do të kishte mbetur një oficer i ri në Ushtrinë Mbretërore Franceze. Po ashtu, nëse dy partitë kryesore të Francës nuk do të kishin rënë, Macroni 39-vjeçar, i cili ishte i panjohur për shumicën e votuesve francezë një vit më parë, ende mund të jetë një ‘magjistar’ për ekonominë.

Macron duket si një John F. Kennedy francez dhe ai bëri fushatë sipas metodës së Barack Obamas. Por, ai arriti aty ku është tani, sepse Partia Socialiste e François Mitterrandin ka vdekur dhe konservatorët Les Républicains janë në qendër të sulmit. Socialistët, nga ana e tyre, nuk ia dolën të krijojnë një agjendë politike moderne. Dhe, republikanët dështuan të nxjerrin një kandidat tjetër pasi Fillon u nxi nga skandali.

Si rezultat, Franca, pavarësisht reputacionit për melankoli, vetëdyshim dhe pesimizëm është gati të zgjedh presidentin e vet më të ri në histori. Në këtë pikë, megjithatë, Macroni do të përballet me një grup të ri sfidash, duke filluar me zgjedhjet legjislative të planifikuara për në qershor. A do të përfundojë Macroni duke qeverisur një shumicë në Asamblenë Kombëtare apo e djathta do t’i ngjajë një fronti të bashkuar dhe do ta detyrojë atë pëër një praktikë unike franceze të bashkëjetesës?

Në sistemin gjysmë-presidencial të Francës, bashkëjetesa nënkupton se dega e Ekzekutivit mund të paralizohet nëse presidenti dhe kryeministri vijnë nga fraksione të ndryshme politike. Por, Macroni do të provojë se ai mund të zbatojë një model të koalicionit të shumicës pasuar nga sisteme parlamentare, me një aleancë të vullnetit, përbërë nga ndjeshmëri të ndryshme politike, që ndjekin një synim të përbashkët.

Sipas meje, Franca është gati për një qeveri koalicioni që mund të tejkalojë linjat politike majtas-djathtas, gjithnjë e më anakronike. Përçarja e vërtetë politike në Francë, ashtu si në pjesën më të madhe të perëndimit, është tani mes atyre që mbrojnë hapjen globale dhe atyre që favorizojnë izolimin nacionalist.

Macroni do të duhet të pranojë rrënjën kulturore të përçarjeve tradicionale majtas-djathtas, ndërsa gjithashtu adreson zemërimin e thellë revolucionar që ekziston tani në Francë. Pavarësisht fuqisë së Macronit në raundin e parë, rreth 40 për qind e elektoratit francez votuan për euroskeptikët Le Pen dhe Melenchon. Kthimi i besimit të votuesve në institucionet ekzistuese dhe riintegrimi i tyre në rrymën politike tradicionale, nuk do të jetë i lehtë. Partitë e mundura do të përpiqen të dalin në rrugë dhe të bllokojnë përpjekjet për reformë. Dështimin në zgjedhje, ata mundet ta shfryjnë në metodën revolucionare franceze të “barrikadave”.

Macroni ka treguar cilësitë e veta si kandidat. Pas 7 majit, ai do të duhet të provojë se pavarësisht moshës së re dhe mungesës së eksperiencës, ai mund të bëhet një president i madh. Fitimi i pushtetit është një gjë; por, nga ana tjetër ka rëndësi ushtrimi me efektivitet i tij ndërsa shmangen tendencat autoritare që mund të shfaqen në rrethana të jashtëzakonshme.

Kjo është detyra me të cilën përballet Macron. I nxitur nga një ndjesi fati, ai duhet t’i rezistojë tundimeve të Bonapartizmit. Ndërkohë, bota demokratike duhet ta shohë Macron për atë që është: një fener shprese në një det dyshimi dhe dëshpërimi. /Project Syndicate/reporter.al/