LAJMI I FUNDIT:

Tipare të prozës poetike te Migjeni

Tipare të prozës poetike te Migjeni

Nga: Albana Ndoja – Deda

Nëse lexon prozën e Migjenit dhe një lexues i thjeshtë nuk e ka të vështirë të dallojë se ka diçka të veçantë nga pikëpamja e koherencës dhe veçanërisht kohezionit. Në fakt këtë veçanti e dallim nga tradita paraprirëse, ose më mirë të themi nga shkrimtarë të tillë si Noli, Poradeci, Kuteli që qenë edhe paraprirës edhe bashkëkohës të tij e kanë vënë në dukje edhe studiues[1] tanë të njohur. Kadare shprehet kështu për të “Ndarja e tij (nga tradicionalja A. N. ) është në logjikën e gjërave, është në themel të artit të tij, në gjithë strukturën dhe në çdo qelizë të këtij arti. Letërsia e tij kështu ka lindur si një gjë e veçantë , një gjë “tjetër lloj[2]. ”.


Për hir të së vërtetës ky pohim përmbledh të gjithë rrafshet e analizës që mund t’i bëhet tekstit të Migjenit si në prozë, ashtu dhe në poezi.

Duhet shtuar këtu se gjithsesi pjesa më e madhe e studiuesve e kanë parë veçantinë e tij më së shumti të lidhur me tematikën specifike të teksteve të Migjenit, duke e përshkruar këtë të fundit me tone patetike, që ia lejon edhe vetë teksti i Migjenit, që është therës dhe mjaft metaforik[3].

Megjithatë studiuesit asnjëherë nuk kanë mohuar paralelizmat, që mund të hiqen mes kësaj vepre dhe shkrimtarëve modernë të kohës, por të mahnitur nga kjo vepër kanë preferuar ta mbajnë gjithsesi në kuadrin e një laboratori origjinal (ose të paktën nuk janë thelluar të ngjashmëritë veçanërisht kompozicionale).

Kështu, Kadare megjithëse në një pjesë tjetër të punimit të tij pohon se ai (Migjeni) ishte një njohës i mirë i letërsisë bashkëkohore europiane (pa lënë jashtë shkrimtarët rusë), përsëri nuk e specifikon saktë pozicionimin e këtij të fundit (Migjenit) ndaj kësaj letërsie, madje në ndonjë rast e përjashton[4] duke e parë si një fenomen sui generis[5].

Nga pikëpamja kohezive, Arshi Pipa e karakterizon metaforën e Migjenit si jo të zakonshme madje avangardë do e perifrazonim strukturën alegorike që Pipa përdor për të (“Ajo çka e shquan Migjenin prej çdo shkrimtari tjetër shqiptar është shija e tij për metaforën, e cila në veprën e tij është hiperbolike dhe eksentrike. Metafora është themeli i gjuhës poetike, nuk ka letërsi pa të. Por metafora në poezinë shqipe është zakonisht shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët, që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime të dhunshme apo kontraste të thella. Përkundrazi, Migjeni nuk procedon shkallë – shkallë, por me hapa viganë dhe metafora i shërben si trampolinë. Mund të thuhet se metafora është forma e tij natyrore e shprehjes. ”, marrë nga “Miti i Perëndimit në poezinë e Migjenit”) .

Ernest Koliqi, shprehet se “pjesa më origjinale e Migjenit, që mund t’i japë një vend në letërsinë mikpritëse shqiptare, nuk qëndron aq në poezinë e tij të vrullshme me sfond social, sesa për disa ritme të ulëta (intime), të cilat të kujtojnë Corazzinin, ku shprehet ankthi për shkrirjen e ngadaltë të linfave vitale që, duke i holluar ndjesitë, zbulohet bukuria shkëlqyese, e paparë më parë, e botës nga e cila është e dënuar të shkëputet shpejt[6]. ”. (Kujtojmë se Sergio Corazzini [6. 02. 1886-17. 06. 1907] krahasohej me shkrimtarë të tillë si Malarme, i cili njihet si ndër përfaqësuesit kryesorë të simbolizmit dhe avangardë dhe për rrymat e reja letrare që e ndoqën atë. ).

Kadareja po ashtu thekson se “Është quajtur disa herë Rembo shqiptar, por asnjëherë s’ka qenë e qartë se ç’pjesë ka në këtë krahasim vdekja e parakohshme , e c’pjesë ka zymtia e veprës së tij. . . . ”(I. Kadare, Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, 1991, f. 111).

Në këtë kontekst referencash ne mund te dalim në përfundimin se kemi të bëjmë me një tekst komplet te veçantë si nga tradita paraprirëse, ashtu dhe ajo bashkëkohore e Migjenit (me përjashtime të vogla), kjo në lidhje me tematikën, mesazhet dhe peshën që u jep këtyre struktura metaforike jo e zakonshme.

Nga ana tjetër, pavarësisht paralelizmave me shkrimtarë të tjerë të huaj që më së shumti i përkasin o pararendësve ose avangardistëve europianë të kohës, si dhe faktit që ai ishte shumë i informuar, jo thjesht nga pikëpamja letrare, nuk besojmë se mund të mos kenë dhënë asnjë lloj reflektimi që të jetë sublimuar në aspektin kompozicional të tekstit të tij.

Përveç tematikës dhe llojit të tonit që shpesh i ka çuar kritikët të ngrenë paralele me autorë europianë, ne mendojmë se ka tipare të stilit të veprës së tij që duhen parë në këtë kontekst. I tillë është, sipas nesh, karakteri poetik i prozës së tij.

Këtë bindje tonën (dhe jo vetëm) do ta ilustrojmë me analizën e njërës nga prozat e Migjenit që gjendet në vëllimin “Novelat e qytetit të veriut” dhe përkatësisht:

Dilem

Tragjedi apo komedi

 Gjini njerëzuer asht një kitarë e gjallë , mbi të cilën një dorë pasionale përfton të dridhunat e telave ndër melodina…. tragjike a komike?

Gjini njerëzuer asht një kitarë e gjallë, nëpër të cilën Shejti dhe Katili arrijtën shprehjen e …. tragjedisë apo komedisë vet.

Gjini njerëzuer asht një kitarë e gjallë ku perëndia ndër melodina të gjata, të pasosme, gjeti shprehjen madhshtore të …të tragjedisë apo komedisë së vet? Kushedi[7]?…

Janë të dallueshme në këto paragrafë përsëritje të shumta të kokave emërore të tilla si: gjini(3), njerëzuer (3), kitarë (3), e gjallë(3), tragjedi(2), komedi (2). Duhet thënë se në paragrafin e parë dy fjalët e fundit janë rimarrë nga mbiemri i së njëjtës familje fjalëformuese (tragjik, komik).

Po ajo që lexuesi e studiuesi dallon është se këto njësi (emra) nuk perceptohen në aparatin e tyre konjitiv si njësi të veçanta, por si grupime, sintagma (ashtu si realisht reflektohen të projektuara në tekst).

Përsëritja në struktura kaq të zgjeruara përbën skeletin kryesor koheziv të përdorur nga shkrimtari në këto paragrafë, i cili zgjerohet me njësi të tjera që shtjellojnë përkatësisht sintagmën metaforike “kitarë e gjallë. ”.

Njësia zgjeruese që gjithsesi është pjesë e komplementimit të kokës metaforike[8] “kitarë” është struktura që dallon paragrafët njëri nga tjetri (mbi të cilën një dorë pasionale përfton të dridhunat e telave ndër melodina…tragjike a komike?/ nëpër të cilën Shejti dhe Katili arrijtën shprehjen e …. tragjedisë apo komedisë vet. / ku perëndia ndër melodina të gjata, të pasosme, gjeti shprehjen madhshtore të …të tragjedisë apo komedisë së vet?)

Në fund të tre paragrafët mbarojnë pothuajse njësoj (te i treti shtohet pjesëza dyshuese në kuadrin e fjalisë, e cila gjithsesi është pjesë e mekanizmit kryesor të ndërtimit të gjithë tekstit që është kontrasti. Tërheqim vëmendjen se kemi paragrafë me figuracion që i mbishtresohen njëri tjetrit, metafora zgjerohet me metaforë tjetër. ).

Përsëritja nuk ndodh vetëm formalisht, pasi nga pikëpamja perceptive koka kryesore semantike e gjithë fjalisë është sintagma “gjini njerëzuer”, e cila rimerret nga metafora “ kitarë e gjallë” (nuk mund të mos dallohen në të nuancat e perifrazës gjini njerëzuer-kitarë e gjallë). Kjo e fundit rimerret nëpërmjet përemrit ose ndajfoljes lidhore për ta zgjeruar me fjalinë relative (njësitë që ndryshojnë paragrafët) . Në këtë strukturë mbishtresimi figurativ e dendësohet, po në referencë me kokën nga varet “kitarë e gjallë” (Kjo e fundit si pjesa përbërëse e kallëzuesit tradicional emëror me vlera perifrastike e kokës semantike “gjini njerëzuar”).

Një organizim i tillë koheziv[9] ndikon direkt në leximin dhe interpretimin verbal të tekstit nga lexuesi i çdo lloji (në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme), i cili imposton diksionin drejt një intonacioni më të ngritur, duke krijuar një ritëm të ngjashëm në të tre paragrafët.

Sintagmat kryesore që përsëriten në mënyrë te njëjtë ndahen me cezura kohore, që venë më në pah pjesën plotësuese që zgjeron sintagmën “kitarë e gjallë”, e cila përbën dhe pjesët e ndryshme në tre paragrafët. Këto ndalesa kohore (2 janë më të dallueshme: pas “e gjallë” dhe pas tre pikave[10]) kanë distancë kohore pothuajse të njejtë, duke krijuar të njëjtin ritëm në të tre paragrafët (Dihet se ritmi është një element mjaft i rëndësishëm i organizimit të strukturës së tekstit poetik. ).

Po çfarë është ky tekst, që Migjeni e quan novele, pra një lloj të prozës?

Këtu hyjmë në debat teorik mbi llojin e tekstit letrar (e jo vetëm). Në fakt ky lloj debati, i nxitur nga tekste me të dhëna të ngjashme ka lindur me kohë në studimet teorike botërore. Ai lidhet më së shumti me nocionin e “prosepoem” që teoricienët e lidhin në zanafillë me Bodlerin (Charles Baudelaire) dhe veprën e tij “Le spleen de Paris”, që ai e quante “Petit poemsonprose[11]” (në Rusi shihet Ivan Turgenievi si përfaqësues i këtij lloj teksti me “Poems in prose”).

Poemthat në prozë të Bodlerit përbënin një prirje avangarde për kohën dhe njëkohësisht shiheshin si një përballje mes metodës tradicionale të kohës dhe asaj moderne[12].

E përcaktuar nga një oksimoron në emër termi “prosepoem” (poemat në prozë), ai konceptohej si një tekst lirik, po pa elementet klasikë të prozodisë së tekstik poetik.

Sipas studiuesve të fushës, pikërisht ky lloj teksti (prosepoem) krijon mundësi kalimi nga poezia në prozë[13] (dhe jo vetëm A. N. ).

Studiuesja Donika Dabishevci-Fetullahu[14] me të drejtë ka vërejtur se proza e Konicës, Koliqit, Camajt, Hanxharit janë proza poetike (Ajo përmend dhe Migjenin, por nuk merret me të, të paktën në punimin e doktoraturës, që kemi konsultuar ne. ). E duke sqaruar këtë nocion në tekstet e shkrimtarëve të lartpërmendur, ajo liston dhe një pjesë tiparesh të prozës poetike, të cilat jo të gjitha janë karakteristikë e çdo lloj proze poetike[15].

Dhe nga ana tjetër, një pjesë prej tyre janë karakteristike dhe për prozat e zakonshme, por pa denduri përdorimi. Është pikërisht ky i fundit (denduria në përdorim) që zakonisht i kodifikon si stilema. Delville e sheh konceptin prosepoem[16] si “aftësi të poezisë për të sfiduar pushtetin e zhanrit, si një gjest autoritar ky, që tejkalon rregullat e pranuara dhe kufijtë, në mënyrë që të na drejtojë ne për të parashikuar këto rregulla dhe kufinj[17]”. Dhe në fakt simbolistët mbahen si prishësit e bindur të kanoneve klasike.

Në këtë kontekst duhet thënë se një ndër karakteristikat perceptive-konjitive të një teksti poetik është pikërisht ritmi, që krijohet në varësi të përsëritjes në larghedhje kohore dhe pozicionale të përafërt. Kur thuhet përsëritje kemi parasysh se një pjesë e mirë e figurave letrare që shfrytëzohen në tekstin poetik (e jo vetëm) kanë pikërisht përsëritjen në pozicione të ndryshme të fonemave (që marrin nuanca simbolike në varësi të njësisë së projektuar dhe strukturës, ku bën pjesë kjo e fundit), fjalëve që gjithashtu janë pjesë e gjithë organizimit strukturor të tekstit, e përftesave specifike që pavarësisht se nuk realizohen me të njëjtat fjalë, projektohen njësoj e krijojnë efekt poetik.

Kështu, në fragmentin më lart krijohet një ritëm në lexim, pikërisht nga struktura të zgjeruara të njejta që përsëriten në të tre paragrafët, që kanë të njëjtat pika ndërprerjeje dhe në fund mbarojnë pothuajse njësoj.

Kemi parasysh që janë tre fjali të gjata, të cilat nëse do të ishin të shtrira fizikisht vetëm në një rresht nuk do të bënin një dallim as nga pikëpamja vizive me poezinë e mirëfilltë.

Migjeni luan dhe me konjicionin e marrësit, pasi i indukton atij dhe perspektivën e situatës. Metaforën kryesore me të cilën i referohet “gjini njerëzuer ”në tre paragrafët e parë e ka përzgjedhur një instrument muzikor (kitarën) që vetvetiu në perceptim stimulon lidhjen me melodinë si tipar i zakonshëm i poezisë.

Po kështu dhe ai indukton në tekst fushën semantike muzikore që lidhet me të (melodina, dorë, të dridhunat, të telave, Te Deum etj. ) të cilat nuk i përkasin vetëm rrafshit konkret të ekzekutimit, por janë të shoqëruara me komplemente ndjesore njëkohësisht (dorë pasionale, dora me pasion të ndezun etj. , te e dyta përshkallëzohet ndjesia, pasi emërzohet mbiemri dhe merr vetë një komplement tjetër ndjesor).

Më poshtë Migjeni e indukton melodinë edhe me imitimet auditive (tingullimitimet). Kështu, marrëdhënia “e gjinisë njerëzuer” me fatin e tij që lidhet me “Tragjedinë apo komedinë?” (tragjiken apo komiken), realizohet veç perspektives gati-gati minimaliste edhe me elementet fonike të melodisëtipike të gjithë tekstit, si një dikotomi kontrastike, për të dhënë dy alternime të skajshme të situatës dhe të përjetimit (krahasojmë ting-tung-tang/ tang-tung-ting, vihet re kundërvënia e zanoreve të mbyllura drejt atyre të hapura që lidhet me gëzimin në këtë kontekst te tingullimitimi i parë, kurse te i dyti ndodh e kundërta[18]. ).

Në vijim melodia e brendshme e lëvizjeve ndjesore përshkruhet si rrethanë e procesit, madje me alternimet ritmike që e çojnë ndjesinë e marrësit drejt një makthi përpëlitës ndjenjash shpërthyese që ndal, pasi këto të fundit prishin (plagosin) vetë burimin e tyre (kitarën):

ngadalë-ngadalë, pak shpejt, shpejt ma shpejt, shumë shpejt, e thonjtë e shkapërthyes e plagosin kitarën, por jo gjininë! zemrën. . [19]).

E natyrisht “sh-ja” aliterative shënjohet si një “sh” përpëlitëse, vuajtëse, rraskapitëse.

Duhet shtuar në këtë kontekst se sekuenca e mësipërme përbën, siç thamë, gjithë shtrirjen e mundshme të shkallëzimit në pamje të parë ndajfoljor, por që në fakt është foljor ( lidhet me foljen “lëmon”). E themi këtë se fatmirësisht shkallëzimi si figurë është njohur në letërsi dhe po këtu është pranuar dhe për emrat dhe foljet, kurse gramatika tradicionale (këtu te ne dhe jo vetëm ) nuk e ka parë të foljet e emrat, por të ndajfoljet dhe mbiemrat. Gramatika moderne e sheh në radhë të parë shkallëzimin semantik te foljet dhe te emrat dhe ndajfoljet e mbiemrat janë reflektues të shkallëzimit të këtyre të fundit[20].

Shkallëzimi me efekt poetik është mjaft i përdorursi përftesë dhe te Migjeni. Në vazhdim të përsëritjeve përshkallëzuese ndajfoljore të mësipërme gjejmë natyrisht ato më të zakonshmet për Migjenin foljoret (Migjeni përdor shumë folje për të thënë në mënyrë lakonike shumë, pasi folja është bombë informative edhe kur është e pashoqëruar me komplemente në strukturë sipërfaqësore. E kjo i shkon për shtat mjaft një proze të shkurtër si ajo e tij. ): gjaku pikon, pikon…teli u këput…melodia vdiq-dhe njeriu!

Vërejmë shkallëzimin foljor “pikon-u këput-vdiq”i cili ndërlidhet nga metafora e fundit (melodia vdiq) me përjetimin dhe përpëlitjen njerëzore. Kjo gjë theksohet nga lidhja direkte me vizën dhe strukturën, që paraprihet nga një lidhës shtuese, që jep semantikën e paralelizmit të procesit dhe njëkohësisht të shuarjes së tij (-dhe njeriu). Është pikërisht sekuenca e fundit që ndërpret ritmin rënës të njëtrajtshëm në mënyrë brutale, ashtu siç është dhe gjendja që përcjell ai (vdekja), një perlokucion i frikshëm dhe drithërues.

Funksioni i trepikëshit në këtë tekst është mjaft interesant. Në tre paragrafët e parë ai ishte pjesë e ilokucionit të dyshimit kontrastiv, që është pjesë e organizimit të gjithë tekstit. Po kështu ai është pjesë e organizimit ritmik të paragrafit, për arsye të projektimit të ty renë të njëjtin pozicion në të tre paragrafët e parë.

Në pjesën e mësipërme (gjaku pikon, pikon…teli u këput…melodia vdiq-dhe njeriu!) ai është tregues i një procesi që pavarësisht se po shkon drejt ndërprerjes, nuk ka përfunduar. Në rrafsh formal ndërprerja e krijuar nga trepikëshat përbën cezurat ndarëse me larghedhje të njejtë që induktojnë përsëri intonacionin poetik. Pra në këtë pjesë funksioni ritmik i tyre është më i dallueshëm.

Efekti poetik në “Tragjedi apo Komedi?” gjithashtu realizohet në enumeracionet emërore, njësitë përbërëse të të cilave janë përzgjedhur për të krijuar rimë të brendshme:

“Por tash gjini njerëzuer asht skena ku e Mira, e Keqja, Perëndia shfaqin dramëmnie e dashunie, dëshirash e apatie, adhurimesh e mallkimesh… “ (Është e dallueshme rima e brendshme. ).

Po kështu, sintagma të zgjeruara në lidhje bashkërenditëse me pak lidhëza, të organizuara si brenda sintagmës emërore, ashtu dhe nga bashkërenditja e kokave të zgjeruara foljore janë të zakonshme në tekst dhe i krijojnë atij një diksion poetik. Gjithnjë në proces shkallëzimi që e çon përjetimin në ekstrem, zakonisht pezhorativ:

“…. e tue shfaqë dramën luftarake, me një shkathtësi artistike dhe me një madhështi teatrale ngulin thika të mprehta, lëshojnë shëgjeta të helmueme e vjedhin plumbin e vluem dhe bërtasin me britmë ngadhnjyese. ”.

Gjithsesi më i zakonshëm në këtë kontekst mbetet rimarrjet në struktura paralele jo aq të zgjeruara sa në tre paragrafët e parë. Këto mund të jenë sintagma emërore, foljore etj. :

Të gjithë presin prej njeriut të qeshunit e tij e qashtu me ia fillue një të qeshuni universal, me ia fillue një të qeshuni që ka për të tundë Kozmosin me planetat dhe sferat në të…-ndërsa njeriut zemra do t’i pëlsasëse jeta i mvaret nga ai të qeshun, mvaret nga mshira e planetave të pamshirta, mvaret nga ndjesa e sferave të pandjesi, mvaret nga absurdi i cili e krijoi. ”

Nuk mund të anashkalohen aliteracionet e brendshme që vijnë si rezultat i përdorimit të fjalëve me të njejtën temë fjalëformuese, të cilat projektohen gjithsesi semantikisht si kontraste (mvaret nga mshira e palneteve të pashirta, mvaret nga ndjesa e sferave të pandjesi…).

Në makrostrukturë, sipas nesh, krijon efekt poetik vetë përftesa kryesore mbi të cilën është ndërtuar pjesa, përkatësisht kontrasti.

Ky i fundit induktohet që në titull: Dilem

Semantikisht kjo fjalë ka dyshimin, pavendosmërinë, po gjithsesi parashikon ekzistencën e dy anëve.

Titulli tjetër: Tragjedi apo Komedi?

Vini re se janë rimarrje të njëra tjetrës në strukture të thellë : Jam në dilemë. = Është tragjedi apo komedi?

Në vijim në tekst gjen: tragjike a komike; Kushedi?; Tingtungtang… tangtungting… ; krijesë e dorës së mbrame… krijesë e dorës së parë; E Mira e Keqja. . ; dramëmnie e dashunie, përbuzje e simpatie, dëshirash e apatie, adhurimesh e mallkimesh; tragjikomedi etj. etj.

Të gjitha këto janë të projektuara në struktura. Ato dalin herë përjashtuese dhe nga fundi vijnë dhe bëhen përplotësuese.

Kontrasti ka shkallëzimin e vet deri në paradoks. Vini re strukturat e mëposhtme:

Një krijesë e dorës së mbrame i shpallte për idhtimet e veta kufomës t’ish njeriut, ndërsa në sy i shkëlqente një lot krokodili, ku u pasqyronte tragjedia e kufomës.

Ishte të qeshunit e njeriut para fatalitetit komik.

Lufta e fitueme, tragjedia përfundohet me një “Te Deum” majestoso, me një “Te Deum Laudeamus” plot sinqeritet të qelbsuem.

Qeshu paljaco, ndërsa zemra po të pëlcet!

Dy herë del direkt sinonimi i paradoksit: absurditet, absurd.

Në konjicionin e marrësit një mekanizëm i tillë kompozicional i përsëritur kaq dendur, madje me përshkallëzim krijon predispozitën deshifruese të marrësit për tekstin vijues. Kjo i krijon më shumë mundësi këtij të fundit ta memorizojë tekstin më lehtë. Një metodë e tillë i jep gjithashtu një ritëm specifik tekstit. Marrësi nuk e ka të vështirë ta dallojë këtë mekanizëm dhe ta përjetojë thellësisht efektin përshkallëzues të tij, që del me një larmishmëri njësish të rrafsheve të ndryshme.

Nga pikëpamja tematike është një tekst i mbështetur në një diskutim filozofik: njeriu dhe fati i tij, njeriu mes tragjikes dhe komikes, njeriu me tragjiken dhe komiken. Një temë mjaft e prekur nga shkrimtarë, filozofë, psikologë, sociologë etj. etj.

Përzgjedhja e personazheve në njëjës, të paidentifikuar (gjini, qenie), shumica e foljeve në kohën e tashme, vetëm tek paragrafi i katërt, ku kemi një narracion të shkurtër (skena e vdekjes së ish njeriut) foljet kalojnë në të kryerën e thjeshtë, mbase për të dhënë efektin perlokutiv të mbarimit real, të gjitha këto specifike për një traktat filozofik.

Mjaft emra, mbiemra që vijnë nga foljet dhe gjithashtu shumë folje në përdorim. Një gjë e tillë e bën tekstin më të dendur në mendim, imazh dhe njëkohësisht i jep mundësi atij të jetë lakonik dhe poetik njëkohësisht.

Në përfundim mund të themi se edhe perceptimi poetik në strukturë që induktohet në ndjesi është i dallueshëm tek marrësi i çdo lloj niveli.

Ajo që duam të theksojmë në fund është fakti se gjenialiteti i Migjenit që shfaqet në mesazhe, në tematikë e veç të tjerash dhe në trajtën poetike të tekstit të tij lehtësisht të dallueshme dhe të perceptueshmenë nivele të ndryshme analize, nuk janë një shfaqje e veçuar nga tradita më avangardë europiane e kohës.

____________

Shënimet
[1]E kemi fjalën për trajtimet e bëra në lidhje me Migjenin nga I. Kadare , R. Idrizi, R. Hoxha etj.
[2] I. Kadare, Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, 1991, f. 31.
[3] I referohemi A. Pipës, Miti i perëndimit në poezinë e Migjenit, f. 9 që e sheh strukturën metaforike si mjaft të ndërlikuar në poezinë e Migjenit “ Ajo çka e shquan Migjenin prej çdo shkrimtari tjetër shqiptar është shija e tij për metaforën, e cila në veprën e tij është hiperbolike dhe eksentrike. Metafora është themeli i gjuhës poetike, nuk ka letërsi pa të. Por metafora në poezinë shqipe është zakonisht shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët, që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime të dhunshme apo kontraste të thella. Përkundrazi, Migjeni nuk procedon shkallë – shkallë, por me hapa viganë dhe metafora i shërben si trampolinë. Mund të thuhet se metafora është forma e tij natyrore e shprehjes”.
[4] R. Hoxha, Korbi dhe Migjeni, 1997 përmbledh mendimin e Kadaresë f. 59 : “ Migjeni nuk është një Rembo shqiptar…e aq më pak një Lermontov, apo një Klajst i maleve tona. Ai ishte thjesht Migjeni, i vetmjaftueshëm për të qenë shkrimtar i madh shqiptar, një ndër më të shqetësuarit shkrimtarë europianë të viteve 30 që jetoi dhe punoi në një kohë të vështirë, tragjizmi i së cilës vulosi veprën e tij. ”.
[5]I. Kadare, Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, 1991: “Për shkak të rrethanave e ka ëndërruar këtë letërsi disi larg (letërsinë shqipe A. N. ). Tani që u afrohet portave të saj të rënda, që dëgjon kërkëllimën e zinxhirave të tyre, turbull e ndien se ka diçka që është vjetruar në këtë letërsi. Ka lexuar gjithfarë librash e autorësh që nga Shën Agostini të Niçja, nga Dostojevski të Sinkler Ljuisi, nga ekspresionistët gjermanë te shkrimtarët socialistë, ndaj është e natyrshme të dyshojë se mos makina e letërsisë klasike shqipe nuk është në gjendje të funksionojë mirë për kohën e re. E ndien se ajo ka nevojë për riparim, për risi, kjo makinë e rëndë që ka kaluar nëpër kaq prova tragjike dhe që mund të dëmtohet tani pikërisht nga epizmi i saj. ” f. 25.
[6] Sipas Xhemi Shehajt në: https://atunispoetry. com/2017/08/14/moderniteti-i-migjenit-permes-poetikave-avangardiste-nga-xheni-shehaj/
[7] Teksti është marrë nga: Migjeni, mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi, CETIS Tirana, 2002.
Duhet të shtojmë se konstatojmë prekje që reflektohen nga analiza. E kemi fjalën edhe për tinguj të caktuar si rasti i një/nji të cilat janë të rëndësishme për llojin e prozës së Migjenit si prozë poetike. Në letërsinë shqipe duhen parë të gjitha tekstet e botuara nga 1972 e këtej, pas Kongresit të Drejtshkrimit.
[8] Shpesh herë në këtë punim do evitojmë përdorimin e terminologjisë tradicionale që lidhet me figuracionin, duke pasur parasysh problematikat që ka shfaq ky trajtim.
[9] Në këtë pjesë ka dhe elementë të tjerë që japin imazhin e një teksti poetik, të cilat do t’i rimarrim në vijim të analizës.
[10] Nuk mendojmë se ato kanë vlerën e reticencës në këtë kontekst, por të dyshimit kontrastiv që përbën nyjën lidhëse të organizimit të koherencës dhe kohezionit të të gjithë teksti dhe që përsëritët me njësi të ndryshme të rrafsheve gjuhësore të ndryshme.
[11] S. Monte, Prose Poetry as a Genre in French and American Literature, 2000.
  1. Wanner, From Prose Poem to the Anti-story, 2017
  2. Santili, The prose Poem in English Literature, 2002
  3. Delville, The Prose Poem and the Ideology of Genre, 1998
[12]S. Monte, Prose poetry as a Genre in French and American Literature, 2000, f. 8.
[13]A. Wanner, From Prose Poem to the Anti-story, 2017, f. 6.
[14]D. Dabishevci-Fetullahu, Vecoritë e prozës poetike shqipe, 2013.
[15]D. Dabishevci-Fetullahu, Vecoritë e prozës poetike shqipe, 2013, f. 25 : Pra, proza poetike konsiderohet si formë e ndërmjetme, kalimtare, mes poezisë dhe prozës, e cila ruan karakteristikat zhanrore të të dyjave. Që në shikim të parë, vërehet se ka pamjen e prozës, fjalitë e shtrira deri në fund të rreshtit dhe rresht pas rreshti, ndërsa që diskursi (gjuha) synon artikulimin në figurë. Vërehet edhe prania e ritmit në fjali, e rimës së brendshme – me shkrirje në formën e asonancave e konsonancave, të cilat i japin muzikalitet të veçantë dhe unik, duke i ngjasuar poezisë; po ashtu, një dinamikë kuptimesh e nuancash poetike të fjalive, e një narracion e fabulë e përhumbur, e ofrojnë me poezinë. Të përbashkët me poezinë ka edhe emocionalitetin e theksuar, shpalimin e përjetimit personal dhe mendimin e ngjeshur, ku imazhi merr vlerë domethënëse, duke u dhënë kuptim edhe elementeve të tjerë shprehës të tekstit. Metri nuk është i pranishëm te proza poetike, mirëpo veçantia kryesore e tij ritmi ka vlerë të madhe. Në fjali shpesh jepen elemente fonike që jo rrallë janë të shpërndara në kohë të matshme dhe me vlerë të njëjtë, duke e shtuar fuqinë kuptimore e tingëlluese të fjalës. Pra, ritmi nuk është vetëm formal – është dhe ideor, meqë ka një domethënie letrare të veçantë. Gjithashtu edhe përsëritjet fonike në formë aliteracioni, asonance, homofonie, paranomaze etj. , krijojnë rimat e brendshme te proza poetike. Prania e një forme të përfytyrueshme të personazheve (si në ëndrra), e një dialogu të tkurrur dhe monologu mbisundues – si formë e të shprehurit të mendimit, e bëjnë prozën poetike të ketë tipare afruese me prozën e shkurtër. Në prozën poetike, zakonisht rrëfehet në vetën e parë njëjës – unë, nga ku nis e përfundon shumë herë identifikimi i autorit me narratorin nëpërmjet një rrëfimi tejet personal. Kjo e ndryshon nga proza (tregimi) ku dominon ereferencialiteti dhe ku ekziston distanca nga pozicioni i të rrëfyerit dhe dëshmive narrative. Kujtesa narrative në prozë lidhet me një të ndodhur, që jepet si dëshmi mitike ahistorike, nëpërmjet një zëri narrativ i cili rrëfen në kohën e kryer, ndërsa te proza poetike, dëshmitë e refleksionet emocionale jepen në të shpeshtën në kohën e pakryer. Kjo ngase, nga pozicioni i të pakryerës, rrëfehet jo për dëshmi e të ndodhura, por për refleksione e reminishenca mendimesh e ndjesish të ndryshme, që duket sikur përsëriten e presim të thuhen prap në vijim brenda tekstit
[16] Duhet shtuar se koncepti për prose poem vazhdon të shihet në kuptimin e ngushtë të tij si një veçanti enjë teksti specifik, pavarësisht se janë bërë përgjithësime në lidhje me të. Kështu në Princeton Encyclopedia of Portry and Poetics, 2012 gjejmë këtë përkufizim për prose poem: PROSE POEM (poem in prose). A composition able to have any or all the features of the lyric, except that it is put on the page–though not conceived of–as prose. It differs from poetic prose in that it is short and compact, from free verse in that it has no line breaks, from a short prose passage in that it has, usually, more pronounced rhythms, sonorous effects, imagery, and density of expression. It may contain even inner rhyme and metrical runs. Its length, generally, is from half a page (one or two paragraphs) to three or four pages, i. e. , that of the average lyrical poem. If it is any longer, the tensions and impact are forfeited, and it becomes–more or less poetic–prose. The term “prose poem” has been applied irresponsibly to anything from the Bible to a novel by Faulkner, but should be used only to designate a highly conscious (sometimes even self-conscious) art form.
[17]M. Delville, The Prose Poem and the Ideology of Genre, 1998, f. x.
[18]Vërejmë se simbolistët kanë luajtur shumë me efekte të tilla duke ju dhënë atyre një simbolizëm semantik që induktohet nga projektimi i tyre në një si e grupime që lidhen me mesazhin e shkrimtarit.
[19]Në këtë rast poeticiteti induktohet jo më vetëm në formë, por dhe në perceptim, pasi përshkruan ritmin. Në fakt një gjë të tillë e kemi parë dhe te Poradeci, po në poezi “Këngë pleqërishte”.
[20] A. Deda-D. Hasa, Issues of gradability in Albanian language traditional studies (coauthor), Journal, of Educational Studiesand Social Research, MCSER Publishing, Rome , Italy, Vol. 4, No. 2, April, 2014.
___________
Bibliografia
Dabishevci-Fetullahu, D. (2013), Veçoritë e prozës poetike shqipe.
Deda, A. -Hasa, D. (2014), Issues of gradability in Albanian language traditional studies (coauthor), Journal, of Educational Studies and Social Research, MCSER Publishing, Rome, Italy, Vol. 4, No. 2.
Delville, M. (1998), The Prose Poem and the Ideology of Genre.
Elsie, R. (2001), Historia e letërsisë shqiptare, Pejë, Shtëpia botuese “Dukagjini”.
Kadare, I. (1991), Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe.
Kallulli, A. (1974), Migjeni poet revolucionar në frontin e letërsisë, Tiranë, “Naim Frashëri”.
Koliqi, E. (1940), Evoluzione storica della lirica albanese, Roma, Editoriali Urbinati.
Jorgoni, P. (1979), Poezia e Migjenit dhe realiteti, Tiranë.
Pipa, A. (2006), Miti i perëndimit në poezinë e Migjenit, Tiranë, “Princi”.
Pipa, A. (1944), Historija e dhimbshme e shpirtit të ri, “Kritika”.
Shehaj, Xh. (2017) in: https://atunispoetry. com/2017/08/14/moderniteti-i-migjenit-permes-poetikave-avangardiste-nga-xheni-shehaj/
Uçi, A. (2013), Estetika migjeniane, fryma moderne në lerërsinë shqipe, Tiranë, “Kristalina – KH”.
Wanner, A. (2017), FromProsePoem to the Anti-story.