LAJMI I FUNDIT:

UT e organizoi Konferencën e Dytë Ndërkombëtare Botërore të Shkencave të Kimisë dhe Teknologjisë

UT e organizoi Konferencën e Dytë Ndërkombëtare Botërore të Shkencave të Kimisë dhe Teknologjisë

Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni, njoftoi se, në bashkëpunim me disa universitete nga Republika e Turqisë, si Universiteti Sakarya, Universiteti Sütçü Imam dhe Kongresi Evropian, e organizoi Konferencën e Dytë Ndërkombëtare Botërore të Shkencave të Kimisë dhe Teknologjisë. Konferenca do t’i zhvillojë punimet gjatë dy ditëve, ndërsa në të marrin pjesë mbi 150 studiues nga vendi, rajoni dhe bota.

Në emër të Rektorit të Universitetit të Tetovës, rektori i UT-së Vullnet Ameti, të pranishmit i përshëndeti dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. dr. Fauzi Skenderi, i cili tha se këto konferenca të përbashkëta janë mundësi të shkëlqyera për të forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë institucional në punën tonë kërkimore-shkencore.


“Ky organizim shkencor besojmë se do t’i përmbushë qëllimet tona, si në prezantimin e hulumtimeve më të reja në lëmin e kimisë dhe teknologjisë, por njëkohësisht, përmes konsultimeve mes studiuesve dhe bashkëpunimit mes tyre do të intensifikojë edhe më shumë interesin për studime të thelluara, hulumtime serioze shkencore, të rëndësishme për studentët dhe punonjësit shkencorë. Ky tubim, po ashtu është edhe një mundësi e shkëlqyer për ta forcuar bashkëpunim e ndërsjellë institucional në procesin e edukimit dhe punën kërkimore-shkencore. Përmes organizimeve të kësaj natyre do t’u hapim rrugë edhe formave të tjera të shkëmbimit, të cilat do të mundësonin përfitimin e diturive dhe përvojave të reja në sferat e të arriturave më të larta evropiane dhe botërore, në arsim, shkencë dhe veprimtari aplikative”, tha Prof. dr. Fauzi Skenderi.

Në emër të Universitetit Sakarya nga Republika e Turqisë foli Prof. dr. Ahmed Tutar. Ai tha se konferenca pas përfundimit të punimeve do të sjell risi të reja në lëmin e shkencave të kimisë dhe teknologjisë. “U jam mirënjohës të gjithë partnerëve tanë që janë bashkë-organizatorë në këtë konferencë, e në veçanti Universitetit të Tetovës. Këtu mes jush shoh një numër të madh studiuesish, dhe sigurisht që çdonjëri nga ju, në punimet tuaja keni sjellë prurje të reja në lëmin e kimisë dhe teknologjisë. Shpresoj që të mos ndaleni këtu, të vazhdojmë të hulumtojmë dhe të studiojmë edhe në të ardhmen, dhe në konferencat e radhës të shënojmë suksese dhe arritje të reja”, tha Prof. dr. Ahmed Tutar.

Në konferencë po ashtu u tha se nga shkenca kërkohen zgjidhje të reja, ndërsa ajo që më së shumti nevojitet në këtë drejtim është individi si hulumtues, ndërsa dija si strategji parësore, për një përparim të vazhdueshëm në një botë të qytetëruar, me konkurrencë të pamëshirshme. /Telegrafi/