LAJMI I FUNDIT:

Turqia premton konferencë të donatorësh për Kosovën

Turqia premton konferencë të donatorësh për Kosovën

Përfaqësuesit dhe udhëheqësit e bizneseve të Turqisë kanë shprehur qëndrimin që të organizojnë së shpejti një konferencë të donatorëve për tërheqjen e investimeve të reja në Kosovë.

Kryetari i Bashkimit të Dhomave Tregtare të Turqisë, Rifat Hisarciklioglu, tha se Turqia dhe Kosova duhet që paraprakisht të nënshkruajnë një marrëveshje të tregtisë së lirë dhe një marrëveshje për të parandaluar tatimin e dyfishtë ndërmjet dy vendeve.

Hisarciklioglu theksoi se shteti turk ka si objektiv sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Hisarciklioglu, i cili është edhe kryetari i Bordit Ekonomik të Marrëdhënieve me Jashtë, në një drekë zyrtare ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se domosdoshmëri për rritjen e shkëmbimeve tregtare është përmirësimi i prosperitetit në Ballkan.

Ai ka shtuar se demonstratat e dhunshme në Afrikën Veriore kanë orientuar fokusin e zhvillimit të tregtisë së Turqisë kah pjesa ballkanike.
“Kjo është detyrë e biznesmenëve për të punësuar njerëz. Është një objektiv strategjik i Turqisë për të siguruar paqe dhe stabilitet në Ballkan", theksoi Hisarciklioglu.


Në anën tjetër, kryeministri Thaçi tha se do të japë të gjitha llojet e mbështetjes për biznesmenët turq të cilët duan të investojnë në Kosovë.

Sadullah Sipahioglu, kryetar i Këshillit të Bizneseve të Turqisë, ka thënë se shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve, i cili ishte aktualisht 300 milionë dollarë në vit, mund të rritet deri në 1 miliard dollarë në qoftë se Turqia dhe Kosova nënshkruajnë një marrëveshje të tregtisë së lirë. /Telegrafi/