LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon forcimi i euros, dollari humb pikë me lekun

Vazhdon forcimi i euros, dollari humb pikë me lekun

Monedha evropiane euro ka fituar pike ndaj lekut, ndërsa dollari është dobësuar gjatë kësaj jave, në kursin e këmbimit me lekun në tregjet e vendit. Sipas treguesve në agjencitë e këmbimit valutor, në javët e fundit të vitit që lamë pas, euro shënoi vlera të larta në tregun e këmbimit valutor, duke krijuar një pozitë të fortë kundrejt lekut dhe monedhave të tjera ndërkombëtare të tregtisë.

Në tregun valutor, një euro është këmbyer nga agjencitë e këmbimit valutor me 138.2 lekë në blerje dhe 138.7 lekë në shitje. Ndërsa monedha amerikane, gjatë kësaj jave ka humbur terren ndaj monedhës vendase, ku është blerë me 103.3 lekë dhe është shitur 104 lekë.

Agjentët valutorë, luhatjen e kursit e shpjegojnë me lëvizjet e shpeshta të kërkesës nga tregu i brendshëm këtë fillim viti. Sipas tyre, parashikohet që ky nivel kursi euro/lekë do të jetë edhe për disa ditë në vazhdim. Parashikimi i ekspertëve të ekonomisë, është se kjo situatë do të vazhdojë deri në fund të janarit. /Telegrafi/