LAJMI I FUNDIT:

Trusti diskriminues

Trusti diskriminues

Tusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK), po i dëmton kontributdhënësit pensionalë, duke mos ua dhënë menjëherë paratë që i kanë të grumbulluara deri në momentin kur kanë dalë në pension të pleqërisë, në moshën 65-vjeçare.

Shumë qytetarë të Kosovës që kanë mbushur këtë moshë e që janë në gjendje të rëndë ekonomike, nuk mund të shfrytëzojnë kursimet e tyre për t’u shëruar apo për të siguruar mirëqenie stabile për familjet e tyre, sepse një gjë të tillë ua ndalon Trusti.

Jeton Demi, zyrtar për medie në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, thotë se kur një kontribuues mbush moshën 65-vjeçare dhe aplikon për pension në Trust, shpërndarja e kontributit të akumuluar bëhet në tri mënyra:

Nëse kontribuuesi në momentin e aplikimit i ka të grumbulluara në llogarinë e tij në Trust nga 2 mijë deri 10 mijë euro, atëherë e gjithë shuma e akumuluar i kalohet në llogarinë e tij personale në një bankë të Kosovës dhe kontribuuesi mund t’i tërheqë mjetet në faza, përkatësisht nga 100 euro në muaj.


Ndërkaq, nëse kontribuuesi në momentin e aplikimit i ka të grumbulluara në llogarinë e tij më shumë se dhjetë mijë euro, atëherë e gjithë shuma e akumuluar i kalohet në llogarinë e tij personale në një bankë të Kosovës, dhe kontribuuesi mund të tërheqë me faza nga 1 për qind të vlerës së akumuluar çdo muaj. Edhe në këtë rast, banka përkatëse, i shton vlerës së akumuluar të kontribuuesit vlerën e interesit për periudhën përkatëse.

Demi tha se këto nivele janë përcaktuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

Në anën tjetër, zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, thotë se shpërndarja e mjeteve të Trustit bëhen në bazë të Rregullit 11 mbi Ndryshimin e Rregullës mbi Pagesën e Pensioneve Individuale të Kursyera të datës 25 korrik 2002.

Ai thotë se në bazë të kësaj rregulle nëse vlera në llogarinë individuale të pjesëmarrësit është 2000 euro ose më pak, Trusti mund të paguajë shumën totale.

“Nëse vlera në llogaritë individuale të pjesëmarrësve është më shumë se 2000 euro, mirëpo më pak se 15,000 euro, Trusti mund të negociojë rregullimin e pagesave fazore, duke iu paguar pjesëmarrësve jo më pak se 500 euro për një anuitet, për bilancin e llogarisë.
Eksperti i ekonomisë, Nagip Skenderi, rregullat për pagesën e kontributeve pensionale i konsideron si të paarsyeshme. “Ky rregull është shpikur nga Trusti për të vetmin qëllim që të kenë sa më shumë mjete në menaxhim”, thotë Skenderi. Ai ka shtuar se rregullat e tilla nuk korrespondojnë me rregullat e vendeve të Evropës dhe të rajonit. /Zëri/Telegrafi/