LAJMI I FUNDIT:

West Hami konfirmon interesimin për Beckham

West Hami konfirmon interesimin për Beckham

Njëri nga pronarët e West Ham United, David Sullivan, ka konfirmuar se ai do të dëshironte të nënshkruajë me David Beckham,

Ekipi ku aktivizohet edhe kosovari Valon Behrami është ende pa menaxher, dhe Avram Grant pritet gjatë javës së ardhshme të konfirmohet si pasues i trajnerit të shkarkuar Gianfranco Zola.

Por Sullivan, i cili bleu klubin vitin e kaluar së bashku me David Gold, tashmë është lidhur me transferim të emrave të mëdhenj si Thierry Henry dhe ka konfirmuar se ka dëshirë të sjellë edhe yllin e LA Galaxy, David Beckham, në vendlindjen e tij si huazim.

“Më pëlqen David Beckham. Ai është shumë i dashur në Londrën lindore dhe ende ka shtëpi jo larg nga fusha e stërvitjeve. Ai është nga Chingford, që është qendra jonë. Nëse Milani nuk e dëshiron atë në janar, unë do të dëshiroja ta kem. Ai është një profesionist”, ka thënë Sullivan.


Pronari i West Hamit po ashtu ka zbuluar se ai ka kërkuar nga Joe Cole të rikthehet te ish-klubi i tij, por mesfushori i Chelseat ka refuzuar. /Telegrafi/