LAJMI I FUNDIT:

Veseli flet me shefin e FMN-së për marrëveshjen e re

Veseli flet me shefin e FMN-së për marrëveshjen e  re

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot Jacques Miniane, shef i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), për Kosovën, ku u diskutua në lidhje me ecuritë e negocimit të programit të ri të FMN-së dhe Republikës së Kosovës.

Në takim u diskutua roli i Kuvendit të Kosovës në procesin e përshpejtimit të kësaj marrëveshjeje e cila është me shumë rëndësi për ruajtjen dhe mbajtjen e stabilitetit makro-fiskal në vend.

Veseli, ofroi mbështetjen e plotë në aspektin e procedimit sa më të shpejtë të Ligjit mbi rishikimin e buxhetit në 6-mujor. Kryetari Veseli dhe Miniane u pajtuan mbi qasjen të cilën duhet ndjekur Qeveria e Kosovës në aspektin e deficitit buxhetor, projektimit të drejtë të të hyrave buxhetore, si dhe mbi përcaktimin e shpenzimeve për paga dhe mëditje.


Veseli u pajtua me qëndrimin se Kosovës i duhet përcaktuar rregullin mbi përcaktimin e kufijve buxhetor për Paga dhe Mëditje, të cilat duhet të jenë në përputhje me rritjen ekonomike.

Ai mirëpriti vendimin e FMN-së për të hapur perspektivën e Kosovës për një qasje më të gjerë në financimin e projekteve kapitale të Kosovës. /Telegrafi/