LAJMI I FUNDIT:

Shtesat e rrogave të pasigurta

Shtesat e rrogave të pasigurta

Vetëm pak ditë para se të dalin pagat e muajit prill në xhirollogaritë e shërbyesve civilë, ende nuk dihet nëse këta të fundit do t’i marrin shtesat e pagave me ngritje për dy muajt e parë të vitit në mënyrë retroatikve.

Qeveria e Kosovës, në fillim të këtij viti, ka marrë vendim t’i rrisë pagat e shërbyesve civilë, me ç’rast pagat e muajit mars i ka paguar me rritje, ndërsa për dy muajt paraprakë ka premtuar se shtesat do të paguhen në mënyrë retroaktive me pagën e muajit prill.

Ministria e Administratës Publike i ka përgatitur tashmë dy lista të pagave për shërbyesit civilë. Njëra listë përfshin pagën pa shtesa për muajt janar dhe shkurt 2011, dhe lista tjetër është me këto shtesa, ndonëse ende nuk dihet se a do të paguhen shtesat, apo jo.

“Nuk kemi informata ende nëse shtesat e pagave për janar dhe shkurt do të paguhen këtë muaj”, ka thënë për Zërin ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Administratës Publike, Fitim Sadiku.


Sipas Sadikut, MAPL ka përgatitur listën e pagave me shtesa dhe pa të dhe varet prej Ministrisë së Financave se si do të procedohet më tutje. “Ministria e Financave vendos përfundimisht se a do të dalin të premten pagat me shtesa apo pa to”, shprehet Sadiku.

As kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, nuk e di ende nëse pagat e muajit prill do të dalin me shtesa. Ai thotë se për këtë çështje nuk është njoftuar nga përfaqësuesit e vet sindikalë. “Ende nuk e di nëse pagat e prillit do të dalin me shtesa. Për këtë do të më njoftojnë në fund të muajit përfaqësuesit sindikalë”, shprehet Arifi. /Telegrafi/