LAJMI I FUNDIT:

Të rinjtë në politikë: “Pleq” apo “fëmijë?

Mosha jo gjithherë ka treguar intelektin dhe pjekurinë që njerëzit realisht do duhej të përfaqësonin, duke presupozuar që me vite ata do të arrijnë të kenë bagazh më të theksuar intelektual. Në fakt, në shumë raste ndodhë e kundërta. Këtë na dëshmon sjellja e pahijshme e fëmijërore e shumë deputeteve e politikaneve sot që megjithëse kanë bërë ca vjet mbi supe, të lënë përshtypjet e disa fëmijëve lozonjarë e të pandreqshëm, ndërsa në anën tjetër ajo çka vazhdon na mban të befasuar është se kemi një grup tjetër të shoqërisë që janë të rinj në moshë e njëkohësisht “të vjetër”. Si shpjegohet kjo?

Para disa ditëve në emisionin “Rubikon” ishin të ftuar të rinjtë e forumeve rinore të partive politike në vend, por që mjaftonte të mbuloje pamjen televizorit dhe t`i dëgjoje. Do habiteshe se sa shumë u ngjajnë “të vjetërve” të partive të tyre. Them të vjetër në aspektin se marrëdhëniet e tyre shoqërore e politike po vazhdojnë të ndërtohen mbi bazën e referencave tek e kaluara e hidhur, te qeverisja e kaluar, te politikanët e kaluar, pra përgjithësisht te të vjetërit nga të cilët e vetmja gjë që mund të përfitojnë është aftësia se si të mashtrojnë, të korruptojnë, të vjedhin e paralelisht të dëmtojnë tjetrin e njëkohësisht gjithë shoqërinë.


Problemi fillon që kur fëmijët lindin, mund të mos e keni menduar, por fëmijët janë klasa më e robëruar. Në momentin që ata vijnë në jetë përmes prindërve, prindërit marrin të drejtën mbi fëmijët e tyre, si pronë që u përket atyre, ndërsa në fakt duke i cilësuar si të tillë i kanë barazuar me sendet, sepse sa e di unë: vetëm gjërat mund të posedohen jo edhe njerëzit. Fëmijët e pambrojtur e të varur nga prindërit mësohen me idenë e të qenurit “i dikujt” dhe se idetë e “dikujt” janë njëkohësisht idetë e tij. Në mungesë të individualitetit, fëmijët i nënshtrohen personalitetit të tjetrit, pra të prindërit, e në vazhdimësi të mësuesit, të shefit, të partisë apo edhe të sistemit siç edhe realisht po ndodhë. Kjo sepse shoqëria ka gjetur mënyrën me të lehtë për t`u përballur, me “imponimin”, e në këtë mënyrë fëmijët janë më të dëgjueshëm: nuk rebelohen, pra nuk përbëjnë pengesë për ta.

Edukimi i fëmijëve, sipas tyre, ka për themel dëgjueshmërinë, por ky është themeli i gabuar. Inteligjenca dhe rebelimi duhet të jetë themeli i mirëfilltë i edukimit. Ajo çka deri sot kemi mësuar është t`i respektojmë të vjetrit. Pse duhet t`i respektojmë? Sepse janë të vjetër apo sepse pleqëria paska diçka të respektueshme!? Njeriu duhet t`i thotë “po” respektit vetëm atëherë kur ai realisht e mendon që dikush e meriton atë respekt, në të kundërtën ”po” si përgjigje ndaj formës urdhërore nënkupton skllavëri shpirtërore. “Jo” e definon personalitetin e njeriut, “po” të nënshtrimit.

“Njeriu mund të humbë çdo liri të tij, por nëse e ruan lirinë e mendimit, prapë se prapë i lirë është”, thoshte Sami Frasheri, e si duket këta të rinj e kanë humbur lirinë e mendimit. Atëherë për çfarë lirie tjetër ka kuptim të flasim? Fëmijët, të rinjtë, kanë nevojë për kujdes, kanë nevojë për ndihmën tuaj dhe e vetmja ndihmesë që mund t`ju bëni është t`i bëni ata të pavarur, t’i lini vet të vendosin se çka do të besojnë, çka do të studiojnë, apo edhe cilës parti duhet t`i takojnë.

Përgjegjësia përveç prindërve i takon edhe arsimit, aty ku fëmijët plotësohen me dije. Por, detyra më e madhe i mbetet sistemit prej të cilit rrjedh arsimi, pra Qeverisë.

Historia e një kardinali francez e tregon më mirë këtë. Përderisa ai po kalonte me karrocë, ia zë rrugën një fëmijë. Përkundër përpjekjes që ta largojë nga rruga, fëmija nuk ia vë veshin dhe për këtë zemërohet kardinali del jashtë e i drejtohet. Meqë fëmija ishte i shëndosh – i plotë – i thotë: biri im ti e ke ushqyer shumë vetën tënde, por pak e ke edukuar. Ndërsa, fëmija ia kthen pasi veten tonë e ushqejmë vetë, në këtë pikë s`kemi ndonjë gabim, e sa për edukatën, po qe mangët, faji nuk është i imi, sepse edukimi është në duar tuaja.

Edhe ata të rinj që pamë në emision dukeshin të ushqyer mirë, të veshur ca me këmisha e kollare, e ca me fustane e kordele, por çfarë lloj edukimi përfaqësonin? Nënshtrimin!

Gjithsesi kontributin në një parti jo domosdoshmërisht e jep vetëm në mënyrë direkte duke qenë kryetar i degës së forumit rinor të partisë, apo nënkryetar i saj, sepse siç thoshte Giuseppe Mazzini: ”Unë jam një akter jo i drejtpërdrejtë në politikën italiane, por jo edhe i parëndësishëm, sepse unë ndërhyjë përmes ideve”.

Por, çështja është se çfarë ide përfaqësonin këta të rinj? Nuk dëgjova të kenë thënë diçka tjetër përveç retorikave boshe të përsëritura nga liderët e tyre. Aq shumë folën për prezencën e të rinjve në parti duke treguar shifra e numra, saqë kuptohej nga ata vet që më shumë sesa për numër nuk janë për diçka tjetër aty. Kush janë këta të rinj? “Fëmijë” të kujt? Personalitetin e kujt përfaqësojnë? Apo thënë më mirë – siç thoshte Faik Konica: “ A ka të rinj shqiptaria”?

Të rinjtë duhet të jenë brezi i njerëzve që nuk pranojnë të nënshtrohen, që nuk frikësohen ta thonë të vërtetën; brez që do t`i neutralizojnë të këqijat dhe që do t`i kundërshtojnë e do t`i luftojnë armiqësisht antivlerat. Kjo duhet të jetë rinia shqiptare. Kjo është e ardhmja e ndritshme dhe e paqme që brezat tanë synonin ta arrinin me shekuj.

“S`mund t`i japësh flakë një pylli të madh po nuk të ndihmoi era”, thoshte një filozof nga Tibeti, Sakya Pandita, e që kjo nënkupton të mos fillosh punë të mëdha nëse nuk është koha dhe rasti i volitshëm. E që punët e mëdha duhet të fillojnë, koha ka ardhur t`ia fusim flakën këtij pylli. Dhe, këtë mund ta bëjmë vetëm ne, të rinjtë, guximtarë, të lirë, dhe antikonformistë.