LAJMI I FUNDIT:

Ulet konsumi, shqiptarët shpenzojnë më pak

Ulet konsumi, shqiptarët shpenzojnë më pak

Familjet shqiptare po shpenzojnë nga dita në ditë më pak para për konsum. Kjo tashmë konfirmohet edhe nga shifrat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë gjatë tre-mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është ulur 5.9%, ndërsa krahasuar me tre-mujorin paraardhës është ulur 12.3%.

Rënie më të madhe ka pasur në grupin “Artikuj të përzierë kryesisht jo ushqime, në njësi tregtare jo të specializuara”, me 9.1% në këtë tre-mujor, krahasuar me tre-mujorin paraardhës. Me ulje paraqitet dhe grupi “Tregtia dhe riparimi i automjeteve” me 1.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, ndërsa krahasuar me tre-mujorin paraardhës indeksi është ulur 0.6%.

Faktorët që ndikuan në uljen e shpenzimeve janë: rënia e dërgesave të emigrantëve, kreditë konsumatore, ulja e shpenzimeve publike, mungesa e dukshme e parasë në treg, si dhe frika e krizës./Telegrafi/