LAJMI I FUNDIT:

Të eksporto(he)sh në Holandë

Të eksporto(he)sh në Holandë
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Tash nuk keni pse çuditeni, as përse të më detyroni edhe mua që fjalinë e parë ta fillojë me shenjën e çudisë. Pra, as Holanda nuk i ka të gjitha. Edhe ne mund të eksportojmë diçka, ashtu siç Holanda ka nevojë të importojë. Ndoshta nuk do të importojë verën e mirë kosovare, të cilën ambasadori i Japonisë e lavdëron në OKB, as ndonjë prodhim tjetër bujqësor, por sidoqoftë, biznesi po duket se do të “dhezë”.

Pra, Holanda i ka të gjitha që ndoshta mund të dëshirojë t’i ketë dikush nga një vend i varfër si Kosova, apo Shqipëria, por ka shumëçka për të cilën ne nuk do të kujtoheshim se mund të e kemi, se mund dhe duhet të bëhet. Për një vend të autostradave, për shembull, siç mund të quhet një vend si Kosova me 10 mijë kilometra katrorë i cili në fukarallëkun e vet i ndërton autostrada transit për të dalë në det fqinjët e vet, do të ishte krejtësisht e paimagjinueshme që sipër këtyre rrugëve moderne të ndërtojë edhe mbikalime për shtazët e egra si bëjnë në Holandë.


Mbikalimet e mbjella me barë, të cilat lidhnin dy anët e autostradave, duken aq reale, sa as shtazët e egra nuk i dallojnë. Kjo duket e paimagjinueshme, e pakuptimtë madje, kur te ne ka mungesë të palejueshme të mbikalimeve dhe nënkalimeve për vetë njerëzit, dhe shpesh qytetarët e humbin jetën në përpjekje për të kaluar andej autostrade. Te ne, autostradat moderne i ndajnë fshatrat në mes dhe fqinjët e dikurshëm e kanë më lehtë të “zënë” fqinjë të rinj në qytetin më të afërm, sesa të komunikojnë me fqinjët e dikurshëm andej autostrade. Por, falë teknologjisë, edhe këto telashe të modernizimit po i tejkalojmë, duke folur me fqinjët përmes rrjeteve sociale dhe softuerëve për komunikim, aq shpesh sa edhe me të afërmit e tjerë të shkapërderdhur anembanë globit.

Në fakt edhe familjarët nga dhoma në dhomë, tashmë bisedojnë me rrjet. Të bisedosh “live” më nuk e ka lezetin e dikurshëm. Pastaj, si të shprehesh pa ikonat për emocione, të cilat thonë më shumë se 1000 fjalë. Kështu thuhej dikur për fuqinë shprehëse të fotografisë, por tash vetëm e shkruan “˂3” dhe ke thënë mjaft. Apo, nuk të nxjerr nga çdo situatë e sikletshme ai gishti i famshëm përpjetë… apo fytyra me buzë të varura ?! Por, po flisnim për Holandën dhe dallimet, eksportin dhe importin, (anti)krimin.

Nuk janë vetëm mbikalimet të cilat e dallojnë Kosovën dhe Holandën. Nuk do të përmendim as veturat elektrike, as qytetin në të cilin askush nuk nget veturë falë një marrëveshjeje të banorëve. Nuk janë as martesat brenda polit, as prostitucioni legal, as liberalizimi i përdorimit të drogave të lehta, as… nuk janë! (Nuk) ka edhe shumëçka tjetër, por ne thjesht do të ndalemi te krimi. Këtë ne e kemi me bollëk, madje shpesh, falë zhurmës së shtetit duket se ka edhe më tepër se që me të vërtetë ka. Ata nuk e kanë!

Në Holandë nuk ka krim të mjaftueshëm. Mbyllen burgjet, pakësohet stafi, dhe mbyllen vende pune në sistemin e drejtësisë. Për një vend si i yni, ky fakt do e rrëzonte në mos jo Qeverinë, atëherë ministrin e Drejtësisë i cili nuk hapë vende pune për të rehatuar bashkëpartiakët, apo pjesëtarët e klanit. Por, të mos e ngasim drejtësinë, aq më tepër që po përpiqet…!

Athua si jetojnë këta njerëz pa krim? Nuk mbjellin kanabis? Mbjellin! Nuk e përdorin? E përdorin! Por, nuk quhet krim! Nuk i bëjnë të tjerat? I bëjnë, por nuk i quajnë! E si të mbushen burgjet, kur asgjë nga “bizneset” me të cilat mbahet gjallë (edhe e fuqishme) klasa jonë parapolitike, këta nuk e quajnë krim? Nuk mbushen.

E trishtueshme, por e vërtetë. Ky vend, i cili llogaritet ndër vendet më të pasura të BE, ku populli nuk ndien ndonjë mungesë të madhe për diçka, megjithatë shumë shpejtë, do të importojë edhe nga ne një “mall” të veçantë. Lexuesit tonë do të i shkojë mendja menjëherë se do të importohet “Canabis Sativa”, me të cilat qeveritë tona e bënë telenovelë duke e ndjekur nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, nga shtëpia në shtëpi, nga dhoma në dhomë dhe… ajo prapë po mbillet.

Apo “biznesmenet” tona të famshme, të cilat në vend të ofrimit ilegal të “shërbimeve të ëmbla” përskaj autostradave italiane apo greke, do të legalizonin biznesin e tyre në këtë vend? Apo edhe terroristët e bardhë të cilët infiltrohen lehtë në shoqëritë e rehatuara evropiane dhe mbjellin panik? Se terrorizmi po ashtu është biznes të cilin e importojnë vende të ndryshme për të frikësuar qytetarët e vet, “të dalë mendsh” nga liria e tepërt? Pak terrorizëm e forcon shtetin dhe kufizon liritë qytetare mendojnë konservatorët.

Kështu, në median botërore që pati jehonë edhe ndër ne, u fol për importin e një “malli” jo të zakonshëm. Holanda po importon të burgosur. Nuk ka “prodhim” vendor. Policia dhe gjykatat merren me krimin e vërtetë dhe jo me viktimat e tij. Nuk burgosin veç sa për të bërë normën, për të arsyetuar buxhetin. Përkundrazi, ajo tashmë ndodhet përballë një dileme se çfarë të bëjë me burgjet të cilat po i mbeten thatë. Disa i ka mbyllur në dekadën e fundit. Shumë nga shkelësit e ligjit gjobiten veç me punë të dobishme shoqërore e të tjerët e “jetojnë” burgun në kushte shumë liberale. Pjesa dërmuese e të burgosurve në Shqipëri dhe Kosovë, para do të jepnin për të “shlyer” burgun atje. Aq më tepër që përkundër sigurisë të madhe, kamerave në çdo këndë, në burgjet tona po (vetë)vriten të burgosur. Por, Holanda nuk i ka këto halle. Atje, përkundër të gjithave…burgjet po mbyllen.

Gjithsesi edhe nga ky biznes i Eksport-Importit dikush do të përfitojë, aq më tepër që do të ketë fonde të mjaftueshme nga BE. Nga kjo gjithsesi do të përfitojnë të fortët, pra pushteti. Avokatët gjithsesi, shoqëria civile e edhe shteti. Vetëm qytetarët, pa liberalizim vizash, do të mbeten të shpërndarë anëve të autostradave tona moderne nëpër të cilat do të kalojnë të gjithë tjerët, për të shkuar në Evropë.

Sido që të jetë, burg për burg, nëse shpejt nuk aprovohet liberalizimi i vizave për kosovarët, mbase nuk do të ishte keq që krejt Kosova të shpërngulet në Holandë. Në burg. Vullnetarisht. Të pranojmë se jemi fajtorë për të gjitha. Nuk e meritojmë lirinë me këtë klasë politike.

Pastaj, kjo do t’i kishte edhe përparësitë e veta. Serbia do të rehatohej dhe do të hiqte dorë nga Rusia përfundimisht, ndërkohë që edhe do të shuhej dilema e kafeneve tona rreth kombit. Kështu do të arrihej edhe ideali ynë, që të kemi një mbretëri për të qenë, të jemi Evropë dhe kështu do të liroheshim nga krimi institucional. Edhe qytetarët do të kurseheshin nga farsa e normalizimit…!

Edhe ne jemi Evropë!