LAJMI I FUNDIT:

Uniteti në mendësinë ballkanike

Uniteti në mendësinë ballkanike
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Këto ditë nga ministrat e Qeverisë së Kosovës, përfshirë edhe kryetarët serbë të komunave, të cilët me dëgjueshmëri të paparë u përgjigjen të gjithë në ftesën e kryeministrit të tyre, Aleksandar Vuçiq, dhe shkuan krejt shend e verë në Beograd. Ndërkohë, vetëm para disa javësh shkuarja e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në veri, në mision human, për të lëshuar në qarkullim një urë që lidh dy lokalitete me komunitete pakicë, u pa nga të njëjtit si një “demonstrim i muskujve” nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Lë anash se Qeveria e Kosovës që nga “sulmi” i famshëm i Policisë së Kosovës në veri, i urdhëruar nga ish-kryeministri Thaçi dhe i udhëhequr nga drejtues aktualë të Policisë së Kosovës, ka dëshmuar që Republika jonë e brishtë jo vetëm se nuk do, por edhe nuk ka muskuj për minoritetet, kështu që akuza për demonstrim force drejtuar kryeministrit aktual nuk ka as argumentim për të qenë, e madje as kuptim. Qeveria ka muskuj për këdo që merr dritën e gjelbër. Tash për tash ka vetëm “muskuj” ndërkombëtarë. Po e dini ma!


Pra , pas takimit në Beograd, ku u riarrit uniteti serb me të cilin politika serbe gjithnjë ishte e preokupuar jashtë mase, ndërkaq politika shqiptare gjithnjë e përdorte si gogol, u paralajmërua me gëzim edhe ardhja në Kosovë e kryeministrit serb për të pritur me kosovarët krishtlindjet ortodokse.

Kosovarët, të prirur për festa edhe këtë krishtlindje e festojnë, me gëzim, dhe këtë ditë e kanë pushim zyrtar. Uniteti i demonstruar, me siguri nuk është i motivuar me interesa të një politike qiellore, por krejtësisht tokësore. Shqetësues gjithsesi nuk është vetë uniteti i rikrijuar serb, sa drejtimi i vetë politikës serbe në Ballkan. Në kohën e paralajmërimit të blerjes së armëve të sofistikuara ruse, festimi i kryeministrit serb, bashkë me ne, pa ndonjë ftesë zyrtare, nuk do të ishte shqetësuese vetëm nëse do të ishte private. Po nuk është private…!

Shikuar nga ky kënd, pra shkuarja e disiplinuar në Beograd dhe ardhja zyrtare e kryeministrit serb, në veri, pa ftesë zyrtare nga institucionet e Kosovës, shplon se koncepti i përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës, për Asociacionin, është bashkëqeverisja. Pra, bashkëqeverisja e komunave serbe në mes të qeverive të Serbisë dhe asaj të Kosovës, vetëm për aq sa kjo e dyta të jetë kooperuese me Qeverinë e Beogradit. Pra, dyshtetësi!

Vendimet të cilat u morën, në takimin në Beograd, pritet të zbatohen me përpikëri dhe disiplinë nga zyrtarët e qeverisë së Kosovës, ku gjithashtu pritet që të rikthehet në qeveri edhe ministri i larguar nga Lista Serbe, pasi paraprakisht të ketë liruar vendin, ministrja e emëruar nga Kryeministri i Kosovës. Nga ajo pritet dorëheqja. Kështu, duke pasur parasysh edhe paralajmërimin nga ky takim se Asociacioni do të shpallet edhe nëse Qeveria e Kosovës nuk e bënë vet një gjë të tillë, kompletohet skena ku do të tregohen muskujt… pra, se kush ka muskuj. Nuk shqetëson uniteti, sa shqetëson drejtimi!

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës se një ministër i Qeverisë së Kosovës nuk mundet të japë deklarata kundër qeverisë së vet, pritet të shihet sa janë të realizueshme, pasi që rikthimi i ministrit të larguar mund të bëhet vetëm me aprovimin tij. A do të aprovojë kryeministri i Kosovës, vendimet e kryeministrit të Serbisë?

Duke pasur parasysh përrallat ballkanike, për ujqit të cilët e kanë veç një ngjyrë dhe një qëllim, por edhe historinë e tërë shekullit të kaluar, uniteti i serbëve, tingëllon si fjalë e frikshme. Ne të cilët e mendojmë veten si qengja, që blegërijnë pafajshëm “ BE” dhe vetëm “BE”, nuk është se nuk jemi shqetësuar.

Por, thirrjet për unitet nuk janë veç dukuri serbe. Klithma të tilla ka edhe ndër shqiptarët, apo popujt e tjerë të Ballkanit.

Për shembull, për unitet ftojnë edhe të gjitha strukturat politike shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë, dhe kjo ftesë së fundmi u drejtohet partive politike shqiptare në Maqedoni. Konsiderohet se “fuqia ballkanike e barotit” shumë më lehtë mund të shpërthej atje, se në Kosovë, dhe pasojat do të ishin shumë më fatale.

Thirrjet për unitet, shkojnë edhe për partitë politike në Luginën e Preshevës, e cila po ashtu përmes përfaqësuesve të tyre politik e ka shpallur një Asociacion komunash me shumicë shqiptare, pak a shumë si një kopje e asociacionit serb në Kosovë. Natyrisht, uniteti shqiptar nuk e ka fuqinë shkatërruese të atij serb, ose kush e di për çfarë arsye, Qeveria e Serbisë as që do të dëgjoj për ndonjë asociacion komunash shqiptare në Serbi edhe pse nga takimi i fundit në Beograd, del kërcënimi se Asociacioni i Komunave Serbe do të implementohet nga shteti serb, nëse Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare nuk e bëjnë këtë.

Sido që të jetë, nuk pritet që Kryeministri i Kosovës, apo ai i Shqipërisë të shkojnë për Bajram të madh apo të vogël dhe të festojnë atje, pa ftesën e homologut të tyre serb dhe njëkohësisht të kërcnojnë qeverinë e Serbisë se do të bëjnë asociacionin, nëse ata nuk e bëjnë. Eh, muskujt!

Kur jemi te asociacionet, para pak kohësh edhe shqiptarët formuan një asociacion shumështetërorë madje, të komunave, kur në Tiranë u takuan kryetarët shqiptar, të komunave në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi. Dallimi është se kjo ka një karakter regjional, sepse në këtë takim marrin pjesë kryetarë komunash nga pesë shtete. A po formësohet kështu edhe një politikë unike shqiptare në Ballkan? A po bëhet kërcënues edhe uniteti shqiptarë? Duke qenë se iniciator i kësaj nisme ishte kryebashkiaku i Tiranës, është e arsyeshme të besohet se ky është edhe një instrument i politikës regjionale, të shqiptarëve, e më konkretisht të kryeministrit shqiptar i cili ka marrë rol ndërmjetësues në regjion.

Pas zgjedhjeve në Maqedoni, dhe pat pozicionit të krijuar, Edi Rama ftoi politikanët shqiptarë nga ky vend, për vizitë në Tiranë. Edhe ky me gjasë e shpalosi politikën unike shqiptare. Shto kësaj edhe bashkësinë ortodokse shqiptare në Maqedoni, të formuar së voni, krejt kjo jep gjasa që edhe Rama mund të festojë në Maqedoni ndonjërën nga festat fetare. E mira e pozitës së tij është se mund të zgjedh se cilën do e festoj, dhe ku!

Çfarë mund të nxirret si e përbashkët nga këto takime, në të cilat farkohet politika gjithëkombëtare në Ballkan? A janë këto produkt i takimeve të Nishit? A duhet të frikësohen shqiptarët nga uniteti serb apo serbët nga uniteti shqiptar? Apo duhet të shihet si një proces i paqes në Ballkan, një strukturim i tij, përmes një marrëveshje shqiptaro-serbe, dhe të sponsorizuar nga bashkësia ndërkombëtare Euro-Atlantike? Apo duhet të shihet si një marshim i ri serb, mbi kalin e çmendur të nacionalizmit dhe i sponsorizuar nga ariu rus që po lëvizë shqetësueshëm me armatim të rëndë nëpër zona urbane?

A është Asociacioni shqiptar përgjigje unitetit serb apo lëvizje autoktone?

Viti 2017 shumë nga këto pyetje do i stolisë me përgjigje sikur të ishin pemë të vitit të ri…! Disa mbase do mbesin edhe për vitet apo dekadën tjetër e cila nuk është larg.