LAJMI I FUNDIT:

“Wall Street Journal”: Rajoni është rigjallëruar

“Wall Street Journal”: Rajoni është rigjallëruar

Gazeta e njohur amerikane “Wal Street Journal” në një shkrim dedikuar ekonomive të Ballkanit, vëren se disa prej tyre si, Rumania dhe Bullgaria janë prekur rëndë nga kriza ndërkombëtare, por ka vende si Shqipëria, e cila ka vazhduar të mbajë një rritje ekonomike.

Por “Wall street” thekson se vendet që kanë një të përbashkët, janë vende me të varfra se ato të Evropës Perëndimore edhe pse ato kanë bërë hapa të mëdhenj për t’i arritur këto vende.

“Megjithëse Ballkani është kthyer në një magnet për investimet e huaja për shkak të krahut të lirë të punës dhe çmimit të ulët të tokës, sërish investimet e huaja në këtë rajon mbeten të ulta dhe larg niveleve rekord të vitit 2007”, shton gazeta.

“Në të vërtetë, Shqipëria krahasuar me një vit me parë, shënon rritje me 59% të investimeve të huaja direkte për gjysmën e parë të vitit 2009. Ndërkohë, të krahasuara me Malin e Zi, në këtë vend investimet e huaja direkte për periudhën janar-qershor 2009 shënuan një rritje me vetëm 7,8% krahasuar me një vit me parë”, shton “Wall Street”.


“Privatizimet, interesi për investimet në infrastrukturën e energjisë dhe turizmi, kanë ndihmuar në tërheqjen e investitorëve të huaj drejt vendeve të Ballkanit”, thotë Vladimir Gligorov, ekonomist në Institutin e Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike (WIIW).

“Megjithatë në Ballkan, ashtu si kudo, investimet në industri dhe shërbime kanë shteruar dhe kjo nuk ka të bëjë me mos tërheqjen e investitorëve, por me faktin që investitorët nuk po investojnë askund”, shton ai. Megjithatë, vëren gazeta, Ballkani tashmë është rigjallëruar për të tërhequr investimet e huaja direkte.