LAJMI I FUNDIT:

Zinku i Trepçës shitet pa lejen e AKP-së në veri

Zinku i Trepçës shitet pa lejen e AKP-së në veri

Pazar 40 milionë eurosh ka nisur menaxheri i Trepçës në veri, Jovan Dimkiq, me një investitor kinez për shitjen e mbetjeve të plumbit dhe zinkut. Ndonëse këto mbetje, apo siç quhen “skarje të metalurgjisë së plumbit dhe zinkut” i takojnë të gjitha minierave të Kosovës, e jo vetëm asaj në veri, Dimkiq tashmë ka shpallur tenderin për shitjen e xehes, duke anashkaluar kështu plotësisht Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Mbetjet e tilla në kompleksin metalurgjik në veri të Mitrovicës llogaritet se janë rreth 2.5 milionë tonë, përderisa çmimi i një toni sillet rreth 16 euro, apo rreth 40 milionë euro llogaritet vlera e përgjithshme e saj.

Pavarësisht se tenderi është shpallur pa lejen e AKP-së, interesimi i investitorit kinez me nënshtetësi britanike, Daniel Lee, nuk mungon. Ai është duke hulumtuar mundësi të ndryshme për të ardhur deri te blerja e mbetjeve të tilla metalike.

Burimet e sigurta të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se për blerjen e mbetjes metalurgjike, Lee ka kërkuar edhe ndihmën edhe të Odës Ekonomike Britanike në Kosovë, ku kreu i bordit të kësaj ode, Ray Power, është takuar me Dimkiqin, edhe pse ky i fundit është deklaruar se nuk i njeh institucionet e Kosovës.


Menaxheri i kompleksit metalurgjik të Trepçës në Stantërg, Ferat Shala, thotë se edhe më herët ka reaguar ndaj iniciativës së menaxherit në veri për shitjen e skarjeve metalurgjike të plumbit dhe zinkut, pasi që, sipas tij, vetëm veriu nuk mund ta udhëheqë këtë proces të shitjes, por edhe jugu, apo Agjencia Kosovare e Privatizimit. “Definitivisht këtë skarje nuk mund ta shesë menaxheri i Trepçës në veri, i cili ka 12 vjet nuk i raporton pasqyrat financiare te AKP-ja”, thekson Shala..

Edhe drejtori menaxhues i AKP-së, Shkelzen Lluka, konfirmon se menaxhmenti i “Trepçës” në veri, të premten, e kaluar e ka rishpallur tenderin për shitjen e mbetjeve metalurgjike, pa i ndjekur procedurat e rregullta ligjore dhe pa lejen e institucionit që ai e drejton.

Ai ka bërë të ditur se për këtë gjë i ka njoftuar instancat më të larta shtetërore të vendit dhe EULEX-in, mirëpo këta të fundit nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigje në këtë drejtim. Lluka thotë se përsëri do ta anulojnë tenderin e shpallur nga Dimkiq.

Ai sqaron se më herët ia ka dërguar një letër menaxherit të “Trepçës” në Veri, mirëpo ky i fundit ishte përgjigjur se nuk e njeh AKP-në dhe punon në bazë të Rezolutës 1244. “Para disa muajve ia kemi ndaluar subvencionet, pasi që nga lufta e deri më tani kanë marrë subvencione pa ndërprerë nga buxheti”, thekson Lluka.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, investitori kinez me nënshtetësi britanike Daniel Lee, ka kërkuar ndihmë edhe nga kreu i Bordit të Odës Ekonomike Britanike në Kosovës, Ray Power, për blerjen e xeheve të tilla, duke kërkuar madje edhe ndërmjetësimin e këtij të fundit. /Zëri/Telegrafi/