LAJMI I FUNDIT:

Të fundit për mbrojtjen e investimeve

Të fundit për mbrojtjen e investimeve

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, “Të bësh biznes 2010”, Kosova radhitet ndër dhjetë vendet e fundit sa i përket mbrojtjes së investimeve.

Zyrtarët e institucioneve kosovare vazhdojnë t’u bëjnë thirrje investitorëve të huaj të investojnë në Kosovë, por, ende nuk kanë bërë aq sa duhet për mbrojtjen e kapitalit të tyre.

Deri tani, Qeveria, ka nënshkruar marrëveshje me disa vende për mbrojtjen e investimeve, por, sipas ekspertëve, kjo është e pamjaftueshme.

Kosova ende ka probleme serioze sa i përket klimës për investime dhe afarizëm. Sipas raporteve të mekanizmave ndërkombëtarë, investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë, raportojnë se përballen me mungesë të energjisë elektrike, moszbatim të ligjit dhe korrupsion. Përveç kësaj, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, “Të bësh biznes 2010”, Kosova radhitet ndër dhjetë vendet e fundit sa i përket mbrojtjes së investimeve. Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në RIINVEST, thotë për Radio Kosovën së rangimi i tillë i vendit tonë është sinjal shumë i keq për investitorët e huaj.


“Gjëja e parë që një investitor bën para se të futet në një treg të huaj është të shikojë se cfarë rangimi ka ky treg në kontekst më gjeneral, prandaj po ritheksoj nevojën që sektori qeveritar të punojë në largimin e barrierave për zhvillim të bizneseve provate, për mbrojtjen e investitorëve dhe për krijimin e kushteve sa më të favorshme nëpërmjet politikave qeveritare”, thotë Abdixhiku.

Ekspertët e ekonomisë thonë se Kosova ka sektorë të shumtë për investime, por, pranojnë se problemet e shumta dhe shkalla e lartë e korrupsionit, kanë ndikuar që investitorët e huaj të mos e investojnë kapitalin e tyre në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se përkeqësimi i klimës për investime në Kosovë është bërë pikërisht për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit.

“Në Kosovë, korrupsioni dhe krimi i natyrës ekonomike është forcuar më tepër dhe, në këtë mënyrë, është utopike të mendojmë se mund të vijnë investitorë të huaj. Kosova është duke shërbyer për të promovuar investime në vendet e rajonit dhe jo në Kosovë”, shprehet Gërxhaliu.

Më qëllim të promovimit të investimeve, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka hartuar strategjinë për investime 2010-2012, por, ende nuk ka dhënë rezultate. Gërxhaliu thotë se Kosovës i duhet një strategji e mirëfilltë që do të zbatohej në praktikë dhe jo thjesht që mbetej në letër.

“Një investitor, i cili vjen me para të gatshme për t’i investuar në Kosovë dhe sheh një ambient të tillë, sigurisht se ato para do t’i lënë në ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë arsye, fatin do ta ketë ose Maqedonia ose Shqipëria, por jo Kosova”, pohon Gërxhaliu.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës deri tani ka arritur marrëveshje për mbrojtjen e investimeve me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me Shqipërinë, Turqinë dhe Austrisë.

Për të tërhequr investimet e huaja, ekspertët ekonomik thonë se institucionet vendore duhet të ndërmarrin masa sa i përket forcimit të shtetit ligjor, luftimit të ekonomisë joformale, e gjithashtu duhet të angazhohen për përmirësimin e infrastrukturës dhe eliminimin e barrierave burokratike.

Në të kundërtën, investitorët e interesuar do të kërkojnë vende, të cilat kanë klimë të përshtatshme dhe kushte të favorshme për të zhvilluar biznes dhe njëkohësisht mbrojtje të investimeve të tyre. /rtklive/