LAJMI I FUNDIT:

“Vishaku”

“Vishaku”
Ilustrim

Rrëfimi për Dem Osmanin ose “Mixhën” nga fshati Cerkolez për aksionin jugosllav të “vishakut” (kinse teprica e miellit që duhej ta dorëzonin shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore, e që në fakt ishte aksion i krijimit të zisë së bukës – v.j.) dhe për zbatimin e masave të përgjakshme për çarmatosjen e shqiptarëve, pat mbetur gjatë në heshtje të thellë, dhe vetëm pas shumë vjetësh nisën të dalin në dritë pak inserte të pasojave që kishte lënë ajo dhunë, që goditi shqiptarët me uri. Edhe me këtë aksion, pushtuesi serb kishte qëllim dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Dosjet e aksionit të “Vishakut”, Serbia i mban edhe sot me emër e mbiemër në arkivat e saj në Beograd.

Punë për një kilogram misër!


Për sa kohë zgjati aksioni i “vishakut”, po të gjente dikush të punonte diku me mëditje, ishte premi. Nuk kishte dallim mëditja e mjeshtrit apo punëtorit. Ata që gjenin punë ditore për një kilogram misër, e konsideronin vetën me fat. Gjatë gjithë asaj kohe, popullata shqiptare me ditë të tëra ka vuajtur nga uria. Secili prind ishte i lumtur kur siguronte një shujtë të varfër vetëm për fëmijë, e kjo ishte si ilaç për qetësi shpirtërore për të gjithë ata që kaluan ferrin pa vdekur nga uria. Askush asnjëherë nuk ka bërë ndonjëherë bilancin e pasojave që la pas aksioni i quajtur “Vishak” dhe numrin e të vdekurve nga uria gjatë asaj periudhe.

Pasi shqiptarëve ua morën edhe bagëtinë për mish, ushqimi i kafshëve mbeti nëpër mullarë dhe nëpër pleme. Shqiptarëve iu mor çdo gjë përpos ushqimit të kafshëve. Serbia nuk u la shqiptarëve as drithë për farë. Kështu, në vjeshtën dhe pranverën e vitit vijues pas “çlirimit!”, shumëkush nuk pati çka mbjell. Plani djallëzor serb ishte menduar kohë të gjatë për të goditur shqiptarët me masa sa më të rënda dhe me pasoja afatgjata, në mënyrë që ata të mos mund të mendojnë për çfarëdo mëkëmbje me vite, duke ua shuar çdo shpresë edhe për të mbjella, në mënyrë që të shpërngulen përfundimisht.

Edhe ndonjë individ shqipfolës, bashkëpunëtorë i Serbisë nuk mund të ndjehej komod edhe po të kishte fshehur pak drithë rezervë për vete, pasi gjithçka që frymonte shqip ishte rrezikuar për shfarosje dhe zhbërje.

Mullinjtë që bluanin me ujë (të tjerë nuk kishte), pushtuesi serb kishte menduar me djallëzi t’i shfrytëzonte si kurth për shqiptarë, duke mos ndaluar me ligj punën e tyre. Në këtë situatë, mullinjtë ishin në fokus të vëzhgimit dhe si pika vrojtuese për të evidencuar dhe goditur këdo që mësynë për të bluar.

Nuk ishin pak mullinj. Treva e Runikut, e njohur për burime të shumta uji, kishte familje të mëdha e të forta që posedonin edhe mullinj, qoftë vetëm për nevoja familjare. Ndalimi i punës së mullinjve dyfishoi pasojat e dhunës serbe. Shumica e këtyre mullinjve gjendeshin përgjatë rrjedhës së lumit Gujavç, i cili bashkon shumë burime të vogla e të mëdha uji që nga bjeshkët mbi Syriganë dhe vazhdon derisa bashkohet me Drinin e Bardhë. Mulliri ishte mundësia e vetme për të bluar, qoftë edhe për një familje, por edhe sillte pak fitim për mullisin dhe familjen e tij, dhe vlerësohej pasuri e madhe për kohën.

Në Kostërc, mbi përroskën që përshkon fshatin, asokohe, ishin aktivë tre mullinj: Mulliri i Halit Abaz Nimanit, Mulliri i Shaban Idrizit dhe Mulliri i Halit Brahimit. Në Padalishtë (sot Pemishte), në rrjedhën e lumit Gujafç ishin aktivë: Mulliri i Murat Ukës që ka punuar me ndërprerje deri në vitin 1974; Mulliri i Sadri Avdi Loshit, Mulliri i Daut Loshit; Mulliri i Ramë Beqirit dhe dy mullinj të serbëve – Mulliri i Gjurgje Tomasheviqit dh ai i Kolë Shapiqit,

Në fshatin Syriganë asokohe bluanin rregullisht: Mulliri i Beqir Demirit; Mulliri i Lagjes së gjerë Ukaj; Mulliri i Lagjes Kadrijaj; Mulliri i Lagjës Koburaj, i Lagjes Loshaj të Syriganës dhe Mulliri i Lagjes Kajtazi. Mullinjtë nuk kishin kapacitet të njëjtë për të bluar, por ishin të domosdoshëm për jetë. Mullinjtë me fuqi më të madhe bluanin edhe për fshatrat më të largëta. Vetë numri i mullinjve dëshmon për burimet e shumta të ujit dhe njerëzit punëtorë të trevës së Runikut me 11 fshatra. Edhe goditja serbe përqendrohej pikërisht aty ku dëmton më shumë shqiptarët, si në rastin konkret. Ashtu siç thotë fjala e urtë popullore: “Me një të rame, dy të vrame”!

Në fshatin Banjë, afër burimit të ujit të ngrohtë, ishin pesë mullinj të vegjël në pronësi të kolonëve serb të cilët ishin ndërtuar e vendosur njëri pas tjetrit në distancë të vogël dhe bluanin për nevoja të fshatit të tyre, mbushur me kolonë. Nuk ka dëshmi se ndonjë mulli ka bërë dallim të myshterinjve, qofshin ata shqiptarë, serbë apo malazias. Mirëpo, pushteti serb bëri dallimin me masat e tij duke ua marr drithin shqiptarëve, por jo edhe serbëve. Mullinjtë që ishin edhe më larg rrugës kryesore, pasi nuk kishin guxim të bluajnë ditën, për nevoja të jashtëzakonshme bluanin natën, vetëm me rojë. Bluanin sasi të vogla drithi, kryesisht për miq e shokë dhe nevojtarë. Në të shumtën e rasteve, drithin që kishte fshehur dikush, e dërgonte natën në mulli. Për t’iu shmangur milicisë, fshatari shqiptar, zakonisht, duhej të zgjidhte motin e lig e jo kur është koha mirë për të shkuar në mulli, për t’iu shmangur belasë që mund ta godiste rrugës. Edhe mullisi që vendoste për të bluar, rrezikonte dënimin me konfiskim të drithit apo miellit. Ai që kishte sjell drithin për ta bluar, jo vetëm që i konfiskohej mielli po dënohej me burg – pa gjyq fare së bashku me mullisin.

Në këtë gjendje, në raste të rralla, edhe ndonjë serb lokal, tinëz ka ndihmuar ndonjë familje shqiptare me sasi të vogla mielli apo drithi, por në fshehtësi të madhe. Një mulli serb ka bluar pa ndërprerë. Dhe, po të kishte dikush drithë për të bluar, mund ta bluante tek ai i sigurt se nuk lajmëron policinë. Dihet ky rasti konkret në Syriganë, por pronari i atij mulliri nuk ka pasur mundësi t’ia garantojë sigurinë myshteriut gjatë rrugës. Ka ndodhur që dikush të mos ketë arritur në cak dhe drithin t’ia kenë konfiskuar milicia në rrugë.

Sa më shumë që pushtuesi serb u hipte në qafë shqiptarëve, shtohej solidariteti e humanizmi mes tyre! Shqiptarët, miq, shokë e jaranë u gjenden në sprovë të rëndë në të njëjtën kohë dhe nga i njëjti armik. Huaja qe bërë e zakonshme. Gjatë kësaj periudhe u lidhën edhe shumë miqësi të reja e të forta, që nuk harrohen. Në këtë gjendje, në shumë raste, më sasi të vogla, miellin ia jepnin njeri-tjetrit kryesisht falas. Jo pak herë ka ndodhur që ajo sasi e vogël mielli, që njeri ia jepte tjetrit, të kalojë nëpër tri-katër palë duar për të mos mbetur dikush pa bukë në sofër, qoftë edhe për një ditë. Të paktë kanë qenë ata që nuk i kanë ndihmuar tjetrit, edhe kur për veti kishin miell vetëm për një ditë. Thjeshtë, bëhej luftë për të mbijetuar me çdo kusht në trojet stërgjyshore. Gjithë ky solidaritet kalonte në heshtje të madhe dhe ishte krejt sekret. Kushdo që zbulohej rastësisht e priste burgu.

Gratë më fisnike se burrat !

Si pjesë më rrëqethëse, por edhe më lavdishme e solidaritetit në këtë situatë u dëshmuan dhe dolën gratë fisnike, zonjat e shtëpisë, siç i kanë quajtur zakonisht, por edhe gratë e tjera që nuk kanë pyetur për rrugët e humanizmit duke bërë mirë edhe tinëz të zotit dhe të zonjës së shtëpisë. Nënat, gratë e motrat tona, të cilat jo vetëm në anën e Runikut, por gjithandej tokave shqiptare shumë herë edhe tinëz të zotit të shtëpisë iu kanë dhënë miell shoqeve në fqinjësi dhe iu kanë gjendur më shumë herë më të mira materiale grave fqinje sesa burrat burrave. Ato në të shumtën e rasteve njihnin më mirë e më për së afërmi gjendjen përbrenda familjeve dhe ia qanin hallet njëra tjetrës në fshehtësi të madhe. Me kalimin e viteve është vlerësuar shumë herë ky humanizëm i jashtëzakonshëm për të cilin flitet akoma.

Rastet kur bashkëpunonin gratë me gra ishin të shumta dhe ato i bënin mirë njëra tjetrës, jo pak herë edhe pa dijeninë e burrave, pasi njihnin mirë rastin dhe çka mund të bënin. Shumë herë, me gjëra të vogla bënë vepra të mëdha. Sa nevoja ka një magjetore për të gatuar një bukë, e dinte vetëm magjetorja. Edhe për pak kripë buka nuk mund të hahej. Sa herë njerëzit kishin ngrënë vetëm bukë e kripë, e mbajnë mend shumë dëshmitarë të gjallë që sot mund t’i hasim akoma. Shqiptarët moti e kishin provuar e përjetuar për të gjallë fjalën e urtë: “Bukë, kripë e zemër”.

 Për solidaritetin të nënave tona në atë kohë, edhe sot ruhen shumë dëshmi rrëqethëse.

Ballafaqimi i shqiptarëve me skamjen nuk i ligu ata, por ua shtoi besimin mes veti. Edhe pas përfundimit të aksionit famëkeq të njohur e përjetuar me emrin “Vishak”, edhe pasi kishin kaluar disa vjet, shqiptarët nuk kanë guxuar të flasin haptazi për vuajtjet dhe pasojat. Vetëm shumë kohë, pasi ishte folur hapur e me fakte në Beograd, dhe pasi kishte pushuar aksioni, kishin rrjedhë dëshmitë e para, të rralla e të pabesueshme se si kishin mbijetuar shumica e familjeve, jo vetëm të anës së Runikut e të Rakoshit që deri në vitin 1968 kishin statut të komunave. Nuk ka metodë dhune që ka përdorë pushteti serb në Runik e të mos e ketë përdorë edhe në fshatrat e Rakoshit. Sa herë shkruan dikush për këto treva e ka zor të bëjë dallime a ndarje të trojeve shqiptare, pasi ato ishin e janë të lidhura mes veti – me miqësi, me punë e zeje të llojllojshme, me përjetime, me shembuj konkret qëndrese e solidariteti, por edhe me vuajtje të ngjashme.

Pranvera vijuese nuk e zbuti skamjen që shkaktoi “Vishaku”

Ende ka dëshmitarë të gjallë që kanë punuar tërë ditën për një kilogram misër (për grurë as që behet fjalë). Në shumë raste gjatë kësaj përudhe të dhunës dhe urisë, shumë njerëz kanë punuar edhe për bukën e gojës, pa marrë asgjë si çmim për punën e kryer.

Një fakt i tmerrshëm i regjistruar në atë kohë jeton akoma (fshatari shqiptar i mbetur pa bukë me krejt familjen, i jep gruan një tjetri njeriu shqiptar, i cili kishte mundësi ta mbante me bukë. Kështu, ia kishte dal të shpërndaj gjithë familjen për të shpëtuar gjallë)! Fasulja që ishte ndër ushqimet kryesore, qe zhdukur fare. Fshatarët, fasulen e mbollën me sasi tepër të vogla, siç thuhet me kokrra dhe me xhepa, e jo me thasë – për disa vite me radhë. Disa vjet rresht, prej fillimit të aksionit të “vishakut” e tutje, njeriu nuk mund të gjente kokërr drithi që i ka rënë dikujt në tokë, në rrugë, në oborr, në mulli apo depo. Çdo kokërr drithi kishte marrë vlerë konkrete të jetës.

Keqpërdoruesit dhe spiunët!

Në një situatë të tillë, kur përditë vdekja nga uria trokiste në çdo familje, kishte edhe ndonjë keqpërdorues që ia kishte dal të ruajë ndonjë sasi drithi dhe t’ua shiste fshatarëve, thjeshtë me çmime jete. Me ardhjen e pranverës, fondi i bagëtisë gati ishte shuar fare, kështu që përtëritja vonoi me vite. Mungesa e farës së drithërave është ndier edhe shumë vjet me radhë. Sa për ndonjë furnizim të fshatarëve shqiptarë nga shteti sllav as që mund të flitej. Për punën e kooperativave do të flitet shumë më vonë, megjithëse edhe ato pas fillimit të punës nuk i sollën ndonjë të mirë fshatarëve shqiptarë.

“Mixha”

Nuk është parë ai njeri të ketë qeshur me zë ndonjëherë, qëkur kishte lëshuar shtat. Rrallë mund t’ia ketë parë dikush pak lëvizje buzësh në të qeshur pa zë. Kishte kryer ai katër vjet shkollë serbe me alfabet cirilik. Kishte mësuar për masakrimin e familjes së tij shumë fakte, për të cilat nuk u rrëfye asnjëherë për të gjallë. Si mund ta ketë përjetuar ai me të vëllain e mitur Xhemën, masakrimin e familjes, shpirti i tij fëmijëror e mbajti ndryrë tërë jetën. Që nga viti 1918 kur është masakrua nga serbët familja Mahmutaj në Cerkolez, nuk është shkruar gati asgjë dhe as nuk është zbardhur kurrë ai krim i orkestruar nga Kisha Ortodokse Serbe. Dema kishte njohur e dalluar mirë shokët dhe miqtë. Nuk lëshohej në bisedë për shumë ngjarje me rëndësi në të cilat kishte marr pjesë drejtpërdrejt. Edhe rrëfimi i tij për “vishakun” ka rrjedhë kryesisht nga shokët e tij besnikë.

Ishte inkuadruar në celulat e para të LNÇ-së të Kosovës. Ata që i prinin kësaj lëvizjeje i kishin premtuar se pas çlirimit do të ketë liri e barazi.

Erdhi edhe koha për të parë e provuar premtimet e “komunistëve” pas të ashtuquajturit “çlirim”, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Demën e kishin emëruar kryetar të Komunës së Rakoshit. Kosova po gjallëronte në gjendje shtetrrethimi. Varfëria e skajshme e shqiptarëve shihej në çdo skutë. Mëkëmbja nga e kaluara plot gjak e krime kishte lënë shumë trauma të rënda në shumicën e familjeve. Për shqiptarë asgjë nuk kishte ndryshuar as me ardhjen në pushtet të të ashtuquajturve “komunistë”. Mixha merrte një pagë në komunë, në një kohë kur furnizimi i popullatës bëhej me triska. Shumica e popullatës shqiptare furnizoheshin vetëm me gjerat më elementare për jetë, me sasi të kufizuar. Nëpër shitore që ishin akoma të rralla, gjendej vetëm kripa e vajguri.

Ballafaqimi me urinë!

Krejt çka kishin premtuar “shokët komunistë” kishte qenë mashtrim. Pushteti serb vazhdoi dhunën sistematike me programet e vjetra e me metoda të reja të dhunës. Dema ose Mixha (ashtu e kanë thirre te gjithë ata që e kanë njohur deri në vdekje) nuk kishte paramenduar asnjëherë se ata që luftuan në emër të komunizmit do t’ua marrin bukën në çerep e miellin në magje.

Kishte folur Mixha Demë në mbledhjen e pushtetarëve komunist hapur dhe me shembuj konkret se çka po ndodhë me familjet shqiptare, në emër të njëfarë “vishaku”. Ai i kishte rënë shkurt fjalës së tij për gjendjen që ishte krijuar:

– “Sa dukët lufta nuk paska përfunduar dhe ajo tjetra që duhet nuk ka filluar akoma”.

Këto fjalë e shumë të tjera me emra konkret që kishte thënë Dema, ia kishin regjistruar menjëherë. Për aq pak kohë në detyrë, ai kishte parë me sy vazhdimin e dredhive të moçme serbe.

Në atë mbledhje kishte mbetur pa shokë. E kishin paralajmëruar! Kur vinte paralajmërimi, puna kishte mbaruar. Brenda dy muajsh e kishin larguar nga detyra duke e caktuar për fillim rojtar kooperative. E kishin larguar, sepse ai nuk do të largohej vet. Tutje, ai kaloi jetën bari delesh në bjeshkë. E dinin mirë se Dema ose Mixha nuk e duron poshtërimin. Nuk iu kishte ankuar askujt asnjëherë.

Nuk kishte fol Dema në odë për “vishakun”, për këtë “të mirën e madhe” të komunistëve, por kishte folur atje ku duhet, para “shokëve komunistë”, por kishte mbetur i vetmuar. E kishin goditur menjëherë, jo vetëm atë por edhe dajat e tij në Istog, dy mësuesit e njohur: Musën dhe Hamdiun. Pa vonuar fare, ata kishin shitur krejt çka kishin pasur, me çmim sa për të thënë, dhe ishin shpërngulur në Turqi për të mos u thyer më në Kosovë.

Jeta di të jetë e habitshme!

Ai serbi kolon, që kishte “blerë” tokën e Musës dhe të Hamdiut, është zbuluar pas luftës së fundit në Kosovë. Ndodhi që djemtë e djemve të familjes së Demës (të gjithë duke punuar në Perëndim), të blejnë atë tokë po nga ai serb i Istogut. Në bisedë e sipër, serbi iu thotë djemve shqiptarë: ju e dini që Musa e Hamdiu kur janë larguar për Turqi kanë shitur tokën tepër lirë. E dija edhe unë që e bleva tokën e tyre. Kemi pas njëfarë kontrate, por unë nuk ua kam paguar kurrë borxhin në tërësi. Për plot dy hektarë tokë nuk i kam paguar. Prandaj, nëse akoma keni lidhje me dajët tuaj, iu tregoni se po ua lë tokën e tyre, dhe nuk kam të drejtë ta shes pasi për atë pjesë nuk kam paguar asnjë dinar, asnjëherë!

Dema kujtonte shumë gjera me fakte të gjalla, me emra e mbiemra konkret serbë e shqiptarë. Nuk përgojonte askënd, duke iu thënë në sy se kështu nuk shkon gjatë. Ishte shumë i informuar për çdo zhvillim, në çdo kohë.

Ditarët e shqiptarëve dallohen lehtë nga ditarët e milicisë dhe UDB-së, sepse nuk kanë asnjë ngjashmëri. Shqiptari mbante ditar në mendje e në lëkurën e tij, ndërsa koloni pushtues serb nga zyra i shkruante çdo ditë raport me shkrim, eprorit të vet, për masat që po zbatojnë në terren: ai me laps njoftonte sa kolonë vendosin çdo ditë, sa tokë u japin dhe sa herë ka intervenuar një kohë xhandarmëria e më vonë milicia.

Eprori serb shkruante:

Në asnjë zyre shtetërore nuk lejohet të flitet shqip. Shqiptarët shumica jetojnë në fshat. Ata që zbresin për të jetuar në qytet, për pak kohë, gradualisht bëhen ose detyrohen të bëhen turq, dhe i shpërngulim menjëherë për në Turqi. Nëse nuk mësojnë të flasin turqisht e serbisht, mbesin të izoluar dhe i quajnë katundarë. Nëse është shqiptar mysliman, e regjistrojmë turk. Asnjë prej tyre nuk ka të mbaruar ndonjë shkollë dhe kryejnë vetëm punë të rënda me mëditje. Pakkush prej tyre mund të gjejë punë dy ditë me radhë. Zakonisht bëjnë punë krahu. Pak prej tyre janë zanatlinj.

Dhuna serbe përfshinte edhe deklarimin fetar e kombëtar. “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”, thotë një fjalë e urtë popullore. Çdo gjë që bënte pushteti serb kishte një cak: dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.

Si të shkruante ditar shqiptari kur ishte analfabet?

Të rrallë ishin ata shqiptarë që kishin pas rast të shkollohen jashtë vendit. Po aq të rrallë ishin edhe ata që kishin mbaruar katër klasë shkollë fillore në gjuhen serbe me alfabet cirilik para pushtimit italian. Në ditarin që shqiptarët kanë mbajtur mend e regjistruar në lëkurën e tyre, thuhet: kolonët serbë e malazias, që ishin vendos para pushtimit fashist në trevën e Runikut, nuk i ngacmoi askush gjatë gjithë okupimit italian e gjerman. Në rastin konkret, as në fshatin Kostërc, ku më shumë kishte kolonë serbë se shqiptarë vendas, atyre iu garantua qëndrimi dhe jeta. Madje, në Kostërc dihet se kolonëve serbë iu dhanë emra myslimanësh për të mos u dalluar e rrezikuar aty ku jetonin. Me ata emra i kanë thirr plot katër vjet.

Komunizmi në Kosovë!

As fjala komunist nuk kishte arritur të kuptohet në Kosovë e jo më të thuhet se filani ishte komunist. Shumica dërmuese e anëtarëve të PKJ-së ishin serbë. Çdo vendim merrej nga ata. Shqiptarët, edhe pse kishin marrë pjesë në LNÇ, nuk ishin askund në ndonjë pozitë vendimmarrëse dhe ata zakonisht, në numër simbolik, kishin ndonjë vend pune pa ndonjë përgjegjësi vendimi. Nëse në një mbledhje ku votohej, dallohej ndonjë shqiptar që nuk ka ngritur gishtin rastësisht, puna e tij vendosej në atë takim, pa pritur rast tjetër. Aty për aty i shqiptohej masa e vërejtjes e fill pas saj ajo e largimit nga LKJ që automatikisht nënkuptonte largim nga puna. Jo një herë, si pasojë e mos ngritjes së gishtit, kanë pësuar ata pak shqiptarë që ishin më të vendosur pasi ishin mbështetur për muri e nuk kishin më nga të shkonin nga dhuna serbe. Ata shqiptarë që punonin përcilleshin në çdo hap dhe në çdo kohë në cilëndo detyre dhe pas pak kohe arrestoheshin, burgoseshin e dënoheshin me shumë vjet burg. Ata që liroheshin nga burgu më nuk kishin asnjë të drejtë për punë.

Edhe “komunizmi” vazhdoi kolonizimin

Edhe pas të ashtuquajturit çlirim, menjëherë vazhdoi kolonizimi i Kosovës me serbë e malazias. Këto janë fakte që mund të shihen edhe sot. Shkoni e pyetni në Runik kur qenë vendosur me dhjetëra familje malazezësh në lagjen e re. Ata morën tokë sa deshën dhe jetuan aty sa deshën. E morën gjithë atë sipërfaqe tokash pa paguar një dinar dhe e shiten me çmime të majme. Kur u ngopen, u larguan duke shkuar në detyra të reja dhe me kontot bankare të tyre plot.

Shqiptarët që pësuan me jetë nga dhuna sistematike, nuk i numëroi askush asnjëherë. Me rastet konkrete të zhdukjes së shqiptarëve pa gjurmë, nuk u mor askush. Familjet e të zhdukurve nuk guxonin ta kërkonin të zhdukurin, ndërsa pushteti i kërkonte për t’i dënuar.

Derisa kolonëve serbë, pushteti ua lëshonte në dorë tapinë për tokën, shqiptarëve nuk iu njihej e drejta e pronës as për tokën e babait e të gjyshit, e lëre më për tokën e blerë rastësisht nga koloni serb. Atyre pak shqiptarëve që kishin tapi turke, nuk iu njohën ato ligjërisht asnjëherë. Dhuna, shpronësimi, kolonizimi, çarmatosja e “Vishaku” nuk zgjaten dy ditë, por ato vazhduan në masë të njëjtë me vite.

Një fshatar i Kostercit që kishte edhe katër vëllezër të cilët jetonin në bashkësi familjare, nuk arrinin dot të sigurojnë as bukën e vitit, e të detyrohen të dorëzojnë sasi të caktuara të drithit dukej si anomali tallëse. Tokë të punueshme kishin pak dhe tepër të ligë për të siguruar bukën deri në korrjet e reja. Këta vëllezër më shumë merreshin me punë krahu apo duke punuar rrogëtar, bari delesh apo të dhive në fshatra të largëta, tek-tuk edhe në stane, në bjeshkë.

“Vishaku” i bëri vishkull shumë familje. P.sh. pushtetarët kishin shkuar në shtëpi të fshatarit A. dhe pasi kishin parë se aty nuk kanë çka marrin, kishin vendosur të bëjnë listë çka duhet të marrin: drithë e bylmet aty ku nuk kishte as dhi as dele, as lopë as pulë as gjel! Krejt ato i shënonin për fshatarin A. dhe ato ai duhej t’i dorëzonte në Stacionin e Milicisë në Runik.

Po t’i takoje shqiptarët në rrugë, në arë duke punuar diçka apo diku në treg, i dalloje larg edhe nga veshja e tmershme. Nuk ishin më mirë të veshur as kolonët që i kishte vendosur pushteti i Beogradit me njëmijë premtime boshe që nuk i realizoi kurrë. Ka plot dëshmitarë së si jetonin kolonët serbë në Kostërc. Ata kalonin jetën ashtu si shqiptarët. Me kohë edhe kolonët mësuan të flasin shqip sikur që shqiptarët kishin mësuar serbisht. Dalloheshin nga shqiptarët vetëm nga “shajkaqi” (lloj kapele) që mbanin në kokë. I dalloje kështu sidomos në ditë tregu. Ata shkonin në treg me pak bukë me veti, mbështjellë me shami lidhë për beli. Ashtu udhëtonin njëzet e më shumë kilometra këmbë në një drejtim, me një pulë nën sqetull apo me një shportë kumbulla në dorë, për t’i shitur në treg. Ndër njëqind udhëtarë nuk mund të hasje edhe një njeri me kalë.

“Panduri”!

Sa për origjinën e fjalës “pandur” duhet shkuar më larg në histori, pasi kjo fjalë rrjedhë nga koha kur Perandoria Austro-hungareze ishte në kulm të fuqisë (Pandur ishte kalorësia e lehtë). Më vonë, fillimisht nga kroatët u adaptua si fjalë që zbatohej për roje të fushave apo si person që frikëson të tjerët. Kur fillonin aksionin, pushtetarëve serb iu printe zakonisht “panduri”, por çka është më keq, ai nuk dallohej me uniformë dhe zakonisht ishte shqiptar. Ai ishte tmerr për fshatarët, pasi kurrë nuk sillte lajm të mirë.

“Panduri” çdo herë ua sillte thirrjet në oborr. Në një rast që akoma përmendet, fshatarit A i kishin kërkuar të sjellë “vishak” 25 kilogramë djathë në Runik, në një kohë kur ai nuk ishte në gjendje as të dëgjonte mirë çka i kishte thënë “Panduri”, por as që kishte parë djathë me sy në sofrën e tij, përveç kur ia ka falur dikush. Të enjten me i sjell 25 kilogram djathë! “A kuptove”, ia kishte përsëritur edhe një herë “Panduri”. Supozohej se ato fjalë ishin të shkruara në letër, megjithëse fshatari nuk dinte të lexonte fare.

Me një fjali të shkruar në letër, që nuk e lexonin dot fshatarët, “Panduri’ mund t’i dërgonte gjithë fshatin në stacionin e milicisë. Kështu kishte ndodhur disa herë. Ai konsiderohej më i rrezikshëm se çdo milic. Çdo fjalë e tij ishte ligj mbi ligj. Disa fshatarë e kishin pësuar me lëkurë kur nuk iu kishin përgjigjur urdhrit të tij. Kishte ndodhur të kenë shkuar në stacionin policor i gjithë fshati e ishin kthyer të sharë e të poshtëruar pse nuk kanë kuptuar që milicia nuk i ka ftuar të gjithë. Fshatari që merrte ftesën për të shkuar në stacionin e milicisë, duhej ta lexonte letrën diku te ndonjë njeri që i di shkronjat. Nga frika se çka mund të shkruante në atë letër, nuk i tregonte askujt dhe ashtu e pësonte më keq. Kishte raste kur i ftuari arratisej në mal dhe nuk e gjenin dot as familja e as milicia. Ka ndodhur që dikush ta ketë dënuar vetën me varje pa u dorëzuar, por edhe pa kuptuar kurrë se çka shkruante në letërthirrje. Çdo ftesë që sillte “Panduri” ishte për ndonjë dënim dhe duhej kuptuar si urdhër ekzekutimi. Kështu, fshatarët e dinin se çka sjell “Panduri” sa herë që e shihnin. Nuk ishin këto raste sporadike të dhunës, por masa e gjerë shqiptare i përjetonte përditë në mënyrë sistematike. Ata që përfundonin në stacionin e milicisë, rrallë ktheheshin në shtëpi pa pasoja të rënda fizike.

Për “Pandurin” nuk mund të ankohej askush. Ai vetëm informonte me gojë apo dorëzonte një zarf me një letër brenda tij, dhe kaq.

Komandanti i milicisë në Runik shkruante e zbatonte krejt çka thoshte Stojko!

Kolonët dinin të gjenin bashkëpunëtorë, që fatkeqësisht nuk kanë munguar kurrë. Një bujk shqiptar rrëfen i dëshpëruar që ia morën edhe krejt miellin çka pati në magje. Tregon me dhembje se si edhe të vetmin kec që i mbeti pas dorëzimit të sasisë së parë të mishit, duhet t’a dërgonte të nesërmen në stacionin e milicisë.

Në raportin vijues, komandanti i stacionit policor shkruan:

Dje kemi asistuar për tubimin e “vishakut” në fshatin Kostërc. Krejt çka gjetëm drithë ua konfiskuam pa e matë fare. Nuk rezistoi askush. E dimë se kështu nuk do të zgjasë. Akoma kanë sasi të fshehura të drithit. Selman Nmanit ia gjetëm dhe morëm menjëherë edhe njëmijë kilogramë misër pa shkokëluar. Mbi pesëqind kilogramë i kishte fshehur në ahurin e lopëve, thellë nën tokë, pasi ahuri i kishte mbetur thatë prej asaj dite kur ia morëm të vetmen lopë që kishte. Edhe në arën e tij gjetëm të groposur sasinë tjetër prej 500 kilogramësh. Nuk e dënuam me të holla, pasi ai më nuk ka asgjë, as për të ngrënë e as për të shitur. Shpresojmë që do të ikin, por është zor, sepse ai është inatçi i pathyeshëm. Deri tash asnjë metodë dhune nuk ka dhënë rezultatet që kemi pritur.

“E patë çka ndodhi”, kishte thënë Selmani pasi ia morën sasinë e fundit të misrit të fshehur thellë nën tokë! Fliste me ton të ashpër, por nuk kishte kujt t’i fliste. Përpara kishte vetëm vëllezërit e tij. Ai më shumë i përtypte fjalët, se që nxirrte zë nga goja. “Krejt çka na ka mbetur është një dhi, pasi kecin duhet ta dorëzojmë nesër për mish në stacionin e milicisë në Runik… Po thonë se ‘dërzhava’ ka nevojë për drithin tonë. Premtimet e komunistëve, se pas çlirimit do të kemi bukë të gjithë dhe do të jemi të barabartë, po shihen cilat janë. Për armë, na vranë e na sakatuan! Tash po na e marrin edhe miellin në magje”!

Selmani e kishte ndarë nga biseda të vëllain dhe kishin dal jashtë odës. Në errësirë të plotë, atij i kishte thënë shkurt se qysh sonte duhet të shkojë në Cërkolez te Dema. “Ti je dhëndër i tyre! Edhe nëse të takon dikush në këto orë të vona, nuk mund të dyshojë shumë pse po shkon te miqtë. Sonte të gjithë kemi mbetur pa darkë. As hua nuk mund të kërkojmë askund. Edhe po të ketë dikush pak rezervë, ai e ruan për veti apo për ndonjë mik. Nëse ka Dema, ai na e banë çarën. Duhet të kthehesh para se të zbardhë dita prej atje. Nëse merr pak miell e të zë mëngjesi rrugës, mund të të zë milicia dhe të arrestojnë e ta marrin miellin”.

Muja ishte i shpejtë. Ai dinte edhe rrugë dytësore andej kah nuk kalon askush. Duhej t’i shmangej rrugës kryesore, pasi ajo shkonte përmes fshatit ku janë vendosur kolonët. Spiunët shqipfolës qenë bërë më të rrezikshëm se kolonët serb për informimin e milicisë dhe UDB-së.

Kishte arritur në Cerkolez vonë në mesnatë. Vetëm Dema kishte qenë zgjuar akoma. Pasi kishte hy brenda, me fjalën e parë i kishte treguar Demës sesi është puna. “Mixha” asokohe akoma ishte kryetar i Komunës së Rakoshit. Për shkak të qëndrimit atdhetar, në emër të partisë e kishin akuzuar se nuk po angazhohet sa duhet për mbledhjen e “vishakut”. Dema nuk i tregoi Mujës për pozitën e tij atje në komunë dhe për kritikat e kërcënimet që ia kishin bërë servilet e pushtetit serb për ta shkarkuar nga detyra. Megjithatë, nuk dukej i shqetësuar aq shumë. Ai nuk ishte shqetësuar aq shumë për shkarkim nga detyra, sa për të zezat që po ia bënin atij dhe gjithë fshatarëve shqiptarë në emër të aksionit të “vishakut”, për të cilin asnjëherë nuk kishte dhënë askush asnjë arsyetim.

Pa vonuar, Dema ia kishte dhënë Mujës dy shamia me nga pesë kilogramë miell, që duhej t’i sillte natën me krah në shtëpi. Dema e kishte shoqëruar Mujën deri në fund të Mellës. Ai ishte kthye në shtëpi para se të zdritej. Selmani e kishte pritur zgjuar. Kishte ndjerë një lehtësim në shpirt që nesër do të mund të gatuajnë bukë, qoftë edhe për dy tre ditë.

P.S. Në vitin 1990, Serbia me ligj ndaloi shitblerjen e tokës mes serbëve dhe shqiptarëve. Por, shitja vazhdoi e askush nga shqiptarët nuk mund ta përkthente mbi vete këtë pasuri, as me ligj e as me gjyq. Bile, shumë pasuri që asokohe serbët ua shitën shqiptarëve, akoma, në çdo dokument (që i ruan Serbia dhe ato i mori me vete pas tërheqjes në vitin 1999) figurojnë si pronarë kolonët serbë.