LAJMI I FUNDIT:

Toka e hidhur dhe e ëmbël

Toka e hidhur dhe e ëmbël
Domenico Modugno

“…Amara terra mia, amara e bella mia … Adio, adio amore, io vado via…”

Nga: Josif Papagjoni


Po i dëgjoja këto vargje në zërin e përmallshëm të Modunjos (Domenico Modugno), sot mbasdite. Dhe, ma pushtoi shpirtin nostalgjia e viteve të mia të rinisë. Kaq herë këtë këngë e këndoja me tim vëlla, Mitron, me dy kitarat tona për qejf … Vitet ’60! Atëherë kuptoja mallëngjimin e tingullit dhe diçka nga gjuha. Sot, eh, s’di pse ma drithëroi shpirtin. Vallë se jam plakur? Jo. Vallë se më mbyti nostalgjia? Jo e gjitha … Kënga flet për një “lamtumirë të tokës së hidhur dhe të ëmbël njëherësh, për një lamtumirë nga e dashura ë shtrenjtë” për të shkuar diku, ndofta nga fshati yt në një qytet të madh e të huaj, ndofta nga dheu yt në një tjetër tokë të huaj, shtet, kontinent, tjetër gjuhë, të tjerë njerëz … Dhe, atëherë: Lamtumirë dashuri! Lamtumirë atdhe! Lamtumirë njerëz të mi, lamtumirë nënë, baba, motër, vëlla! Lamtumirë!…

Sot, ne shqiptarët, e dimë ç’është emigrimi, ajo hidhësirë që na mbetet thellë, ai helm, por dhe ai mall, ajo ëmbëlsirë nostalgjie, kujtimesh, imazhesh. Italianët e bënë këtë sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, por dhe më parë. Ne e bëmë pas shembjes së komunizmit. Ikëm nga sytë këmbët, barkbosh, në mjerimin tonë biblik, me një trastë ëndrrash dhe shpresash hedhur shpinës. I lamë shtëpitë tona, të dashurat, familjen, pemët, malet, detin, “amara e bella terra mia”. Ikëm për mos t’u kthyer më.

Rreth dy milionë shqiptarë dhe ende po ikim me dy valixhe plaçkash tërhequr nëpër aeroporte. Emigrimi është i rëndë, afërmendsh, se ka gjithë gravitetin e ndarjes, mallit, dhembshurisë për të afërmit, tokën, mbamendjen. Por, ai nuk është një tragjedi, sepse është, sakaq e sidomos, edhe një kërkim për jetë me të mirë, teksa ndarja mund mos të jetë përfundimtare. Mundësitë e kthimeve në një bote pa kufij, të hapur, me teknologji komunikimi të jashtëzakonshme dhe vajtje-ardhje të shpeshta, e lehtëson nga pesha tragjike dhe mallëngjyese emigracionin. Andaj dhe, ndërsa ma gufoi shpirtin kënga, dramaciteti dhe zëri i Domeniko Modunjos, thashë me vete: Sa mire ne shqiptarët i patëm, më në fund, udhët e botës të hapura pas atij burgimi 50 vjeçar, duke e kthyer emigrimin në një premisë zhvillimi, jetë më të bukur, pasurimi dhe zhvillimi te gjithanshëm, madje edhe kombëtar.

Eh, i mrekullueshmi Domeniko Modunjo, ç’ma solle afër rininë time, vitet ’60, kitarat, nostalgjinë dhe ma vure mendjen në vrap në një tjetër kohë … E, megjithatë, megjithatë Domeniko, ti ke te drejtë: “Amara e bella terra mia  … Amore, amore, io vado via…”