LAJMI I FUNDIT:

Vala me 1 milion konsumatorë

Vala me 1 milion konsumatorë

Sahit Rullani, qytetar nga Prishtina me një thes miell varur mbi supe, afrohet pranë Pikës Shitëse Nr.3 dhe e pyet punëtorin e PTK-së nëse mund ta blinte një SIM kartelë të re. Kur hyn brenda, e pret befasia, të cilën ai kurrë nuk e kishte pritur. “Ju sot jeni konsumatori i 1 miliontë dhe për këtë shkak duam që t’iu urojmë përzemërsisht”, i thotë Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha.

“Unë dhe familja ime Valen e kemi si bukën, të gjithë e përdorim”, theksoi Rullani duke mos e fshehur gëzimin e tij se krejt rastësisht është përzgjedhur konsumatori i 1 miliontë i PTK-së.

Nga ana e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së ka thënë se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që konsumatori i 1 miliontë i Vala-s rastisi të jetë një qytetar, të cilit do të ketë mundësi t’ia dhurojë edhe një mijë euro për t’i gëzuar fëmijët e tij.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që më është dhënë sot rasti të përzgjedhë konsumtorin e 1 miliontë dhe ta përgëzojë për këtë z.Rullani, të cilin e gjetëm këtu në sportel duke blerë SIM kartelën e 1 miliontë me numër 045/387 xxx”, bëri të ditur Haxha.


Ai ka pohuar gjithashtu se arritja e numrit prej 1 milion konsumatorëve, është një e arritur e pamohueshme e operatorit VALA.

“Në një treg konkurrues, ne bëjmë sot 1 milion konsumatorë. Kjo para së gjithash është edhe një dëshmi më shumë, e qëllimeve dhe obligimit tim,të cilin ia kam vënë vetes që prej marrjes së detyrës si Kryeshef Ekzekutiv”, deklaroi Haxha duke shtuar se tashmë kemi të bëjmë me një ngritje prej 28 për qind të numrit të konsumatorëve. /Telegrafi/