LAJMI I FUNDIT:

Shumetniciteti biznesor

Shumetniciteti biznesor

Pavarësisht kushteve jo të favorshme që të rinjtë e Kosovës i kanë për të zhvilluar biznese, një institucion që i mbështet ata është Qendra për Mbështetje tё Bizneseve në Kosovë (BSCK), e cila ka filluar punën vite më parë me mbështetjen e donatorëve të ndryshëm nga Holanda dhe disa partnerë lokalë.

Në një intervistë për “Epokën e re”, drejtori ekzekutiv i BSCK-së, Besnik Krasniqi, është shprehur se BSCK-ja është një mundësi e re që të rinjve t’u jepen ide se si bëhet një biznes i suksesshëm.

“Programi është iniciativë e organizatës holandeze SPARK, e cila është themeluar në vitin 2006. Ai financohet nga Ministria e Jashtme e Holandës dhe mbështetet nga partnerët lokalë, siç janë Universiteti i Prishtinës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Pejës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Oda Ekonomike e Kosovës, NLB Bankë dhe Qendra për Ndërmarrësi dhe Zhvillim të Biznesit”, ka deklaruar ai.

Krasniqi është shprehur se stafi i BSCK-së përfshin punëtorë të nacionalitetit shqiptar dhe serb. “BSCK-ja vepron sipas standardeve më të larta. Të gjithë punonjësit e organizatës pajtohen me kushtet dhe përgjegjësitë, të cilat u janë caktuar nga BSCK-ja. Qëllimi i BSCK-së është zhvillimi ekonomik nëpërmjet promovimit dhe përkrahjes së iniciativave të ndërmarrësve të rinj”, ka potencuar ai.


Në programin e BSCK-së, sipas Krasniqit, ka pjesëmarrës të minoritetit serb dhe ky program, përveç Prishtinës, është organizuar në lokacione të ndryshme të Kosovës.

“Një numër i madh i minoriteteve, përfshirë serbë, turq dhe romë, kanë pasur mundësi të përfitojnë nga trajnimet e organizuara në Prizren, Osojan, Graçanicë, Dragash dhe Shtërpcë”, ka vlerësuar ai.

Krasniqi ka treguar se, së fundi Business Support Centre Kosovo (BSCK) është transformuar në një entitet legal.

“Qëllimi kryesor i BSCK-së është promovimi i zhvillimit ekonomik në Kosovë nëpërmjet krijimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) dhe gjenerimit të vendeve të punës. Modeli i programit bazohet në praktika të suksesshme duke i përgatitur të rinjtë fillimisht me trajnime ndërmarrësish”, ka thënë ai.

“Deri më tani BSCK-ja ka zhvilluar rreth 30 module të trajnimeve. Procesi i zhvillimit të moduleve ka përfshirë një numër të konsiderueshëm të ekspertëve dhe trajnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Të gjithë kanë shërbyer me komentet e tyre për të nxjerrë më të mirën për secilin modul. BSCK vazhdon të organizojë takime me ekspertët dhe trajnerët, në mënyrë që modulet të jenë sa më të përshtatshme për audiencën”, ka vlerësuar ai.

Krasniqi ka thënë se BSCK-ja vazhdimisht organizon forume të cilat nxisin debate rreth përmirësimit të kushteve për ndërmarrësit e rinj. Ai ka theksuar se të arriturat e organizatës janë të shumta, përfshirë krijimin e 30 NVM-ve të reja gjatë tre cikleve të projektit, mbështetjen e të papunësuarve, studentëve, posa të diplomuarve dhe të rinjve të tjerë të interesuar në ndërmarrësi.

“Në proces të krijimit janë edhe 12 biznese të reja. Në përgjithësi secili biznes i themeluar ka 4.7 punëtorë, që i bie se më shumë se 100 persona janë punësuar. BSCK-ja do ta vazhdojë përfshirjen e lokacioneve të tjera, ku do të mbajë trajnime dhe programin e mbështetjes”, ka nënvizuar ai.

BSCK-ja është e përkushtuar që t’i ngrehë kapacitetet humane në Kosovë për zhvillim më të suksesshëm të programeve të mbështetjes së ndërmarrësve.
Krasniqi është shprehur se BSCK-ja ka organizuar vizitat studiuese në shtetet e Bashkimit Evropian, ku ka ftuar edhe stafin e partnerëve: siç janë Oda Ekonomike e Kosovës dhe Agjencia për Mbështetje të NVM-ve.

“Synimi i BSCK-së është që të rritet dhe të ngrehet kapaciteti i organizatave lokale në lokacione të ndryshme të Kosovës, në mënyrë që në të ardhmen të ketë kapacitete humane për implementim të programeve të tilla në të gjitha lokacionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Krasniqi premton se në vitin e ardhshëm BSCK-ja do ta bëjë hapjen e inkubatorit, ku bizneset do të kenë mundësi të marrin hapësirë për zyrë dhe shërbime të tjera që do të ofrohen brenda inkubatorit.

“Deri më tani BSCK-ja ka promovuar ngritjen e kapaciteteve të grave dhe do të synojë të mbajë bilanc pozitiv në këtë aspekt”, është shprehur drejtori ekzekutiv i Qendrës për Mbështetje tё Bizneseve në Kosovë (BSCK), Besnik Krasniqi.
(Epoka e Re)