LAJMI I FUNDIT:

Spitali, varrezat, vdekja…

Spitali, varrezat, vdekja…

Spitali është vendi ku mjekët dhe të sëmurët mundohen t’i bëjnë lak vdekjes. Puna më e mirë që bëhet në spital është shtyrja e afatit të vdekjes. Në të gjitha rastet tjera bëhet evitimi apo zbutja e dhembjeve që kanë të sëmurët. Ata që kanë kaluar kohë të shtrirë në spital, si pacientë, e kuptojnë këtë gjë më mirë. Së paku unë tashti këtë çështje e kam më të qartë. Qëndrimi im në spital dhe operacionit të cilit iu nënshtrova më kanë shtyrë që të mendoj më shpesh për shëndetin, jetën dhe vdekjen, me të cilin fakt, herët apo vonë, do të përballemi të gjithë ne të gjallët.

Para disa viteve shkova në spital, ashtu siç isha urdhëruar me ftesë, me të cilën edhe këshillohesha që të merrja me vete diçka për të lexuar pasi që ishte e mundur që të prisja disa orë për të hyrë në operacion. Prandaj, me vete mora librin “Machiavelli – A man misunderstood” të autorit Micheall White, një vepër e shkëlqyeshme që ka të bëje me jetën dhe veprën e Makiavelit, të cilën e kemi keqkuptuar, siç shihet edhe nga titulli.


Mëngjesin e kalova i koncentruar në lexim edhe pse kishte ndërprerje të cilat bëheshin për të marrë këshillat e parapara për operacion. Diku para mesditës më ftoi një mjek për këshillën e fundit. Kur hyra në dhomë, mjeku me shpejtësi e mblodhi një letër në grusht, me të cilën me siguri e kishte mbështjell një sandviç copat e të cilit i kishte ende në gojë duke i përtypur. Duke e gëlltitur me shpejtësi kafshatën e fundit, e hodhi letrën e shtrydhur në shportë dhe më kërkoi falje për këtë pozitë jo të mirë në të cilën e zateta.

Mjeku ishte i ri dhe me emër e pamje hinduse. Mendoj se mosha e tij e re, apo mungesa e përvojës mjekësore, ishte arsyeja që ai ma shpjegoi operacionin në detajet më të imëta shkollore. Më tregoi se si do të operoheshin polipet, se si do të më drejtohej ashti i hundës dhe si do të bëhej një intervenim i lehtë edhe në rregullimin e kanaleve të sinuseve që prekin pjesën e hundës nga mollëzat e fytyrës. Nuk harroi të më tregonte se ky operim, vite më parë, ishte i vështirë e se tashti bëhej fare lehtë duke iu falënderuar përparimit teknologjik. Duke e shikuar dosjen time, filloi të fliste për pasojat negative dhe më tha se mund të vdisja në operacion. Mund të vdisja për dy arsye. E para ishte për shkak të joprecizitetit që mund t’i ndodhte mjekut duke më operuar. Pra, mund t’i rrëshqiste brisku operues që do ta drejtonte me kamerë dhe të ma lëndonte ashtin që ndante pjesën e hundës me trurin. Si pasojë do të më lëndohej truri i cili do të infektohej deri në pa shërim. Arsyeja e dytë ishte se mund të mos zgjohesha kurrë nga narkoza e anestezionit.

Ç’është e vërteta, edhe pse e dija se nuk kishte gjasa që të ndodhte të vdisja, nuk ishte lehtë t’i dëgjoje këto fjalë nga mjeku pak qaste para se t’i nënshtrohesha briskut. Kjo më shtyri që ta pyesja mjekun se sa veta kishin vdekur në këtë spital gjatë këtij operacioni? Asnjë, më tha. Por, përsëri insistoi duke më thënë se kjo gjë nuk do të thoshte se nuk mund të ndodhte me rastin tim. Por, a do të zgjohesha nga anestezioni? Mund të ndodhte kjo.

Pastaj e pyeta mjekun nëse do të më operonte ai. Më një buzëqeshje më tha se ende nuk kishte arritur as të ofrohej të salla e operacionit. Me gjasë këtë e bëri duke dashur që të më siguronte se ata që operojnë janë shumë përpara tij. Pastaj më foli për z. Robinson, mjekun i cili do të më operonte dhe i cili ishte mjaft i njohur për suksese të këtij lloji të operacioneve.

Kur mjeku u ngrit që të merrte disa informata shtesë në kompjuterin e vendosur në një tavolinë pas krahut tim te djathtë, u shqetësova edhe një herë. Tashti, për shkak të mungesës së tij fizike, pas tavolinës dhe karriges së tij e pashë në tërësi dritaren e kësaj dhome që gjendej në katin e dytë. Matanë dritares, si në një ekran të madh televiziv, pashë se aty shtriheshin varrezat e kësaj pjese të qytetit. Si është e mundur që varrezat dhe spitali të jenë afër njëra-tjetrës? Kush e ka bërë një planifikim të këtillë? Kush ka lëshuar leje për ndërtimin e spitalit në një oborr me varrezat? Me siguri kam bërë edhe pyetje tjera të lidhura me këtë çështje.

Varreza ishte pjesë e oborrit të një kishe të vjetër e cila dukej se ishte e mbyllur dhe më nuk iu shërbente të gjallëve. Edhe gurët e varreve ishin të vjetër pasi që në pjesë të mëdha ishin të mbuluara nga lëmyshku apo ndonjë bimë tjetër sipërfaqësore që ua kishte dhënë ngjyrën e gjelbër. Varret ishin pa plan, kurse gurët ishin të madhësive, formave dhe materialeve të ndryshme. Koha ishte treguar e pamëshirshme ndaj tyre. Disa ishin lakuar anash, para apo pas, kurse disa ishin rrëzuar në tërësi duke u përplasur mbi varre. Pamja e tyre nga kati i dytë i spitalit ishte tejet e pakëndshme dhe ta çonte mallin e ndonjë arkitekture të ndërtesave komuniste ndaj të cilës nuk është treguar asnjë kujdes gjatë tranzicionit kur gjërat prishen dhe askush nuk kujdeset për mirëmbajtje. Në këtë gjendje një herë e kam pa Prishtinën nga dritarja e aeroplanit para aterrimit në Sllatinë. Ndërtimi i egër i Prishtinës së pasluftës nga lart dukej si një varrezë masive e lënë pas dore nga ata që kanë mbetur gjallë e që nuk kanë respekt për të vdekurit.

Pjesa e këtyre varrezave, që shtrihej në anën e majtë të dritares, ishte më e mistershme. Aty ku përfundonin varret qëndronte një mur i lartë i cili, vende-vende, kishte lëvizur nga ekuilibri dhe kishte krijuar leqe. Pasi që muri ishte i trashë dhe i ndërtuar nga gurët, nuk dukej se kishte rrezik të shembjes. Pas murit shtrihej asfalti i rrugës kryesore të kësaj pjese të qytetit. Brenda murit, një dru i lartë i arrës dhe disa lisa, me degët e tyre të shtrira horizontalisht, sikur që donin t’u ofronin mbrojtje këtyre varrezave të moçme. Nën hijen e degëve krijohej një errësirë e frikshme. Kjo pjesë ishte më e rëndë për vrojtim pasi që mjegulla e mëngjesit dukej se nuk dëshironte të largohej. Pamja gotike e varreve në Angli është mjaft frikësuese, por kjo ishte e tmerrshme pasi që shikohej nga spitali dhe nga pacienti i cili përballej me frikën e vdekjes.

Kur përfundoi këshillimi me mjekun, dola në paradhomën e pritjeve por nuk munda më të vazhdoja leximin. Kjo punë tani më nuk ishte makiavelistë, por më shumë shekspiriane: të jesh apo të mos jesh. Truri i njeriut funksionon jo vetëm në mënyrë të çuditshme, por edhe misterioze. Në mëndje më erdhi një bisedë që një herë, në verën e hershme të vitit 2005, e kisha bërë me Kai Aiden. Duke u shëtitur me të dhe me një grup të qeveritarëve të Kosovës në bjeshkët e Rugovës, rastisi që ecnim vetëm unë dhe ai për disa minuta. E pyeta se si i kishte punët me shëndet. Më shikoi me kureshtje dhe me tha se unë isha njeriu i parë në Kosovë që i kisha bërë një pyetje të tillë. Siç më tha, të tjerët e pyetnin vetëm për politikë apo për statusin e ardhshëm të Kosovës – siç thoshim atëherë. Më duket se ishte anglishtja ime që e shtyri të interesohej për mua. “Pse nuk ke rol më prominent?”, më pyeti. “Kam rol mjaft prominent. Si zëdhënës jam prezent non-stop në media”, thashë. “Jo në media, por në qeveri”, ma ktheu. Pastaj, me një lloj entuziazmi më tregoi se para disa javësh kishte pasur një intervenim kirurgjik në zemër. Operacioni nuk kishte qenë i vështirë, por ai, në mënyrë emocionale, e kishte përjetuar rëndë. “E kam përjetuar si dhunim”, më tha duke shpjeguar intervenimin që ishte bërë pa dashje, por si nevojë në trupin e tij.

Një gjendje e këtillë tashti po ndodhte me mua. E kisha vështirë të lejoja që të më prekeshin, madje edhe të më hiqeshin pjesët e brendshme të trupit. Nuk dëshiroja aspak, por duhej patjetër ta bëja këtë punë sepse, sipas mjekëve, po më rrezikohej jeta.

Në dhomën e pritjes, së bashku me disa tjerë, qëndroja i veshur me pizhame dhe me një lloj të veçantë të çorapeve të gjata dhe elastike, enkas për operacion. Para orës 1:00, në dhomë erdhi një infermiere me dosje të cilën e mbante në krahun e saj të djathtë, përpara shikimit të saj. Ngadalë dhe me një butësi të rrallë femërore e lexoi emrin tim. Zërin që e lëshoi ishte i ulët dhe i ëmbël, por i përshkuar me një kujdes që bëjnë njerëzit kur dyshojnë nëse e kanë gabuar shqiptimin. “A e lexova mirë?”, më tha me një buzëqeshje e cila ia krijoi dy vrima të rrumbullake në faqet e saja si mollë.

Anglezët emrin tim e lexojnë dhe e shqiptojnë gjithmonë siç duhet. Kam bindjen se e lexojnë duke u bazuar në leximin e fjalës “doubt” që d.m.th. “dyshim”, por që në shqip tingëllon “daut”, që i bie tamam emrit tim. Kështu e lexoi edhe infermierja e cila, në fakt, siç më njoftoi, ishte anesteziologe, e cila do të merrej me procedurën e narkozës sime. Kur dolëm në një korridor të gjatë, ajo filloi të fliste për detajet e operacionit tim. Mënyra se si fliste të ofronte përshtypje se ishte një aktore e bukur dhe e huazuar nga spitali vetëm për t’i bërë pacientët që të ndjeheshin mirë para operacionit. Mënyra se si e kryente punën e saj, dukej si angazhim serioz i një aktoreje të zellshme dhe të talentuar.

Në të dy anët e korridorit kishte salla të operacioneve. Me siguri ishin mbi njëzet sosh, derisa arritëm te salla e rezervuar për mua e cila ishte gati në fund të korridorit. Disa nga këto salla i kishin dyert e hapura dhe kjo më shtynte të shikoja se ç’po ndodhte brenda tyre. Natyrisht që nuk kishte mundësi të shihje detaje. Tërë ajo që dallohej ishte se diku, rreth tavolinës së operacionit, ishin mbledhur më shumë e diku më pak mjek. Siç më tha anesteziologia, në secilën sallë bëheshin operacione të ndryshme. Në njërën nga këto salla m’u duk se njëri nga mjekët, sikur që i mëshonte pacientit diku në trup me një lloj mjeti që mua m’u duk si çekan i vogël që përdornin nallbanët kur ua thumbonin patkonjtë kuajve. U mundova të shoh më shumë, por e dija që nuk duhej të ndalesha para derës e të vazhdoja në rolin e spektatorit.

Dhoma e operacionit tim nuk ishte më e madhe se 3X3 metra. Aty ishte edhe një infermiere tjetër e cila sapo e kishte rregulluar shtratin tim. Nuk e kisha ditur se do të operohesha në shtrat lëvizës dhe po në këtë shtrat do të qëndroja deri sa të lirohesha nga spitali. Shtrati, në fakt, më shumë dukej si një lloj karrige e shtrirë e kozmonautëve. Ishte i rrethuar me plot tela dhe instrumente anash. Muret e dhomës ishin të rrethuara tërësisht me aparate dhe instrumente të ndryshme. Salla më shumë m’u duk si ndonjë laborator i NASA-s, sesa vend për operim. “Nëse varem nga instrumentet, nuk do të vdes kurrsesi”, thashë me vete. Ndërkohë vërejta se që të dy infermieret kishin filluar të vendosnin në trupin tim gypa dhe pulla, të lidhura me tela në aparate të ndryshme. Në një moment, infermierja e futi dorën e saj në gjoksin tim dhe shëtiste gishtat sikur që kërkonte diçka. E pyeta se ç’bënte? Më tha se po kërkonte një vend pa qime në gjoksin tim për të vendosur disa nga ato pullat e lidhura me tela. I tash se në gjoksin tim nuk ka vende të tilla. Ajo mezi u përmbajt nga qeshja e tepruar dhe sikur u gëzua kur e gjeti një vend atu ku përfundon gjoksi, por edhe qimet, dhe ku fillon kraharori. Kaluan disa minuta dhe unë vërejta se anestezioni i lëngët që merrja nga shishja e varur mbi kokë, nuk më kapte dot.

Në sallë u krijua një lëvizje shqetësuese, sipas interpretimit tim. Ndihmësi i mjekut e shikoi infermieren. Infermierja thirri ndihmë. Pas pak çastesh erdhi një njeri i veshur me një mantel të gjatë ngjyrë të kaltër dhe me një cilindër në formë bombolash gazi ku kishte masë anestezioni të gaztë. Ai hyri nga dera përballë meje duke e tërhequr këtë mjet të vendosur mbi dy rrota dhe i cili, në një lloj shtylle, kishte të varur edhe maskën të lidhur me gyp plastike në cilindër. Ky njeri ishte nga personeli teknik i spitalit dhe kishte pamje të një afrikani. Ishte trupshkurtër, i trashë dhe me sy të hapur hyri në dhomë me një shpejtësi sikur demat e toreadorëve që hyjnë te xekrruar në koridë. Pasi që nuk kishte pothuaj aspak qafë, koka i dukej sikur që dikush në shpejtësi dhe pa kujdes ia ka ngulur në supe. Ishte nga ata tipat që duket se sapo e kanë lënë profesionin e ndërtimtarit dhe janë kyçur në shërbim shëndetësor. Ky tip krijoi një pamje jo të zakonshme pranë meje.

Dyshimi im u shtua edhe më shumë në aftësitë e tija medicinave kur pashë se ai kishte probleme me vendosjen e këtij aparati në funksion. Filloi t’i mëshonte grusht për t’ia rregulluar pozitën cilindrit në raftin ku e vendosi përskaj shtratit tim. Unë varesha tërësisht nga ky aparat gjatë operacionit dhe ky “demi” dukej se nuk dinte se ç’bënte. Si nëpër filma, ata që ta marrin shpirtin janë kështu si ky tipi. Duken të vrazhdë, të shëmtuar dhe nuk e dinë se ç’bëjnë.

Por, disponimi shpejt m’u ndërrua për të mirë kur në dhomë erdhi mjeku i cili do të më operonte. Mr. Robinson, siç iu drejtua personeli i tij ndihmës me përshëndetje, ishte diku rreth të pesëdhjetave, i thinjur relativisht, me trup mesatar dhe pamje të një njeriu të gjallë, profesional dhe i cili di se ç’bënte. Me një buzëqeshje të ngrohtë dhe të sinqertë më pyeti, në emër, se si ndjehesha. I thashë se unë isha mirë, por me rëndësi ishte që ai të ishte mirë. Ai buzëqeshi duke dashur të më garantonte se nuk do të kishte kurrfarë problemi. Ai, nga dora e infermieres e mori një incizim të rëntgenit ku shihej pjesa e hundës ku do të operohej. E përcolla me shikim anash, por nuk e përcolla deri në fund pasi që ai më doli pas kokës ku gjendej një tabelë dhe në të cilën e vendosi fletën për ta shikuar.

Në të njëjtën kohë, anesteziologia e kishte marrë përsipër punën e “demit” dhe ma ofroi maskën në drejtim të fytyrës duke më treguar lehtas se çdo të ndodhte tashti. Duke e vënë maskën, në drejtim të shikimit tim në mur pashë orën që kishte shënuar diku rreth 10 minutave pas orës 1:00. Me vendosjen e maskës thashë të shohë për sa kohë do të qëndroj pa rënë në molisje. Fillova ti numëroj sekondat. Nisa nga numri 1. Numrin 3 nuk e arrita.

Operacioni kishte zgjatur gati katër orë. Kur hapa sytë sërish, pashë se isha në një dhomë tjetër ku qëndronin dy veta duke biseduar. Posa më panë se u zgjova njëri më pyeti se si ndjehesha dhe më tregoi se do të më dërgonte në dhomën e spitalit. Ai e shtynte shtratin tim nëpër disa korridore, një lift dhe përsëri edhe një korridor tjetër. Në një këndë të këtij korridori, ulur vërejta disa njerëz, në mesin e tyre edhe gruan time që priste ardhjen time. I dhashë shenjë me dorë për treguar se isha mirë. Pastaj më dërguan në dhomën ku ishte rezervuar shtrati im. E tërë kjo kohë, që zgjati më shkurt se gjysmë ore, disa herë flija dhe zgjohesha. Pastaj, më vizitoi një ekip i mjekëve. Mjekja kryesore kollitej dhe dukej se e kishte zënë një flamë. Më kujtohet që i thashë që të shkonte në spital nëse nuk e ndjente veten mirë. Qeshi me zë.

Në periudhën prej nja katër orëve, sa zgjati kthimi në vetëdije të plotë, kisha folur shumë nga e cila nuk mbaj mend asgjë. Kisha qenë mjaft komik pasi që me fjalët e mia kishin qeshur, mjekët, infermieret, anëtarët e familjes sime, etj. Kjo ishte hera e parë që kisha folur pa e ditur dhe pa e kontrolluar veten. Asgjë nuk më kujtohej që kisha thënë dhe kjo gjë më bëri të ndjehem keq.

Kur erdha tërësisht në vete pashë se në dhomë ishin të shtrirë edhe katër veta. Njëri që ishte përballë meje, dukej se i kishte punët keq. Gjëmonte nga dhimbjet. Ndoshta ishte i moshës 60-vjeçare, por dukej se i kishte ditët e numëruara në këtë botë. Nuk mund të bisedoja me të se ishte larg për mua dhe nuk mund të prodhoja shumë zë pasi që hundët i kisha tërësisht të bllokuara dhe të mbushura me fashë dhe kur provoja të flisja me zë të lartë më rridhte gjak nga hunda. Në një moment ai kërkoi ndihmë. Së shpejti erdhi një infermiere e ashpër në pamje dhe filloi ta qortonte pacientin. Pacienti, për të cilin më vonë mora vesh se quhej Richard, kishte urinuar në shtrat. I doli punë infermieres se duhej ndërruar mbështjellësin e dyshekut dhe mbulojën për të cilën gjë ajo nuk e fshihte hidhërimin. Por, infermierja së shpejti filloi ta ulte zërin dhe t’i përmirësonte sjelljet pasi që me siguri e hetoi se po e tepronte.

Infermierja u soll edhe më mirë pas disa minutave kur Richardit i erdhën tri motrat në vizitë. Ai ishte vëlla i pesë motrave. Ishte interesant të shihje sa shumë e disponuan motrat Richardin. Fytyra filloi t’i qeshej. Megjithatë, gjatë natës, gjendja e tij u keqësua dhe ai filloi të gjëmonte. Më vonë mora vesh se Richardi priste të operohej, por pasi që t’i stabilizohej gjendja.

Pranë meje, në anën e majtë të shtratit, shtrihej njëri që kishte pamje aziatike dhe i cili nuk më dha shenja se dëshironte të bisedonte. Edhe ky priste të operohej, por në asnjë moment nuk i hoqi rrobat me të cilat kishte ardhur nga shtëpia. Ashtu e kaloi natën në gjumë.

Për mua, edhe pse nuk kisha asnjë dhimbje, pos disa djegëseve irrituese, nata ishte e vështirë. Flija me episode të shkurtra dhe zgjohesha, por nuk kisha me çka të merresha. Provova të lexoja, por më mungonte koncentrimi. Në mëngjes, tinëzisht, shkova në tualet se kisha dëshirë të shihja fytyrën në pasqyrë. M’u duk shumë e çuditshme që nuk kisha asnjë shenjë. Madje nuk vërehej as fakti që hundët i kisha të mbushura me fashë, e cila nuk kishte nevojë të nxirrej pasi që do të vetëshkatërrohej dhe gradualisht do të zhdukej duke dalë nga hundët në formë të një lëngu të trashë. Kur një infermiere më pa se kisha dalë nga shtrati më qortoi duke ma përkujtuar se nuk kisha të drejtë ta bëja këtë. E injorova qortimin e saj për të cilën gjë ajo nuk u ndje mirë. Pak kohë para mesditës dhe pas një kontrollimi mjekësor, erdhi infermierja kryesore dhe më tha se isha i lirë që të shkoja në shtëpi.