LAJMI I FUNDIT:

Strategjia qeveritare e mobbingut

Në një anketë televizive, një qytetarë krejt serioz po përgjigjej rreth AIDS-it i bindur se po përgjigjet si është më së miri: “Po, po, ma mire o me kon pozitiv! Ma mire o HIV pozitiv…”. Në një pyetje të ngjashme për mobingun po supozoj se do të merrnim përgjigje: ”Mobing a? Te na a? Jo more, s’ka!

Por, po preferoj që temën e mobbingut të e trajtoj pak më ndryshe! Aq më tepër që pushteti ynë “popullor dhe demokratik”, së shpejti edhe krejtësisht i pavarur, as që e ka lejuar idenë se dikush mund të jetë i keqtrajtuar në institucionet tona të pavarura dhe në kompanitë apo agjencitë publike.


Edhe kur ekspertë të ndryshëm janë larguar nga profesioni i tyre për të sjellë në vend të tyre ndonjë diletant partiak, kjo gjithsesi është mbështetur me arsye morale dhe kombëtare. Shumica e të degraduarve kanë ulur kokën nga frika, apo nëse janë rebeluar, kanë hasur në veshin e shurdhër të gjykatave. Sa është present në shoqërinë tone dhe çfarë karakteristikash ka mare kjo dukuri e cila në botën demokratike luftohet me ligj?

Por çfar është ky mobbingu?

Psikologia franceze Marie-France Hirigoyen, jep një definicion i cili është i pranuar edhe në ligjin francez për mobbingun: Mobbingu, sipas autores, është maltretim psikik i cili përsëritet përmes veprimeve të cilat kanë për qëllim edhe pasojë, degradimin e kushteve dhe rrethanave të punës, të cilat mund të atakojnë dhe të dëmtojnë të drejtat njerëzore dhe dinjitetin e punonjësit, të dëmtojnë shëndetin fizik apo mental të tij, apo të kompromentojnë ardhmërinë profesionale të viktimës.

Përderisa arsyet e mobbingut emocional gjenden kryesisht në aspekte të ndryshme të personalitetit të keqtrajtuesit, apo viktimës, dhe vijnë kryesisht si rezultat i antipatisë, xhelozisë, frikës, lakmisë, pasionit për pushtet etj, te mobbingu strategjik situate ndryshon.

Mobbingu strategjik paraqet një marrëveshje të vetëdijshme të kreut udhëheqës të një institucioni apo kompanie se cilët persona janë të padëshirueshëm në kompani dhe masat që duhet ndërmarrë që (vet)largimi i tyre të jetë i siguruar, sepse të “padëshiruarit’ për ndonjë arsye, qoftë politike, ekonomike, apo rivaliteti etj, pengojnë realizimin e qëllimeve të kreut. Marrëveshja mund të jetë vepër e kreut të organizatës, por edhe të jetë e kërkuar nga kreu politik, shtetërorë apo çfarëdo autoriteti tjetër i jashtëm.

Mobbingu zbatohet në linja vertikale (nga udhëheqësit) por edhe në vija horizontale ( nga kolegët). Në rastet që janë spontane, vetiniciativë e shefave të ndryshëm apo rrethit të kolegëve, me evitimin dhe luftimin e tyre merret vetë udhëheqja e kompanisë, ndërkohë kur mobbingu paraqet strategji veprimi të vet institucionit, organizatës (apo kompanisë) atëherë me të detyrimisht duhet të merret shteti: pra gjykatat dhe organet e ndjekjes. Nëse kjo strategji merr përmasat e një politikë të pushtetit, të rekomanduar apo të kërkuar nga pushteti, atëherë zgjidhja është vetëm politike ( e me raste edhe revolucionare).

Pra, kur mobbingu shndërrohet në strategji të shtetit dhe pushtetit, çka ndodhë në kushte të diktaturave, apo në periudha të shtetndërtimit, atëherë kjo merr përmasat e një lufte, qoftë sindikale qoftë politike, qoftë të eskalimit në rebelim.

Lidhur me këtë dukuri , nuk ka hulumtime serioze në Kosovë, madje edhe në shtyp nuk është trajtuar si temë, megjithëse është objekt i bisedave të shumta në shoqëri. Sidomos në rrethe më të ngushta. Të shumta janë ankesat për trajtim special për personalitete nga tabori tjetër, për shefat arbitrar të cilët vijnë nga partitë politike, janë në lidhje familjare apo miqësore me personalitete të qeverisjes formale apo joformale. Ankesat thonë se ata zbatojnë direktiva nga jashtë duke shkelur jo vetëm të drejtat e punës por edhe të drejtat elementare njerëzore për ata që “nuk janë tonët”. Drejtorët politik, shefat politik, mbikëqyrësit politik… zingjiri është shndërruar në një hallkë që e ngulfatë rendë lirinë dhe funksionimin e institucioneve dhe kompanive publike në vend.
Periudha e pasluftës definitivisht ishte një periudhë e dominimit të klaneve dhe grupeve që dirigjoheshin nga jashtë, nga klane të interesit joformal, klane politike, militare, paramilitare, apo kriminale. Ndoshta krejt kjo është rezultat i strukturës së shoqërisë tone tradicionale e cila çdo kornizë ligjore ua përshtatë logjikës së fiseve.

Në një diskutim miqsh për këtë temë doli se që nga paslufta e deri më sot, kjo dukuri është përhapur fuqishëm, për të mare përmasat shqetësuese pas punësimeve masive arbitrare, pa përfillur kriteret dhe procedurat ligjore.
Me këtë proces, disa mijëra individ nga struktura formale apo joformale partiake u punësuan nëpër kompanitë dhe institucionet e vendit. Me motivacion social, e në fakt mori përmasat e pushtimit të institucioneve.

Në fazën e dytë, pas menaxhimit të zemërimit publik, me asistencën ndërkombëtare, pasoi faza e dytë e marrjes së nyjave kyçe të funksionimit dhe qeverisjes me institucionet dhe kompanitë publike dhe përfundimisht faza e tretë me degradimin, largimin e të gjithë profesionistëve apo personaliteteve të cilat nuk ishin në vijën e strategjisë e cila tashmë përpos aprovimit partiak kishte mare edhe përmasat e një strategjie të qeverisjes përmes mobbingut. Kjo rezultoi me pushtimin në pjesën më të madhe të institucioneve, kompanive publike dhe organizatave të rendësishme përfshi këtu edhe ato të informimit publik.

Por, definitivish, mobbing nuk është zbulim i yni. Ai është prezent edhe në BE, SHBA, etj. Por, atje nuk e ka formën e strategjisë shtetërore dhe politike. Përkundrazi, ligjet janë shumë restriktive. Edhe sindikatat janë efektive. Sidomos gjykatat.

Sipas të dhënave të Improvement of Living and Working Condition, lidhur me gjendjen e mobbingut në vendet e Bashkimit Evropiane, në vitin 2000, gjithsej 13 milionë të punësuar ishin viktima të mobbingut. Kur kihet parasysh gjendja e të drejtave të punonjësve në BE dhe mbikëqyrjen shoqërore , kjo dukuri tashmë shihet sa ka mare përmasa shqetësuese.

Ndërkohë, në vendet në tranzicion, posaçërisht në Ballkan, kjo duket të ketë përmasa alarmante, madje duket të jetë dukuri mbizotëruese, në kushtet e dominimit të shtetit dhe politikës në ndërmarrje dhe të dominimit të meritokracisë nacionale në politikë dhe shoqëri.

Tash, shpejt, vendi ynë do të jetë edhe formalisht pa mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërtimi i institucioneve pak a shumë është përmbyllur.

Ndërkohë denoncimi i strategjisë së mobbingut do të jetë proces edhe më i vështirë. Nëse kjo nuk arrihet të ndalet, krejt shoqëria do të bëhet e papërshtatshme për jetesë për të gjithë ata që nuk janë pjesë e klaneve apo e rreshtuar pas oligarkisë, do të detyrohen të ikin jashtë ose të rebelohen.

Pas ndërtimit të shtetit, demokratizimi shoqërisë dhe institucioneve tona mbete sfida kryesore prej së cilës do të varet integrimi ynë në Bashkimin Evropian. Pa çmontimin e mobbing strategjisë qeveritare, kjo do të jetë e pamundur. Kush do ta bëjë këtë?

A ka mobbing në Kosovë? Këtë po e pyesja një inxhiniere të talentuar , në një kompani tone publike të cilën pa asnjë arsye e kishin larguar nga një pozitë menaxheriale, ku menaxhonte me të dhënat e kompanisë, ku shiheshin të gjitha manipulimet, keqpërdorimet eventuale. Ajo ishte e ndershme, e pakorruptueshme…dhe e risistemuan. E ulën në grade, në të ardhura! Ajo sot e kësaj dite nuk e ka të qartë përse e larguan. Ndërkohë që ajo, shetitë nëpër gjykata, në vend të sajë e vendosën njeriun e besueshëm, i cili as që e njeh atë fushë.
Punë e madhe…ma mire që nuk e njeh…! Me rendësi që “është i yni”!

Derisa mobbing strategjia duket të jetë qeveritare, përgjigjja ndaj saj mbetet individuale. Asnjë parti apo organizatë (jo)politike nuk ka strategji të qartë antimobbing!