LAJMI I FUNDIT:

Të dhënat e Kosovës në GDDS-në e FMN-së

Të dhënat e Kosovës në GDDS-në e FMN-së

Republika e Kosovës, filloi pjesëmarrjen në Sistemin e Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme (General Data Dissemination System - GDDS ) të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që nga e premtja, duke bërë kështu një hap të madh në zhvillimin e sistemit të statistikave.

Informacionet e plota për prodhimin e statistikave të Kosovës dhe praktikat e shpërndarjes tani janë të prezantuara në Faqen e Buletinit të Shpërndarjes së Standardeve të FMN-së. (http://dsbb.imf.org/Applications/web/gdds/gddscountrylist/).

Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tha kjo ka rëndësi të madhe për vendin tonë. “Kosova është e përkushtuar të përdorë Sistemin e Përgjithshëm të Shpërndarjes së të Dhënave si një kornizë të përgjithshme në avancimin e mëtutjeshëm të sistemit kombëtar të statistikave në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare. Pjesëmarrja e Kosovës në GDDS po ashtu do të çoj në prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave më të sakta dhe më të besueshme”, theksoi Gërguri.

Kurse, Adelheid Burgi-Schmelz, Drejtoreshë e Departamentit të Statistikave, e mirëpriti pjesëmarrjen e Kosovës në GDDS. “Pjesëmarrja e Kosovës në GDDS është një arritje e madhe në zhvillimin e statistikave të vendit. Jam e bindur që Kosova do të përfitoj nga përdorimi i GDDS-it si një kornizë për zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit të saj të statistikave”, theksoi Schmelz.


GDDS është themeluar nga FMN në vitin 1997. Ky sistem ofron një kornizë për të ndihmuar vendet që të zhvillojnë sistemet e tyre statistikore në prodhimin e statistikave të plota e të sakta për bërjen e politikave dhe analizave. Kosova është anëtari i 98 i GDDS-it, duke përjashtuar vendet që janë avancuar nga GDDS-i në Standardin e Shpërndarjes së të Dhënave Speciale. /Telegrafi/