LAJMI I FUNDIT:

VAR-i poli(e)tik: Vettingu në Kosovë dhe mesazhi i Mahatma Gandhit

VAR-i poli(e)tik: Vettingu në Kosovë dhe mesazhi i Mahatma Gandhit

As nuk shkoi Lumezi, as nuk erdhi Elezi.

E njihni Elez Blakajn?


Ai është ish-prokurori special, i dorëhequr në vitin 2018, pasi kishte dorëzuar një draft-aktakuzë për rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”.

Kryeministri aktual, Albin Kurti – atëherë në opozitë – kishte paralajmëruar se kur të vijë në pushtet do ta kthente prokurorin Blakaj dhe do ta largonte nga pozita kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin – emri i të cilit ishte përfolur nga shumëkush si kryefajtor për gjendjen në sistemin prokurorial të Kosovës.

Kur jemi te Kryeprokurori i Shtetit, atij i është kontestuar edhe përgatitja profesionale.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, e ka akuzuar hapur Aleksandër Lumezin se e ka të falsifikuar provimin e jurisprudencës.

Blakaj, i cili në vitin 2017 përgatiti lëndën e akuzës ndaj 19 mijë veteranëve të rremë, pasi u kërcënua dha dorëheqje dhe iku në ShBA.

Ndërkohë, vitin 2018, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzoi 12 anëtarë të Komisionit Qeveritar për verifikimin e veteranëve, mbi pretendimet se mijëra njerëz që kurrë nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së u regjistruan në mënyrë të rreme si veteranë.

Por, në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës liroi ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 11 të tjerët – ish-ministra dhe ish-deputetë – nga akuzat për abuzim me pozitën zyrtare për fryrje të listës së veteranëve të UÇK-së që përfitojnë pensione nga qeveria.

Prokurori apeloi kundër vendimit  të shkallës së parë dhe procesi është në pritje të Gjykatës së Apelit

Derisa saga e veteranëve të rremë vazhdon, pritet që edhe kjo lëndë ta ketë fatin e mijëra lëndëve të tjera, të përshkrimit.

Vjetrimi dhe përshkrimi i lëndëve, është specialiteti i gjykatësve në gjykatat tona.

Nejse.

Kurti erdhi në krye të Qeverisë – tash e tetë muaj – kurse mekanizmat shtetërore të drejtësisë as nuk e kthyen Elezin, as nuk e larguan Lumezin.

Ndërkohë, prokurorë e gjykatës vazhdojnë të bëjnë punën e tyre.

Vazhdojnë të mbajnë në sirtarë – deri në skadim afati – lëndë të krimeve të rënda.

Vazhdojnë të shqiptojnë dënime qesharake (lexo: të turpshme) për vepra të rënda penale (dhunime e vrasje të rënda).

Vazhdojnë të dënojnë fukarenjtë e t’ua çojnë në derë përmbaruesit.

Por, vazhdojnë të vazhdojnë edhe hetimet deri në harresë të rasteve të vjedhjeve e plaçkitjeve të mëdha nga arkat e institucioneve tona shtetërore, madje edhe nga thesari …

Fundi i krejt këtyre anomalive, pazareve e matrapazllëqeve në sistemin e drejtësisë po shihet të jetë Vettingu.

Për ata që nuk e dinë: Vettingu është proces që shërben për largimin e zyrtarëve publikë që nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore.

Tashmë Ministria e Drejtësisë e ka proceduar për konsultime publike, drafti i Koncept Dokumentit për Zhvillimin e Procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Por, që në start kjo nismë ka hasur në kundërshtimet e atyre që pritet të atakohen nga ky proces.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, si shkas për ta bojkotuar këtë nismë që në start e ka marrë një deklaratë të zëvendësministrit të Drejtësisë, i cili kohë më parë ka akuzuar prokurorët duke thënë se “po dëshmohet që vetë prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale”, dhe se është nevojë urgjente që situata të ndryshojë.

Këshilli Prokurorial – duke e quajtur deklaratën linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial – ka ndërprerë bashkëpunimin me Qeverinë pasi këta të fundit nuk u distancuan nga deklarata e zëvendësministrit.

Ky këshill së fundmi u deklarua se nuk do të marrë pjesë në Grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në Sistemin e Drejtësisë.

Pra, ky proces i dhimbshëm për shumëkënd në sistemin e drejtësisë që në start po shihet me rezerva, madje edhe i dëmshëm, sepse do të atakojë drejtpërdrejt xhepin dhe pasurinë e fituar nga pazaret në trekëndëshin: klient (i përfaqësuar nga avokati që negocion çmimin) – prokuror – gjyqtar.

Nisma e Qeverisë së Kosovës që të ketë Vetting të tërësishëm në sistemin e drejtësisë nuk u vlerësua me nota të mira në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Bile ky organ i BE-së shprehu rezerva ndaj këtij procesi.

U tha se “ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është brengosëse dhe paraqet një burim shqetësimi serioz”.

Edhe mund të jetë shqetësim serioz ri-vlerësimi i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve, sepse në mesin e tyre edhe mund të ketë ‘burra e gra të mirë/a’, që hetojnë e gjykojnë drejt. Por, gjithsesi më serioz është numri i atyre që janë të korruptuar.

Të gjitha këto sikur janë një paralajmërim se edhe procesi i Vettingut në drejtësi mund ta ketë fatin e shumë proceseve të tjera të reformave në Kosovë, të cilat u paralajmëruan, u nisën, por nuk u përfunduan asnjëherë.

E, Kosova ka nevojë të kahershme për Vetting – reforma në administratë, arsim, shëndetësi, sistem zgjedhor…

Por, para se të nis Vettingu – reforma, duhet t’i nënshtrohen Vettingut dhe të reformohen vetë “reformatorët” e ardhshëm.

Udhëheqësi politik dhe shpirtëror indian, Mahatma Gandhi, duke folur për drejtësinë, kishte thënë: “Ka një gjykatë më e lartë se gjykatat e drejtësisë, ajo është gjykata e ndërgjegjes. Ajo është mbizotëruese e të gjitha gjykatave të tjera”.

Ndërgjegjja!

Çka është ajo?

Megjithatë, njerëz të drejtësisë, aman thërrisni pak ndërgjegjes!