LAJMI I FUNDIT:

Sistemi bankar i qëndrueshëm dhe stabil

Sistemi bankar i qëndrueshëm dhe stabil

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka takuar të premten guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gerguri dhe kryetarin e Bordit Drejtues të BQK-së, Gazmend Luboteni.

Në fillim të takimit, Gërguri ia dorëzoi kryekuvendarit Krasniqi Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2010. Me këtë rast ai tha se ka nderin dhe kënaqësinë e veçantë për të prezantuar këtë raport, i cili përfshin zhvillimet më të rëndësishme në ekonominë e Kosovës. “Ekonomia e Kosovës në vitin 2010 shënoi rritje reale të produktit të brendshëm bruto prej 4 për qind”, tha Gërguri.

Për dallim nga viti 2009, kur rritja ishte realizuar kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve publike dhe rënies së çmimeve, në vitin 2010 rritja ishte fryt i rritjes së konsumit dhe investimeve në sektorin privat. Sektori financiar i vendit vazhdoi me trendin rritjes.

Treguesit kryesorë të shëndetshmërisë financiare flasin për qëndrueshmëri të lartë të sistemit bankar në Kosovë. Krahas sigurimit të stabilitetit të sektorit financiar, BQK-ja vazhdoi me ngritjen e cilësisë së shërbimeve të saj për autoritetet, komunitetin financiar dhe publikun, theksoi Gërguri.


Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e ri mbi Bankën Qendrore, në mbështetje të të cilit ajo edhe zhvillon veprimtarinë e vet. /Telegrafi/