LAJMI I FUNDIT:

Telefonat e mençur i dominojnë telefonat e thjeshtë

Telefonat e mençur i dominojnë telefonat e thjeshtë

Sipas firmës hulumtuese Gartner thuhet se në 2013-tën, për të parën herë, shitjet e telefonave të mençur i kanë tejkaluar ato të telefonave të thjeshtë.

Telefonat e mençur kanë marrë 53.6% të shitjeve në vitin 2013, ndërsa në tremujorin e katërt të vitit kjo përqindje ka arritur në 57.6% dhe mësohet se këta numra janë në rritje e sipër.

Samsung mbetet prodhuesi më i madh i telefonave të mençur në botë, i cili gjatë vitit të kaluar e ka rritur pjesëmarrjen e saj në treg edhe më shumë, edhe pse në tremujorin e fundit të vitit kjo pjesëmarrje ka rënë pak.

Mirëpo, krahas Samsung, edhe pjesëmarrja e tregut të Apple ka rënë pak në tremujorin e fundit të vitit, edhe pse në fund të vitit, Apple kishte nënshkruar kontrata të mëdha me operatorët aziatik, përkatësisht me NTT DoCoMo në Japoni, dhe China Mobile në Kinë.


Huawei e ka ruajtur vendin e tretë, por po përballet me rritjen e konkurrencës nga pasuesi i saj, prodhuesi tjetër kinez, Lenovo, i cili sapo e ka blerë kompaninë Motorola nga Google.

Shitjet e telefonave të Lenovo-së për vitin 2013 janë dyfishuar dhe Motorola do ta ndihmojë kompaninë kineze ta zgjerojë praninë e saj jashtë shtetit dhe të hyjë në tregun e SHBA-ve.

Në anën tjetër, nëse shikohet ndarja e sistemeve operativë vërehet se Android po vazhdon të rritet, ndërsa Windows Phone është dyfishuar, edhe pse përqindja e saj mbetet shumë e vogël, ndërsa BlackBerry ka vazhduar rënien, dhe tani thuajse është bërë platformë e parëndësishme mobile./ Telegrafi /