LAJMI I FUNDIT:

Shtatë viktima nga COVID-19 dhe 474 të infektuarit në Shqipëri

Shtatë viktima nga COVID-19 dhe 474 të infektuarit në Shqipëri

Shtatë pacientë të shtruar në spitale për COVID-19 humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit ndërsa 474 persona të tjerë u diagnostikuan të infektuar.

Autoritetet shëndetësore në Shqipëri raportuan të dielën se totali i viktimave nga pandemia ka shkuar 1,277 vdekje, ndërkohë që numri i të shëruarve ditorë mbetet më i ulët se ai i rasteve të reja me infeksion.


Viktimat e radhës ishin të moshave 65-83 vjeç nga Tirana, Vlora, Lushnja, Gjirokastra dhe Shkodra. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 282 pacientë, 30 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë tha se gjatë kësaj periudhe kohore janë kryer 2,521 teste, prej nga ku kanë rezultuar pozitivë 474 persona (pozitiviteti 18.8 për qind). Totali i rasteve të përgjithshme ka shkuar në 67,690, prej së cilave 59.7% (40,453 raste) kanë mundur të shërohen (363 gjatë 24 orëve të fundit), 38.3% (25,960 raste) mbeten ende me mbartje të virusit, ndërsa 1.88% (1,277 raste) nuk ia kanë dalë mbanë.