LAJMI I FUNDIT:

Zyrtarë dhe ekspertë mendojnë ndryshe rreth privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore

Zyrtarë dhe ekspertë mendojnë ndryshe rreth privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit paralajmëron që gjatë vitit të ardhshëm do të shtrijë edhe më tutje procesin e privatizimit tek ndërmarrjet shoqërore nëpër vendbanimet me shumicë serbe. Ekspertët e ekonomisë ndërkohë, tërheqin vërejtjen për probleme që do të shoqërojnë këtë proces, shkaku i kompetencave të gjera të komunave përkatëse dhe lidhjeve të tyre me Beogradin, që parashihet me planin Ahtisari.

Janë rreth 50 ndërmarrje nëpër enklava dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit në rrathët e fundit ka tenderuar disa sosh, ndërkaq të tjerat parashihet të tenderohen gjatë vitit të ardhshëm, siç është rasti me kompleksin Brezovica. Mirëpo ekspertët adresojnë kritika edhe për këtë aspekt të privatizimit.
Isa Mulaj, ekspert i ekonomisë, thotë se dështimi është vënë re pikërisht sa i përket ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special dhe në enklava.

Ai vë në pah se legjislacioni në fuqi dhe Kushtetuta e Kosovës i nënshtrohen planit të Ahtisarit, dhe sipas kapitullit mbi decentralizimin, komunat serbe do të vetadministrohen, njëherësh do të kenë lidhje horizontale ndërmjet tyre dhe lidhje vertikale me Beogradin.
“Derisa në njërën anë themi se AKP-ja e ka juridiksionin për privatizimin e çdo ndërmarrje që gjendet në territorin e Kosovës, në anën tjetër nuk duhet të harrojmë se në territorin e Kosovës ka ndikim edhe Beogradi, sepse legjislacioni tjetër, respektivisht Plani i Ahtisarit që qëndron mbi Kushtetutën e Kosovës dhe mbi rregulloret e privatizimit, ia ofron këtë mundësi Serbisë”, thotë eksperti i ekonomisë, Isa Mulaj.
Por Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Shkumbin Bicaj, thotë se vetëm AKP-ja ka kompetenca të plota për të bërë privatizimin e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë, dhe nuk ka nevojë të pyesë dhe as të konsultojë ndonjë shtet tjetër.
Nga rreth 600 ndërmarrje shoqërore sa janë në Kosovë, deri tani janë privatizuar pjesërisht ose tërësisht 251 sosh, fondi i privatizimit i krijuar nga 80 përqindëshi i vlerës së shitjes ka arritur në rreth 420 milionë euro, kurse nga 20 përqindëshi i shitjes punëtorëve iu janë shpërndarë rreth 20 milionë euro.

Por problematike mbetet se objektet e rreth 150 ndërmarrjeve shoqërore janë të zëna nga institucione të ndryshme, UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i apo institucionet vendore.
Bicaj thotë se sa i përket procesit të privatizimit, ai parashihet të zhvillohet dhe të përfundojë deri në vitin 2011, kurse procesi i likuidimit do të zgjasë me vite. (rtk)