LAJMI I FUNDIT:

Terenc Toçi, një jetë për Shqipërinë!

Terenc Toçi, një jetë për Shqipërinë!

Një libër për arbëreshin që shqiptarizoi mbiemrin për të përfunduar në Kodrën e Priftit. "Odiseja arbëreshe: Terenc Toçi midis Italisë dhe Shqipërisë", shkruar nga Francesco Caccamo. Përkthyer nga Mariana Ymeri dhe botuar nga Shtëpia Botuese DITURIA në Tiranë.

Jeta Shyle

Zakonisht, për tematikat italo-shqiptare kanë shkruar kryesisht autorë nga pakica arbëreshe. Prej kohësh, ata kanë përuruar një linjë të dobishme studimesh, duke hulumtuar veçoritë e jashtëzakonshme gjuhësore, kulturore, historike dhe fetare të tyre. Autori i këtyre radhëve, Francesco Caccamo, nuk mund të mburret për origjina të tilla, ndaj ka ndjekur një rrugë fund e krye të ndryshme. Ishte, në radhë të parë, interesi për historinë e Gadishullit Ballkanik, për proceset e formësimit të identiteteve kombëtare në këtë rajon dhe për raportet midis Italisë e popujve që jetojnë aty, ai që e nxiti Francesco Caccamo-n të kthente sytë drejt historisë së italo-shqiptarëve. Vite të shkuara, i ati, Domenico Caccamo, i kishte vënë në dispozicion një kopje thuajse të plotë të atij dokumenti të jashtëzakonshëm, revistës “La Nazione Albanese”. Duke e lexuar këtë revistë, të botuar për më shumë se një çerek shekulli nga Anselmo Lorecchio, tek autori lindën sakaq pyetje dhe dyzime, por vetëm më pas mori formë, hap pas hapi, vendimi për ta hulumtuar konkretisht çështjen në fjalë.


Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ku gjendej për të mbajtur një cikël leksionesh në një universitet privat, Caccamo-ja pati mundësinë të vizitonte Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë dhe të ndërgjegjësohej për materialet vërtet të pasura që ruhen aty rreth arbëreshëve. Që nga ajo kohë, autori u kthye shumë herë në kryeqytetin shqiptar, duke bashkuar mësimdhënien me vëzhgime e hulumtime të reja, për të dhënë së fundi këtë studim të gjerë, kushtuar Terenc Toçit, anëtarit të një familjeje të shquar italo-shqiptare dhe pjesëmarrësit aktiv në ngjarjet kryesore të gjysmës së parë të shek. XX të ndodhura në Gadishullin Ballkanik dhe sidomos në truallin, të cilin, njësoj si shumë arbëreshë, nuk ngurronte ta quante atdheun e vet, pra në Shqipëri. Ngjarje të cilat kishin të bënin që me debatet për ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar e deri me luftën për shkëputjen nga Perandoria Osmane, me problemet e ndërtimit të një shteti të pavarur në epokën zogiste e deri me pushtimin italian në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e diktaturës së Enver Hoxhës.

Baza e këtij studimi është ofruar pikërisht nga Fondi Terenc Toçi, që gjendet në Arkivin Qendror të Tiranës: një material që deri tani ka qenë pak a shumë i panjohur, i cili lejon jo vetëm të rindërtosh historinë e mundimshme ekzistenciale e politike të eksponentit arbëresh, por edhe të shfrytëzosh në një perspektivë sa të veçantë aq edhe zbuluese raportet midis dy brigjeve të Adriatikut në shek. XX. Materiali u pasurua më vonë me dokumentacionin që gjendet në Itali rreth Terenc Toçit.

Për vite me radhë, veprimtaria politike e Terenc Toçit qe kaq komplekse dhe provoi të tilla evolucione, sa është e vështirë të shprehësh një gjykim njëngjyrësh për të gjitha aspektet e veçanta të saj. Edhe nga këndvështrimi human, eksponenti arbëresh ishte një personalitet i komplikuar, i zoti të entuziazmohej nga figura madhore, me të cilat lidhej për të realizuar planet personale, por sidomos planet që kishin të bënin me mëkëmbjen e Shqipërisë: dhe, më pas, përfundonte duke provuar zhgënjime a pendesa kundrejt tyre. Kështu mund të interpretohet bashkëpunimi i tij me Zogollin/Zogun, pa dyshim, bashkëpunimi më i gjatë dhe më i rëndësishëm i jetës së tij të vrullshme. Po në këtë hulli shkon edhe diskutimi për marrëdhëniet e tij me Felice Albani-n apo Ricciotti Garibaldi-n, me princin Fuad të Egjiptit, me Ëilhelm Ëied-in apo me vetë Musolinin. Përtej këtyre luhatjeve politike dhe personale, rrugëtimi i Toçit ka vulën e një përvoje themeltare: pasionin për Shqipërinë – një pasion kaq i thekur, sa e bëri të zgjidhte me ndërgjegje identitetin kombëtar shqiptar. Ia vlen të theksohet se bëhej fjalë për një zgjedhje që asokohe nuk mund të komentohet aspak si e vetëkuptueshme. Është e vërtetë se, që nga epoka e risorxhimentos dhe ajo romantike, në mjediset arbëreshe bëhej garë për të manifestuar sa më shumë entuziazëm për mëmëdheun në anën tjetër të Adriatikut dhe për të shpallur dëshirën për të kontribuuar në çlirimin e tij, me një retorikë që kishte ndikuar pa fund te djaloshi Toçi. Por midis ekzaltimit për Shqipërinë dhe zhvillimit të një identiteti të ndërgjegjshëm shqiptar, hendeku nuk ishte i papërfillshëm, siç duket nga fakti që ai qe i vetmi personalitet me njëfarë fame nga kjo pakicë, që u transferua përgjithmonë përtej Adriatikut dhe që u angazhua drejtpërsëdrejti për ndërtimin e shtetit shqiptar.

Megjithatë, pas një jete të vrullshme, pas kontributit për vite me radhë në jetën politike por edhe në atë ekonomike të Shqipërisë, pas zhgënjimesh të njëpasnjëshme, Toçit, të tërhequr në jetën private, iu rikthye dilema identitare që kishte shënjuar ekzistencën e tij, deri edhe në rrethanat dramatike që karakterizuan fazën e fundme të luftës në Shqipëri. Duke mos pranuar të kërkonte strehim në Itali dhe pa dashur të braktiste tokën që kishte zgjedhur për atdhe, personaliteti arbëresh iu ekspozua hakmarrjes së regjimit të ri të Enver Hoxhës. Këtë e pagoi me jetë, por tregoi guxim e, tekembramja, edhe koherencë.

Një vëllim plot fakte dhe informacione të reja, ku përshkruhet aventura njerëzore dhe politike e italo-shqiptarit Terenc Toçi, personalitetit të jashtëzakonshëm, që ofron një çelës ekscentrik por edhe zbulues për të interpretuar historinë e hapësirës adriatike-ballkanike dhe rolin e saj brenda Italisë.

Për autorin:

Francesco Caccamo është profesor i asociuar i Historisë së Europës orientale në universitetin “G.d’Annunzio” të Chieti-t. Midis veprave të tij përmendim: L’Italia e la ‘Nuova Europa’. Il confronto sull’Europa orientale alla conferenza di pace di Parigi, Milano-Trento 2000, dhe Jiří Pelikán. Un lungo viaggio nell’arcipelago socialista, Venezia 2007. Gjithashtu ai ka përgatitur botimin e vëllimeve L’occupazione italiana della Iugoslavia (1941-1943), Firenze 2008, dhe Primavera di Praga, risveglio europeo, Firenze 2011.