LAJMI I FUNDIT:

Festa e Bajramit në fëmijërinë time

Festa e Bajramit në fëmijërinë time

Kohëve të fundit, Bajrami për mua nuk është vetëm festë dhe vetëm fetare. Ai, si gjithmonë, vjen dy herë në vit për të ma kujtuar fëmijërinë. Atëherë, në mesin e fëmijëve të lagjes sime, nuk kishte festë më të madhe.

Dikur, për shkak të zhvillimit të teknologjisë, kryesisht pas ardhjes së televizorit, Viti i Ri ia mori anën Bajramit. Ekzistonin edhe festa tjera, si p.sh. 1 dhe 25 Maji, 29 Nëntori e disa festa tjera të kësaj natyre, por ato nuk ishin për shtëpi, familje, farefis e shokë. Ishin të shtetit dhe festoheshin në shkollë, në rrugë ose nëpër fusha e male. Dhe, si të tilla, pasi që nuk sillnin atmosferë në shtëpi e familje, nuk i bënim shumë hesap. Prandaj, kurrë nuk ia uronim njeri tjetrit këto festa dhe nuk kishim zhvilluar ndonjë ndjenjë për to.


Festa e Bajramit sillte një ‘elektrizim’ te ne fëmijët, pasi që jeta jonë gjatë dy-tri ditëve ndryshonte shumë për të mirë. Prindërit na blinin tesha të reja, kurse sofra pasurohej në mënyrë tejet lakmuese. I veshja rrobat më të mira që kisha dhe kjo gjë më ka mbetur shprehi të cilën e praktikoj edhe sot.

Ushqimet tona të preferuara, siç ishte mishi dhe ëmbëlsirat, të cilat i hanim rrallë, gjatë Bajramit ngopeshim me to. Edhe sot i shoh lëvizjet e babës që i bënte një ditë para Bajramit. Shkonte e vinte disa herë nga dyqanet dhe pazari për të sjell në shtëpi gjërat që nëna do t’i gatuante të nesërmen, por disa edhe atë ditë. Në të dy duart baba mbante ato shportat në formë rrjete të endura nga fijet e plastikës të cilat i quanim ‘mrezha’. Shtëpia mbushej edhe me aroma të gjellëve të shijshme. Një atmosferë gëzimi e kaplonte shtëpinë tonë, lagjen dhe tërë qytetin.

Atë ditë unë shkoja te berberi për t’i qethur flokët se herëve tjera këtë punë e bënte baba im. E shtronte një çarçaf në mes të dhomës dhe, përkundër dëshirës sime, më ulte në një nga sandalitë që rrinin nën një tavolinë të vjetër, anash ‘kredenacit’. Pastaj i merrte një palë gërshërë, të vetmet që kishim në shtëpi, me të cilat bëheshin të gjitha prerjet tjera në stof, letër apo penj të ndryshëm dhe me to i hynte sipërfaqes së kokës sime pa ndonjë zanat e as përkushtim. Me kokë ulur dhe zemër të thyer e shikoja rënien e duqave të flokëve mbi trup e prehër dhe e paramendoja veten se si do të dukem në pasqyrë. Kur dëgjoja fjalët e tij, ‘eh tash je mirë’, e dija se qethja kishte përfunduar. Nuk bëhesha shumë merak pasi që edhe fëmijët tjerë, moshatarë të mi, i nënshtroheshin kësaj qethjeje si unë. Në fund të fundit, të gjithë dukeshim njësoj edhe pse mundoheshim ta shpotisnim njëri-tjetrin se cili përngjante më shumë se tjetri në dele apo dhi të qethura në pranverë.

Berberi e mbante veten për turk dhe me këtë gjuhë fliste me tre a katër vizitorët e tij të përditshëm. Kur hynte ndonjë malësor me pamje të egër, nga ata me plis dhe të parruar me javë e të paqethur me muaj, ata qoheshin në këmbë për t’i bërë vend në një bankë ku uleshin vazhdimisht, dhe njëkohësisht, e ndërronin gjuhën dhe ia krisnin muhabetit shqip. Kur më vinte mua radha, berberi nuk më pyeste fare për mënyrën e qethjes. Dihej stili: ‘tarzanski’. Një çirak i tij ma vendoste në qafë një lloj ‘postave’ të bardhë, derisa berberi i vringëllonte gërshërët në ajër. Më mbusheshin sytë me lot nga flokët që mi shkulte me gërshërët e topitura. Ama, për të më qethur, më qethte mirë. Në fund, berberi ma jepte një shuplakë në qafë dhe në shenjë të përfundimit të punës së tij thoshte: ‘me shnet’. Ngritesha në këmbë, dhe derisa çiraku m’i shkundte qimet nga qafa e trupi me një fshesë të vogël, por të vrazhdë, e shikoja vetën në pasqyrë dhe dilja jashtë i gëzuar.

Bajramit nuk i gëzohesha vetëm pse qethesha te berberi. Një gëzim tjetër ishin paratë që i merrnim nga të moshuarit, të cilëve ua uronim këtë festë. Në një mënyrë ne e dinim se kush dhe sa para do të na jepte, pasi që ‘xhymertësinë’ e tyre e mbanim mend nga Bajrami i kaluar. Paratë që merrnim ishin metelikë që ne u thoshim ‘banka’. Bankënotat kishin vlerë të madhe dhe nuk na jepte kush nga to. Merrnin nga pesë apo sy banka që në realitet ishin 50 apo 20 dinarë. Dikush na jepte edhe metelikë të bardhë që ishin para (njësi më e vogël se dinari) dhe nuk kishin ndonjë vlerë. Me pesëbanka apo 50 dinarë te ‘Gorani’ i lagjes sonë mund të blihej një akullore.

Pas dite, kur më nuk vinin mysafir dhe kur shterej mundësia e marrjes së parave, ne fëmijët mblidheshim te ura e lagjes ku vinte rruga kryesore nga qendra e qytetit. Aty, në cep të qytetit përfundonte kalldrëmi dhe matanë urës fillonte një rrugë makadami. Te parmakët e urës e nxirrnin thesarin nga xhepat dhe ia tregonim vlerën njëri-tjetrit. Disa edhe luanin lojën ‘turra-jaz’ dhe varësisht nga fati e shtonin apo edhe zvogëlonin shumën e parave që kishin para lojës. Atë ditë ia uronim Bajramin njëri-tjetrit dhe shfrytëzonim rastin që të pajtoheshim edhe me ata që ishim hidhëruar për ndonjë arsye. Bëheshim shokë edhe me ata që i kishim ‘tullusuma’.

Terri dhe uria na detyronte të ktheheshim në shtëpi. Për darkë, por shpesh edhe për të nesërmen, hanim ushqimin që kishte tepruar nga Dreka e Bajramit. Nuk kishte dert se edhe mbetja ishte e mirë. Pas darke, kur shkoja për të fjetur, i shikoja rrobat e reja dhe i numëroja paratë edhe një herë. Nga disa herë i merrja nëpër dorë metelikët duke e kujtuar se kush ishte ai që ma kishte dhënë këtë apo atë ‘bankë’. Në heshtje, para gjumit, mundohesha ta gjeja arsyen pse të gjitha ditët nuk ishin si Dita e Bajramit? Pse nuk hanim ushqim të mirë, pse nuk kishim para dhe gëzim çdo ditë, sikur për Ditën e Bajramit?

Lagja ime dhe njerëzit e saj, nga atëherë, kanë pësuar shumë ndryshime. Shpresoj që ndjenjën e gëzimit ta kenë ruajtur së paku për këto dy-tri ditë.