LAJMI I FUNDIT:

Kur ndërhyrjet sistematike përkthehen si mbështetje

Kur ndërhyrjet sistematike përkthehen si mbështetje

Jonuz Salihaj

Në Prishtinë, të ënjtën, më 1 dhjetor 2016, u mbajt konferenca me titull “Zhvillimi i sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë-qasjet sistematike dhe institucionale”


Vet formulimi i titullit tingëllon disi çuditshëm, “zhvillimi i sigurimit të cilësisë”, demek cilësia qenka siguruar, tani vetëm duhet zhvilluar.

Ministri Arsim Bajrami, si zakonisht shpalosi vetë prioritetet në emër të një agjencioni të pavarur i cili do të duhej t’i përcaktoj vetë ato.

Ai në fjalimin e vetë u angazhua për krijimin e universiteteve:

• të forta dhe kredibile,

• profilizimin e tyre, dhe

• zhvillimin e sektorit privat të arsimit të lartë.

Sa i përket prioritetit të parë, krijimit të universiteteve të forta dhe kredibile, si pasojë e keq menaxhimit dhe ndërhyrjeve të vrazhda të Qeverisë së Kosovës në autonominë e këtyre institucioneve, vendi për çdo vit po largohet nga ky synim.

Kosova me më pak se dy milionë banorë, përveç Universitetit “Hasan Prishtina”, ka themeluar edhe gjashtë universitete tjera publike, të gjitha në kohen e fushatave elektorale. Ky ka qenë qëllimi kyç i kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçit për sigurimin e votave të të rinjve të Kosovës. Kur njëri nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, i cili vinte nga partia e tij reagoi, duke pohuar se nuk kemi kuadro për themelimin e kaq shumë universiteteve, ai iu përgjigj se dikush kurdo ka me i hap, prandaj më mirë është që këtë punë ta kryejë unë, gjoksi i cili është mësuar me marr vetëm vendime historike, do të pohonin simpatizuesit e tij .

Ishte taksirat që u zgjodh president, pasi projekti i tij për “Universitetin e Podujevës” dështoi.

Tash, aktuale janë zgjedhjet lokale në Drenas, ku ka zbarkuar i tërë kabineti qeveritar. Nuk kishte qenë keq që edhe z. Bajrami i cili po ashtu është pjesë e këtij ekipi, të ju premtoj hapjen e një universiteti të ri atje. Bile kishte qenë atraktive që ky universitet të fillojë me studime të statistikës, si disiplinë e veçantë për regjionin e Drenicës, ku gjithnjë votojnë më shumë se 100 për qind e banorëve. Kjo do të zgjonte kërshërinë e tërë opinionit të gjerë publik dhe rezultatet do të futeshin në librin e Ginisit.

Qeveria e Kosovës duke shkel në mënyrë paskrupullt dispozitat e Ligjit për Arsimin e Lartë ka licencuar Universitetin e Prizrenit, pa kurrfarë vendimi të Agjencionit për Akreditim dhe pa e ratifikuar vendimin për themelimin e tij në Parlamentin e Kosovës. Kjo nuk ishte fare e rëndësishme, pasi prioritet në atë kohë ishte akomodimi i këshilltarëve të ish ministrit Enver Hoxhaj në universitetin e sapo themeluar.

A ka fare kuptim tani të flitet për cilësinë në universitetet tjera publike, kur opinioni është i njoftuar me ndërhyrjet flagrante politike në universitetin më të madh të vendit, Universitetin “Hasan Prishtina”, e mos të flasim për ndërhyrjet e përditshme që ndodhin në Gjakovë, Gjilan Mitrovicë, Pejë apo Ferizaj.

Ky partizim i skajshëm i institucioneve të arsimit të lartë ka bërë që cilësia e tyre të bie për çdo vit. Po t’i referohemi rangimit të universiteteve sipas webometrics, Universiteti i Prishtinës ka rënë për 18 vende në ranglistën botërore të universiteteve, nga janari deri në korrik të vitit 2016. Tabela në vazhdim e konfirmon këtë:

up

Prioriteti tjetër, profilizimi i institucioneve të arsimit të lartë, përkundër strategjive të hartuara asnjëherë nuk është realizuar. Po të studiohet struktura e institucioneve të arsimit të lartë, do të konstatohet s’përputhje totale me tregun e punës.

Po të krahasohet numri i studentëve aktiv në Universitetin “Hasan Prishtina” për vitin akademik 2015/2016, do të konstatojmë se nga gjithsej 40,383 studentë, 15,069 apo 37.3 për qind ndjekin studimet në shkencat ekonomike dhe juridike, vetëm 1,637, apo katër për qind e tyre studiojnë shkencat bujqësore, kurse në shkencat teknike mësimet i ndjekin vetëm 12.7 për qind .

Në Universitetin Publik të Gjilanit kjo shpërputhje është edhe më e madhe: nga gjithsej 4,422 student aktivë, 1,738 apo 40 për qind e tyre studimet i ndjekin në shkencat ekonomike dhe juridike.

Po të analizohet numri i studentëve të diplomuar, kjo shpërputhje thellohet edhe më shumë. Në vitin akademik 2014/2015 në Universitetin e Prishtinës kanë diplomuar 4,981 student. Prej tyre: 39.5 për qind apo 1,968 student në profilet juridike dhe ekonomike,

• vetëm dy për qind apo 100 student në profilet bujqësore, dhe

• vetëm 10 për qind apo 499 prej tyre, në shkencat teknike.

Statistikat tregojnë një dominim absolut të profileve ekonomike dhe juridike për të cilat Kosova nuk ka nevojë, kurse mungojnë kuadrot në lëmenjtë si bujqësia, veterinaria dhe përpunimi i ushqimit apo shkencat teknike për të cilat vendi ka resurse të mëdha.

Prioriteti i tretë për të cilin ministri Bajrami u angazhua në këtë konferencë, ka të bëjë me zhvillimin e sektorit privat të arsimit të lartë. Kosova është lider absolut për numrin e këtyre institucioneve në regjion dhe më gjerë. Në këtë Kosovë të vogël veprojnë 31 institucione private të arsimit të lartë, cilësia e të cilave është krejtësisht e dyshimtë.

Agjencioni i Akreditimit është mjaftuar me akreditimin e programeve të këtyre institucioneve, shumica e të cilave janë kopje e thjeshtë e programeve të institucioneve publike dhe asnjëherë nuk është marrë me mënyrën e realizimit të këtyre programeve në praktikë.

Licencimi i këtyre institucioneve është bërë pa përmbushjen e kritereve bazë, sepse shumica e tyre e zhvillojnë veprimtarinë në ndërtesa të adaptuara dhe pa hapësira standarde për mësim. Një numër i konsideruar i tyre mbijetojnë pasi kanë siguruar strehë për gratë e ministrave, të cilat pa asnjë kriter kanë marrë grada shkencore.

Kur dihet numri prej 39151 i studentëve që ndjekin mësimet në këto institucione, është koha e fundit që të filloj një proces i ri licencimit dhe i ri akreditimit të këtyre kolegjeve bazuar në standardet e cilësisë, në mënyrë që të mos pësojnë studentët pa fajin e tyre duke u pajisur me diploma që nuk iu garantojnë kurrfarë të ardhme për ndonjë karrierë të suksesshme.