LAJMI I FUNDIT:

Top-reformator në biznes, as në ëndërr

Top-reformator në biznes, as në ëndërr

Për të arritur në top-dyzetëshin e të bërit biznes në vitin 2014, Kosovës i duhet çdo vit t’i tejkalojë nga 30 vende në top-listën e Bankës Botërore. Sipas planit për zhvillim ekonomik 2011-2014 të hartuar nga Qeveria e vendit në Banjsko të Bullgarisë, parashihet që në vitin 2014 Kosova të arrijë në top 40-shin e vendeve sa i përket të bërit biznes, përderisa në vitet 2012-13 t’i njihet statusi i top-reformatorit nga Banka Botërore.

Kjo, sipas qeverisë, mund të arrihet përmes reformës gjithëpërfshirëse me, siç është thënë, sistemin e gijotinës, duke eliminuar 50 për qind të licencave dhe lejeve për biznesin.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se gjatë dhjetë vjetëve të fundit mjedisi biznesor në vend nuk ka evoluuar në aspektin pozitiv dhe kjo, sipas tij, ka bërë që Kosova të renditet e 119-ta në listën e Bankës Botërore për të bërë biznes. Ndërsa sa i përket mbrojtjes së investimeve, sipas Sadikut, Kosova renditet e 173-ta në këtë listë.
”Nuk e di çfarë çudie duhet të ndodhë për të arritur në top 40-shin e Bankës Botërore”, ka thënë Sadiku. Sipas tij, është shumë vështirë që ky plan i qeverisë të realizohet, pasi që, siç thotë ai, çdo vjet Kosovës i duhet t’i tejkalojë nga 30 vende.

“Nëse Kosova i tejkalon vetëm nga 10 vende ne do të jemi të kënaqur”, ka potencuar Sadiku, duke shtuar se edhe vendet tjera do të bëjnë përpjekje pozitive ta përmirësojnë mjedisin afarist.


Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se nëse vazhdohet me këtë trend, atëherë vendi e ka shumë të vështirë ta arrijë në top 40-shin e vendeve të botës sa i përket të bërit biznes. Rukiqi nuk është shumë optimist se do të realizohet ky plan i Qeverisë së Kosovës. “Nuk jam optimist se ky plan do të jetë i realizueshëm deri në vitin 2014”, shprehet Rukiqi.

Megjithatë, sipas tij, nëse hiqen licencat dhe lejet për 50 për qind për bizneset, atëherë mjedisi afarist në vend do të shënojë përmirësime të dukshme.

Përndryshe, Qeveria e Kosovës planifikon ta përmirësojë mjedisin afarist në vend, duke e rritur formalizimin vullnetar të aktivitetit ekonomik, përmes eliminimit të shkaqeve që dekurajojnë legalizimin, duke e bërë reformën e tatimit në pronë që të rrisë financimin komunal, zvogëlimin e keq-zbatimit të sistemit rregullator dhe lehtësimin e presionit ndaj buxhetit nacional.

Po ashtu parashihet të bëhet përmirësimi i lidhjes ndërministrore, përkatësisht mes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, për përkrahjen e promovimit të jashtëm ekonomik dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë. /Zëri /Telegrafi/