LAJMI I FUNDIT:

Kur bllokohesh në Golesh e Tarabosh: Të gjithë jetojnë në “Amerikë”, shqiptarët jetojnë këndej dhe andej!

Kur bllokohesh në Golesh e Tarabosh: Të gjithë jetojnë në “Amerikë”, shqiptarët jetojnë këndej dhe andej!

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, u përhap fjala se disa antena të gjata i kapnin valët e Shqipërisë. Kjo antenë ishte produkti i parë “bestseller” në Kosovë. Përmes saj, kush kishte guxim shihte emisionet e RTSH-së, ku gjithçka dukej e “bukur e gjeniale”. Filmat e Shqipërisë ishin “më të mirët në botë” e fëmijët e tyre “më të mençurit”. Sepse, që në moshë të vogël ata dinin të flisnin “me gramatikë”!

Pas vitit 1972 – pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe – disa në Kosovë nisën papritmas ta ndryshojnë mënyrën e të folurit. Fjala është për një shtresë kryesisht mediokre, që përmes gjuhës së njësuar, asaj “me gramatikë”, donin të dukeshin më të ngritur! Madje-madje, kjo “gjuhë” ishte mjet që të tingëllonin zgjuar e të përfitonin edhe poste, sepse masat – që flisnin “katundarçe” – kur s’i kuptonin i perceptonin si të tillë!


Pa hyrë në detaje se a u bë padrejtësi ndaj dialektit gegë, gjuha e njësuar kishte rëndësi të madhe për të ruajtur unitetin e shqiptarëve të shpërndarë në Ballkan e gjetiu. Në anën tjetër, në shumë shtete të botës gjuha e njësuar përdoret edhe për të zgjeruar tregun e librave apo të revistave. Pra, te ne ishte politikë “atdhedashurie” e diku tjetër edhe “biznes”!

Por, si shprehet më së miri (atdhe)dashuria?

Si mysafir në oborrin e Frederickut të Madh të Prusisë, teksa një gjerman mburrej me bukurinë e gjuhës së popullit të tij, iluministi Voltaire i thotë se ajo gjuhë ia fuste frikën sa herë që e dëgjonte.

“Besoj se kur Zoti i dëboi nga parajsa tokësore paraardhësit tanë, Adamin dhe Evën, u ka folur gjermanisht”, ka thënë Voltaire.

“Mund të jetë ashtu”, reagoi mbreti prus, “por gjarpri që gënjeu Evën, padyshim se foli frëngjisht”!

Sot anglishtja është gjuhë dominuese në botë, ndërsa produktet amerikane modelojnë kohët moderne. Kur SHBA-të nisën seriozisht të merren me shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, këtë fillimisht e bënë duke e futur Pepsi-n në këtë shtet. Amerikanizimi u bë fenomen global që akulturoi edhe shoqëritë më të izoluara. Kështu, sot “të gjithë ne jetojmë në Amerikë” – thotë me ironi grupi gjerman Rammstein.

Por, Rammstein po e thyen mitin se anglishtja është mjeti kryesor i komunikimit dhe i suksesit masiv. Ky grup, me “muzikë të ashpër”, me tekste të inspiruara nga Goethe dhe paraqitje skenike nga Brechti, estetikën gjermane po e përhap sërish në botë – madje përmes “gjuhës më të frikshme”!

Rammstein janë inspiruar nga grupi slloven Laibach, që në Jugosllavinë komuniste haptas i kishte shprehur preferencat për kulturën “e ndaluar” gjermane. Në kohën kur u formuan Laibach, jugosllavët i bllokuan valët e Shqipërisë përmes Majës së Goleshit, e përmes Majës së Taraboshit më parë Shqipëria i bllokoi valët e Jugosllavisë. Shqiptarët e Kosovës ëndërronin ta shihnin RTSH-në, e ata të Shqipërisë ëndërronin të shihnin TV Titogradin (Podgoricën) dhe TV Skopjen (Shkupin) – të cilat televizione ende i kujtojnë me nostalgji. Fatkeqësisht, këto preferenca vazhdojnë të kontribuojnë në ndarjet “ne dhe ata”, “sa mirë (keq) ka qenë me Titon”, “sa mirë (keq) ka qenë me Enverin” e “sa mirë (keq) që nuk jemi bashkë”!

Në debatet e kota për preferencat e shëmtuara nga kohët e shëmtuara, shqiptarët nuk kuptohen edhe kur shkruajnë me standardin e 1972-tës. Sepse, siç do të thoshte sociologu gjerman Niklas Luhmann: jetojnë në iluzionin e komunikimit, sepse secila anë krijon realitetin e vet!

Sidoqoftë, derisa në kohën e ish-Jugosllavisë, Laibach me sllovenishte “bajate” krijonte standard të ri në muzikën botërore, disa muzikantë në Kosovë thoshin se shqipja ishte barrierë për suksesin e tyre të “padiskutueshëm” në Perëndim. Sepse, “talenti dhe kreativiteti assesi nuk u mungonte”! Kështu disa mendojnë edhe sot. E, në Shqipëri për gjithçka ia lënë fajin Enverit dhe komunizmit.

Por, gjuha kurrë nuk ka qenë barrierë për sukses. As komunizmi. Anëtarët e grupit Rammstein, që të gjithë kanë lindur dhe kanë kaluar rininë në Gjermaninë komuniste Lindore. Ndërsa, flasin “frikshëm”! Barrierë janë injoranca dhe mediokriteti që kanë pllakosur Kosovën e Shqipërinë, për çka banorët e të dy vendeve duan të ikin e të shkojnë në… “Amerikë”, të flasin mbase anglisht, pasi sipas teorisë Sapir-Whorf, gjuha i përcakton mendimet! Ndoshta atëherë do të merren vesh e të zbresin nga majat e Goleshit dhe Taraboshit! Sepse, bllokimi më i madh në komunikim ndodhë në mendje e jo “zhurmues”.

Por, në këngën “Amerika”, në pjesët e kënduara anglisht, Rammstein thonë: “Kjo nuk është këngë dashurie, se nuk po këndoj me gjuhën e nënës”!

E pra, ku mbeti (atdhe)dashuria dhe në cilën gjuhë shprehet ajo?

Në trend

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës

Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës

Ekonomi
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri

John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri

Premier League
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?

Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?

Botë
Kalo në kategori