LAJMI I FUNDIT:

Skenari për emërimin e guvernatorit

Skenari për emërimin e guvernatorit

Zgjedhja e Gazmend Lubotenit për guvernator të ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk ka qenë pa prapavijë, pasi që Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë ka zbuluar një skenar të tillë.

Burime nga kjo zyrë bëjnë të ditur se në bazë të skenarit, kryetari aktual i bordit të BQK-së Gazmend Luboteni ka qenë e paraparë të emërohet si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, pasi që ka marrë përkrahje të fuqishme nga partitë në pushtet.

Po ashtu, sipas këtij plani anëtari aktual i bordit të BQK-së, Sejdi Rexhepi, është paraparë të emërohet si zëvendësguvernator. Ndërkaq Mejdi Bektashi të emërohet si kryetar i bordit të BQK-së.

“Skenari ka qenë kështu i menduar, por Zyra Civile Ndërkombëtare nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë që të zbatohet një skenar i tillë”, tha burimi i gazetës brenda ICO-së.


Por, ekzistimin e planit në mënyrë kategorike e kundërshton Mejdi Bektashi, kryetar i Komisionit vlerësues për përzgjedhjen e guvernatorit.

I kontaktuar nga gazeta, Bektashi thotë se komisioni ka bërë punën e vet duke bërë listën prej tre kandidateve të cilët i ka dërguar në Kuvend për votim. Ai thotë se nuk është në dijeni se dikush paska bërë skenar për emërimin e guvernatorit të ri. “Absolutisht se nuk ka kurrfarë plani, apo skenari për emërimin e guvernatorit. Të gjitha këto janë spekulime”, tha për “Zëri” Bektashi.

Sipas tij, guvernatorin e ri të BQK-së e zgjedhin deputetët e Kuvendit të Kosovës e jo një grup i caktuar njerëzish.

Por, në anën tjetër as shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, nuk ka mundur të qëndrojë neutral sa i përket përzgjedhjes së kandidatit për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK). Feith preferon që pozitën guvernatorit ta marrë Gani Gërguri, i cili prej korrikut të vitit të kaluar, kur është arrestuar ish-guvernatori Hashim Rexhepi, është ushtrues detyre i guvernatorit.

Sipas një letre të cilën Feith ia ka dërguar më 10 mars 2011 Komisionit për përzgjedhjen e guvernatorit, të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”, thuhet se Gani Gërguri është kandidati dukshëm më i kualifikuar dhe më i dëshiruar për postin e guvernatorit të BQK-së. “Do të doja të ritheksoja se gjatë konsultimeve me aktorë të tjerë relevantë, unë plotësisht mbështes mendimin tuaj se nga kandidatët e përshtatur për pozitë të guvernatorit, të mbetur në listën e ngushtë, Gani Gërguri është kandidati dukshëm më i kualifikuar dhe më i dëshiruar për postin e guverntarorit të BQK-së”, thuhet në letrën e Feith.

Shefi i ICO-së po ashtu u ka sugjeruar anëtarëve të këtij komisioni që të vazhdojnë këtë proces me shpejtësi, në mënyrë që, siç ka thënë ai, lista e kandidatëve të përzgjedhur në garën për guvernator të dërgohet sa më shpejt që është e mundur në Kuvend dhe procesi i nominimit të përfundojë pas 45 ditësh.

Po ashtu, para pak ditësh Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa ka dërguar për votim emrat e Gani Gërgurit dhe Safet Merovcit. /Telegrafi/